Rinia e pashkolluar e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbi 108 mijë qytetarë të Kosovës nga mosha 15 deri në 24 vjeç nuk kanë asnjë angazhim. Ata gjatë tërë vitit 2014 as nuk kanë lexuar kurrë e as nuk kanë prekur punë me dorë.

Në këtë gjendje është më shumë se qereku i popullsisë së re që ka Kosova. E sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo është shifër shqetësuese për vendin. Shqetësim për popullësinëë e pa arsimuar mirë ka ngritur edhe Banka Botërore, duke treguar se vetëm me arsimi Kosova mund të bëjë një rritje të shpejtuar ekonomike, raporton Gazeta Fjala.

“Të rinjtë e këtij grupi, përfshijnë të rinjtë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, as nuk trajnohen, d.m.th. janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor. Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës”, ka treguar ASK’ja.

Ky institucion ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e të rinjve që nuk kanë asnjë angazhim në jetën e tyre janë femrat.

“Në vitin 2014, 108,200 persona të rinj (të moshës 15 deri 24 vjeç) në Kosovë nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar ose në trajnim dhe ata përbënin 30.2 për qind të popullsisë së re. Pjesa e femrave është 34.0 për qind krahasuar me 26.6  për qind të meshkujve”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale.

“Ajo që është shqetësuese është se me kalimin e kohës mundësia që popullata joaktive të rritet mbetet e lartë pasi çdo vit afërsisht 36,000 të rinj i shtohen popullsisë në moshë pune (d.m.th. 14 vjeçarët do të bëhen 15 vjeçarë), ndërkohë që vetëm rreth 10,000 do të hiqen nga popullsia në moshë pune (d.m.th. 64 vjeçarët bëhen 65 vjeçarë”.

Me mos shkollimin e rinisë kosovare dhe mungesës së angazhimit të tyre është marrë edhe Banka Botërore në Kosovës.  Ky institucion ndërkombëtar të treguar se  Kosova mund të përfitojë nga dividenca demografike nëse arsimin e shndërron në prioritet, shkruan Gazeta Fjala.

“Arsimi konsiderohet si një pjesë esenciale e përpjekjeve të Kosovës për një rritje të shpejtuar ekonomike, rritje të produktivitetit dhe pagave dhe zvogëlim të papunësisë. Njëkohësisht, pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës do t’i bashkëngjitet tregut të punës në disa vitet e ardhme. Për të ndihmuar në luftimin e këtyre sfidave, autoritetet do të mund të bëjnë shumë më shumë në rritjen e standardeve në arsim në të gjithë vendin përmes ndarje së resurseve shtesë si dhe duke përdorur në mënyrë më efikase resurset ekzistuese”, ka vlerësuar BB’ja.

Banka Botërore ka treguar se Kosova ka një popullsi të re, me 38 për qind të popullsisë nën moshën 19 vjeçare, shumë më shumë sesa vendet fqinje.

“Shqipëria (33 për qind), Bosnja (25 për qind), Serbia (23 për qind), Sllovenia (19 për qind) ose Mali i zi (27 për qind).”

Kjo popullsi e re, siç thotë Banka Botërore ofron një mundësi për krijimin e një fuqie punëtore të madhe, të arsimuar me pak presione fiskale dhe ekonomike të cilat i rëndojnë vendet me një popullsi në plakje, një problem me të cilin ballafaqohen shumë vende të Evropës lindore.

Megjithatë, sipas BB-së nëse Kosova nuk shfrytëzon përparësinë që i ofron popullsia e saj e re, atëherë konsiderohet se dividenda demografike mund të bëhet mallkim demografik.

E drejtori i Institutit për Hulumtime Zhvillimore, Lumir Abdixhiku, vlerëson se ssituata është edhe më alarmante se që paraqitet në raportin e statistikave.

“Problemi serioz mbetet në mosllogaritjen e plot 702,238 kosovarëve, përkatësisht pjesës dërmuese (plot 58.3%); të cilët fshihen prej kalkulimeve të papunësisë me një vijë lapsi”, ka shkruar Abdixhiku. Sipas tij, normë kaq të lartë joaktiviteti kanë vetëm 4 shtete tjera në botë (sipas të dhënave të Bankës Botërore), bëhet fjalë për Timorin Lindor (62.1%), Moldavinë (59.3%), Gazan (58.8%) dhe Samoa (58.5%).

“Vendet fqinje të Kosovës, kanë norma shumë më të ulëta joaktiviteti; Mali i Zi (50.1%), Serbia (47.5%); Shqipëria (44.9%) e Maqedonia (44.8%) – për të dhënë një mesatare prej 46.8%”.

Nëse Kosova, sipas tij, do të llogaritej se ka një fuqi punëtore joaktive sikurse regjioni – siç dhe ka gjasa të jetë – atëherë në Kosovë mund të jenë rreth 562,764 kosovarë joaktiv e 639,724 aktiv – për të dhënë në fund një papunësi prej plot 50.1% e jo 35.1%./Gazeta Fjala/.

 Të dhënat për papunësinë

– Në Kosovë janë 1,202,489 njerëz në moshë pune;

– Prej të cilëve plot 702,238 (58.3%) janë joaktiv – pra s’kërkojnë punë;

– Pjesa e mbetur, prej 500,251 kosovarëve janë forcë aktive;

– Nga ta, të punësuar janë 323,508 kosovarë (formal e joformal);

– Ndërsa, vetëm 176,743 janë të papunë;

– Rrjedhimisht, papunësia në Kosovë është rreth 35.1%.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rinia-e-pashkolluar-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala