Rikthehet premtimi i vjetër i Veselit

Autori:Gazeta Fjala

Ka kaluar një vit prej se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u  kishte premtuar personave me nevoja të veçanta punësim në Institucione.

Mirëpo, vetëm pas takimeve që përfaqësuesi i këtyre të fundit kishte zhvilluar para dy javëve me zyrën e kryetarit Veseli, premtimi ishte rikthyer sërish shkruan Gazeta Fjala.

“Deri në fund të këtij viti, pesë persona me nevoja të veçanta do të jenë të punësuar në Kuvend” tha Veseli gjatë konferencës së zhvilluar në objektin e kuvendit.

Ai u zotua se pesë persona nga kjo kategori do të punësohen në institucionin që ai e drejton. Por nëse punësimet nuk ndodhin brenda vitit, Bujar Kadriu kryetari i forumit për personat me nevoja të vecanta ka thënë se do të dal publikisht të tregoj se kryeparlamentari nuk e ka mbajtur premtimin.

Gazeta Fjala, ka provuar të kontaktoj me zyrën e Kryetarit Veseli, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

E në anën tjetër Bujar Kadriu, tha se vetëm pas propozimeve të tyre, kanë ardhur deri te vendimi për punësimin e kësaj kategorie, pavarësisht asaj se iniciativa kishte rrjedhur vitin e kaluar.

“Iniciativa ka rrjedh vitin e kaluar. Kryetari ka premtuar vitin e kaluar se do të jenë të punësuar pesë persona me nevoja të vecanta. Takimi i fundit që kemi pas me kryetarin, ka bërë që ai ta pranoj këtë ide”, tregon Kadriu.

Kryetari i forumit tregon se për punësimin në  këtë Institucion, kandidatët duhet të kenë së pari përvojë personale dhe profesionale.

Asnjë informacion për procedurat e punësimit:

Ndërsa për procedurat e punësimit, personat e kësaj kategorie nuk kanë asnjë informacion.

Luma Berisha studente e gazetarisë në UP e cila është e verbër tha se ende nuk ka mund të marrë asnjë iformacion se si do të mundeshin kjo kategori të ishin pjesë e konkursit.

“Unë se pari se di se për çfarë pozita po hapet konkursi. Nuk ka asnjë informacion më të detajuar si do të bëhet përzgjedhja, çfarë kriteresh duhet plotësuar për punësim. Apo ku do të  bëhet ky punësim, për çfarë pozitash”, thotë Luma Berisha.

Të njëjtën paqartësi sikur Luma, e ka edhe drejtoresha e “Doën Sindrom Kosova” , Sebahate Hajdini Beqiri.

“Nuk kemi asnjë informatë qysh ka me u ba përzgjedhja. As su hap konkursi. Kërkun nuk kom pa konkurs. Institucionet duhet të jenë më transparente në këtë aspekt”, tha ajo.

Ajo thotë se nuk është e pakënaqur me numrin e të punësuarev, pasi sipas saj është i numër i pamjaftueshëm. Ajo madje ka thënë se institucionet nuk po bëjnë më shumë për këtë kategori.

“Normal që nuk është  i  mjaftueshëm ky numër institucionet kanë ba shumë pak edhe jon tu ba  për personat me aftës të kufizuara “ është shprehur ajo.

Puna e garantuar me ligj

Në bazë të ligjit Për Aftësimin, riaftësim  professional  dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara , thuhet se çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor.

Përfaqësuesi i personave me aftësi të kufizuara thotë se Kuvendi e ka plotësuar kuotën për punësimin e personave në stafin civil.

“Në Kosovë janë 78 mijë shërbyes civil  është diskriminim moszbatimi i ligjit për punësim e personave me aftësi të kufizuara në këtë sektor” ka deklaruar ai.

Përderisa për punësimet e personave në këto pozita, kreu  i forumit tregon se së pari personat duhet të kenë dëshminë ligjore që i përkasin kësaj kategorie. Më pastaj të  kenë përvojë personale dhe të jenë të përgatitur në kuptimin profesional.

“Punësimet e pesë personave në Kuvend nënkupton që së pari të kenë dëshmi ligjore se janë persona me aftësi të kufizuara, pastaj të kenë përvojë personale, që janë të përgatitur në kuptimin profesional qoftë fakulteti bachelor, magjistratura, gradat e ndryshme që kanë të bëjnë me punësimin e tyre” tregon për Gazetën Fjala përfaqësuesi i personave me aftësi të kufizuara.

Ndërsa sa i përket datës së kur do të hapet konkursi, Kadriu ka thënë për Gazetën Fjala, se është duke pritur një takim me kryetarin e Kuvendit për ta vendosur një gjë të tillë.

Edhe drejtori i Handikos-it Afrim Maliqi,  mendon se numri i të punësuarëve me aftësi të kufizuara mund të jetë më i madh.

Maliqi thotë se shembullin e njëjtë duhet ta ndjekin të gjitha Institucionet tona.

“Sigurisht se numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara mund të jete edhe me i madh dhe sigurisht do te jetë në të ardhmen e afërt. Por ky është një shembull qe duhet te ndjekin edhe Ministritë e tjera, Komunat dhe gjitha institucionet e vendit” ka shtuar drejtori i HANDIKOS-it. /Gazeta Fjala/ (Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rikthehet-premtimi-i-vjeter-i-veselit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala