Rrëfimi i trishtë i dy ish-përdoruesve të drogës

Autori:Gazeta Fjala

“Kejt ja ka nis si hajgare”, për tu bërë pastaj makth i jetës së dy kosovarëve që humbën gjithçka.

Dy ish-përdorues të drogës rrëfejnë për Gazetën Fjala historinë e trishtë nga adoleshenca kur filluan përdorimin dhe sfidat deri në braktisjen e saj.

“E kom marrë veç për qef, me provu jo që kom pas probleme” tregon AA, (Emër i njohur për redaksinë), për kohën e paraluftës kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme.

Dëshira për të përdorur diçka të re me shokë kishte bërë që ai dalë ngadalë të kaloj përtej një përdorimi “kapriçioz”, në një të varur që nuk mund të jetonte pa drogën që blinte “te kurrizi” në Prishtinë.

“Si e pishe krejt ish në rregull”, thotë ai duke treguar se nuk e kishte problem shumë t`i siguronte paratë për tu furnizuar me narkotik në raste krizash pasi vinte nga një familje e kamur.

Por me kalimin e kohës financat i pakësoheshin dhe nevoja për doza më të mëdha rritej.

Për të dyja “hallet” kishte gjetur alternativë.

“Kam vjedh në shtëpi”, e pranon ai. Ndërkohë shumë miq të tij, përdorues , që vështirë gjenin pasuri për të shitur vidhnin në dyqane ose vende të ndryshme.

“Se kur e kapin krizat për drogë duhet me i gjet paret gjithqysh”.

Ndërkaq, tani kishte ndërruar edhe llojin e drogës , pasi mariuana e drogat e lehta nuk i mjaftonin.

Thuajse asnjë vend në krah nuk i kishte mbetur pa një vrimë gjilpëre, nga shiringat të cilat i blinte në barnatore.

“Në barnatore e kanë ditë se për çka po na vyn. Ata e pajshin gjendjen tonë edhe tu shku gati për ditë e kanë dit se për çka po na duhen”, tregon AA.

Edhe familja ishte në dijeni

Ai thotë se si familja e tij edhe familjet e tjera e dinë kur fëmija i tyre përdorë drogë.

“Është e pamundur mos me ditë se të ndërron sjellja, muhabeti, krejt të çrregullohen. Nëse zgjohesh në mëngjes edhe ki drogë është krejt në rregull, e vazhdon  rutinën e përditshme, qohesh më hangër… Por nëse nuk e ki atëherë mëngjeset nuk fillojnë si mos më miri”, rrëfen ai.

Nëna e tij kishte pësuar infrakt për shkak të gjendjes së të birit, të cilin nuk mund ta shihte të droguar.

Për këtë pjesë AA edhe tani e ka të vështirë të flas.

Dalë ndadalë gjithçka rreth tij po ndryshonte. Shoqëria, puna, e dashura e fakulteti nuk kishin asnjë vlerë sa “malli” pa të cilin nuk rrinte dot.

Nga përdorues i rregullt, tani ishte bërë edhe diler i vogël droge, të cilën ua shiste miqve deri në kohën ishte dorëzuar vetë në polici.

“E kom thirrë vetë policinë, i kom thanë qitu jom, se nuk dojsha me vazhdu ma me këtë gjendje”, tregon ai.

Koha që kishte kaluar në burg i kishte ndihmuar shumë në rehabilitimin e tij.

Pas 3 javëve të para të cilat thotë që i kaloi më vështirësi, atij iu përmirësua gjendja.

“Kom lujt futboll, kom punu. Qajo periudhë më ka ndihmu shumë” thotë ai.

Edhe familjarët e kishin më të lehtë, sado që të birin e kishin prapa grilave.

Pas daljes nga burgu AA, edhe njëherë të vetme e kishte provuar drogën por thotë se nuk ka pasur asnë ndjenjë siç i kishte pasur më herët.

Kishte vendosur që të trajtohej seriozisht për t`i braktisur narkotikët.

Për këtë e kishte në krah edhe të iatin, i cili e shoqëronte çdo seancë, një herë në javë.

“Shumë keq nihesh. Bash keq, se din a mu ni keq për veten a për prind”, thotë ai që ka vendosur t`i kthehet jetës normale.

Por edhe nga e kaluara AA ka mësuar shumë. Madje nuk është pishman që ka kaluar thuajse një dekadë i varur nga droga.

“Unë s’menoj kurrë anej. Mi ka prish do andrra por mi ka ndreq do tjera. M’ka ba më të fortë për shumë do sene tjera, nuk e di qysh ish kanë pa to”, rrëfen ai.

AA thotë se droga e ka bërë më të fortë ndryshe nga si e mendojnë njerëzit.

“Çka kanë me menu njerzit për mu që jam narkoman?”

Sipas tij në Kosovë të gjithë kanë qasje të gabuar në raport me përdoruesit e narkotikëve.

“Vetëm sa u’a rëndojnë barrën që ata kanë në vete”, thotë AA duke porositur të tjerët të mos i hyjnë rrugës që ndoqi ai.

“Loja” nisi që në moshën 15 vjecare

BB (Emër i njohur për redaksinë) është një tjetër ish-përdorues që në moshën 15 vjeçare kishte filluar ta plotësoj boshllëkun, siç thotë ai me marihuanë.

“Menxi gjetem marihuanë thuj t`i po blejna bombë nukleare”, rrëfen ai herën për herën e parë kur kishte rënë në kontakt me drogën.

“Si fëmij hera e  parë nuk të njofshin njerëzit që shitshin. I njifshim njerëz që ngrehshin bari por ata nuk na jepshin”.

Ky fakt e bënte më insistues në kërkim të “mallit” të ndaluar.

Një vit rresht ai përdori me shokë marihuanën derisa trupi i kërkonte pastaj narkotikë më  të rëndë.

“Mendon se mundesh me kontrollu, po s’mundesh”, shprehet BB i penduar për kohën e kaluar.

Sa më shumë që rriste dozën e drogës aq më shumë humbiste nga jeta njerëz më të dashur.

Derisa një ditë vendosi që të largohet nga e keqja.

“I thash prindërve që 3 muaj mem mbajt mbrenda në shtëpi. Veç po du me hek prej sistemit drogën. Munohnu mos mem lan me dal”, tregon ish përdoruesi i drogës.

Kjo periudhë nuk ishte aspak e lehtë.

“Sa u sillsha nëpër shtëpi qarshafin bistek e bojsha”, tregon ai.

Pas kësaj sfide ai u rehabilitua për një kohë edhe në Kroaci për tu kthyer në Kosovë i pranuar në shoqëri si fitimtarë.

“Qe tri vjet as bari skom pi sen veç metadona po s’jom rahat në aspirin. Nuk kom mu ni rahat në jetë”, thotë ai, duke treguar se nuk dëshiron të jetë i varun nga asgjë.

“Më kujton senet që i kom dasht shumë e mi ka hup”.

Të dy ish narkomanët, ndihen të lumtur që fituan jetën përsëri dhe nuk do të donin që të tjerët të ndiqnin ata si shembull për të kaluarën në drogë.

“Nuk je as ma cool as ma car. Ki me përfundu ki me ja marrë inati vetvetës. Një gjë që e kam mësu është me nejt sa ma larg drogës se është ma rehat. S’ki nevojë më mendu a me marrë drogë. Ma mirë me ba plane për kafe”.

Shumë do të donin ta fshinin nga historia e jetës atë periudhë derisa porosisin edhe të tjerët që aktualisht janë konsumuies të drogave të heqin dorë.

(Natyra Rushiti)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rrefimi-i-trishte-i-dy-ish-perdoruesve-te-droges/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala