Rrëfimi për kampionin pa skuadër

Autori:Avdyl Pajaziti

Të rrallë janë ata që shpallen kampion dy vjet radhazi si futbollist me të njëjtin ekip. Edhe më të rrallë janë trajnerët që e bëjnë këtë. E ata që e bëjnë këtë edhe si futbollist, edhe si trajner janë legjenda. Barcelona e ka Pep Guardiolën. Prishtina e ka Afrim Tovërlanin.

Ai, gjatë karrierës së tij me Prishtinën fitoi 5 tituj kampion si futbollist, e tre të tjerë si trajner.

11006192_10152733127417199_54235738_n

Sot, Tovërlanin mund ta takoni në ëmbëltoren Elida, por jo në fusha të gjelbra. Ai është pa skuadër.

“Nuk e di, kam kushtet e mia prej të cilave nuk lëshoj pe. Askush nuk guxon të më përzihet. Ndoshta jam edhe i shtrenjtë për klubet kosovare. Është kohë krize dhe duhet kuptuar këtë situatë”, thotë Tovërlani.

Ai, ka rrëfyer për Gazetën Fjala tërë karrierën e tij në futboll.

“Nisi gjithçka kur isha fëmijë. Dëshira e madhe për këtë sport nuk më linte rehat. Mu desh  ta kundërshtoja edhe babain. Ai donte që të fokusohesha vetëm në shkollë. Unë mendoja që mund t’i bëj të dyja dhe ia dola”, tregon Tovërlani.

Rrëfimi për kampionin pa skuadër nuk është vetëm për Afrim Toverlanin, por për qindra njerëz të dëshmuar e të zotë në shtetin e Kosovës, por që sillën vërdallë, pa mundur të japin atë që dinë e të bëjnë atë që munden.

Ai, ishte këmbëngulës edhe në kohë të vështira. “Në vitin 1981 dihet se situata ishte e tensionuar. Isha ende fëmijë. Me klubin, Prishtinën, duhet të shkonim në Pirot. Babai erdh në klub që të mos më lejonte. Mezi arritën tjerët ta bindin. Shkova”.

Dy vjet më vonë kjo këmbëngulësi iu shpërblye. Ai filloi të luajë për reprezentacionin U17 të ish Jugosllavisë e më vonë edhe të U19.

299958_106227336153920_599877600_n

Në vitin 1984 erdhi edhe koha e debutimit për ekipin e seniorëve të Prishtinës që garonin në ligën e parë.

“Po dilja para 30 mijë shikuesve. Mu dridhen këmbët. Është ndjenjë që nuk do ta harroj deri në fund të jetës”.

Tovërlani lozi për Prishtinën në ligë të parë, të dytë, gjatë tërë viteve ’90 kur u pavarësua sporti dhe pas viti ’99 kur u çlirua Kosova. Ai, gjatë këtyre katër etapave, si mesfushor ofanziv shënoi qindra gola ndaj dhjetëra skuadrave. Më të veçantin e quan golin që ia shënoi direkt nga korneri Besianës. “Goli është unik pasi e shënova nga korneri me goditje të pjesës së jashtme të shputës. Nuk kam pa të shënohet asi goli as në TV”, thotë ai. Ndërsa, momentin më të rëndë e konsideron rëniën e Prishtinës nga liga e parë e ish Jugosllavisë pas pesë vjet qëndrimi aty.

Tovërlani i dha Prishtinës gjithçka dhe nuk mori nga ajo thuajse asgjë. E përfundoi karrierën në vitin 2003.

Paralel me karrierën e futbollistit kishte vijuar edhe mësimet deri në përfundimin e Fakultetit të Kulturës Fizike. Por, ishte i vendosur të vazhdonte me futboll. Shkoi në Sarajevë dhe pasi kreu me sukses ligjëratat u pajis me licencën B të UEFA-s për trajner. Më vonë u shkollua dhe mori edhe licencën B.

“Kur shkova në Sarajevë mendova që dija gjithçka, pasi kisha punuar me trajnerë eminentë të ish Jugosllavisë. Aty e kuptova që nuk dija thuajse asgjë. Madje, taktikat e tyre kishin qenë shumë të gabuara”.

10696256_10153576924778538_5942034623237414428_n

Ai u rikthye në Kosovë, i përgatitur. Por, nuk i hyri menjëherë futbollit. Filloi të shkruajë si kolumnist në Gazetën e atëhershme Express, e më vonë u bë edhe Redaktor i Sportit. Ishte mjaft i përkushtuar edhe në profesionin e ri.

“Puna në gazetari ishte ndjenjë e veçantë. Aty duhet të jesh shumë i kujdesshëm sepse njerëzit preken edhe nga një fjalë e vetme e shkruar. Por, nuk lejoja të botohej asgjë pa u verifikuar në detaje. E kur e thua të vërtetën dhe ajo ndikon që të përmirësohen gjerat, atëherë ndihesh mirë me vetveten”.

Përkundër vullnetit për të punuar në këtë profesion, ai vazhdonte të kishte një dashuri më të madhe. Kishte nisur të punonte si trajner i grupmoshave të reja paralel me gazetarinë, por në vitin 2007 po e thërriste Prishtina që ta udhëhiqte ekipin e parë. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Qysh në stinorin e parë u shpall kampion me një ekip që po konsolidohej dhe askush nuk e priste. Theu edhe një rekord.

“Arrita 10 fitore radhazi. Ky rekord vazhdon të jetë në fuqi”. Ai u shpall kampion edhe edicionin e dytë, sërish me një rekord tjetër.

10931327_10152674541142199_2161288958351645623_n

Në stinorin 2008-2009 Prishtina, nën udhëheqjen e Tovërlanit e përmbylli kampionatin pa asnjë humbje. Askush tjetër nuk e ka arritur këtë. Ai, ka një shpjegim për këtë. “Fitova dy kampionate radhazi sepse i studioja dhe i njihja mirë kundërshtarët në fushë, i njihja lojtarët e mi, e njihja vetveten”.

Kishte angazhuar disa lojtarë të grupmoshave të cilët i kishte përgatitur vet. E ofroi edhe atë që e quan lojtarin më të mirë që e ka nxjerrë Kosova paslufte, Enis Fetahun.

Më pas u largua nga Prishtina, për t’u zëvendësuar nga Ramiz Krasniqi,  që e quan trajnerin më të mirë kosovar së bashku me Ajet Shoshollin.

Shkoi në Trepça ’89 që garonte një rang më të ulët. Qysh stinorin e parë e riktheu në Superligë, në epitetin e kampionit. Iu desh të luajë edhe kundër Prishtinës.

“Ishte ndjenjë e veçantë ajo lojë. E mposhta Prishtinën, por jo plisat. Ata, edhe në atë situatë më mirëpritën”.

Është dashuri e gjatë ajo në mes tij dhe fan klubit më të madh në vend. “Plisat janë e veçanta e Prishtinës, e veçanta e Kosovës”, thotë Tovërlani, duke mos i veçuar as tifozët tjerë.

“Edhe tifozët e ekipeve tjera janë shpirti i qyteteve ku vepron ekipi i tyre. Ata i japin kuptim shoqërisë”. Gjatë kësaj kohë ai u pajis edhe me licencën profi të UEFA-s në Shkup, pasi kaloi me sukses të gjitha provimet dhe ndjeku ligjëratat.

11004196_10152733127187199_2127883851_n

Ai, me 2013 u rikthye sërish në klubin e Prishtinës dhe sërish e ktheu në piedestal. Fitoi gjithsej 3 tituj kampion nga 4 tentativa. Stinorin tjetër dha dorëheqje. Që nga ajo kohë nuk është angazhuar dikund.

Kampioni pret rastin. I shpallur futbollist i dekadës nga Rilindja me 2000 dhe trajner i vitit 2 herë, ai edhe në gjysmën e dytë të këtij stinori ndeshjet duhet t’i sheh ose në televizor, ose në shkallët e stadiumeve.

 

11006067_10152733127192199_2013380006_n

Sukseseve të Afrim Tovoelanit jo të gjithë iu kanë gëzuar. Shikojeni me kujdes këtë fotografi.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rrefimi-per-kamponin-pa-skuader/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala