Rektori i ri ul standardet e UP-së

Autori:Gazeta Fjala

 

Kërkesat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia shkurtuan mandatin ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zenjullahu.

Këshilli Drejtues i UP-së më 21 tetor të vitit të kaluar e shkarkoi Zejnullahun i cili kishte qenë në qendër të kritikave për mos-zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta në UP.

Atë kohë u bënë edhe shumë protesta për këtë çështje.

Por, pasardhësi i tij që po e quan vetën “Lokomotivë të ndryshimeve në  UP”,  Marjan Dema, rektori i ri i Universitetit të Prishtinës po premtom haptas se fëmijët e dëshmorëve do të bëhen pjesë e UP-së pa ndonjë kriter.

Demaj në një intervistë të dhënë javën e kaluar për Gazetën Fjala u zotua se do bëj çmos që t`i pranojë fëmijët e dëshmorëve në Universitet.

“…do të bëjë çmos që mos t`i lë jashtë universitetit. Garantoj që nëse do ta kem hapësirën më të vogël do ti pranoj ata. Ajo kategori e meriton që të jetë pjesë e UP-së. Por të jemi të qartë  këta fëmijë nuk do të mund të hyjnë në ato fakultete ku është konkurrenca shumë e madhe. Fëmijët e dëshmorëve nuk do të mbesin jashtë UP-së”, është shprehur Dema.

Por deklaratat e tij, njohës të çështjeve arsimorë po i shohin vështirë të realizueshme. Madja ata thonë se një vendim të tillë nuk duhet të futet fare në UP.

Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, ka thënë për Gazetën Fjala se një vendim i tillë për t’i futur në UP, fëmijët e dëshmorëve nuk është i duhur.

Sipas Hysenit, fëmijët e dëshmorëve kanë nevojë për një arsim më cilësor e jo për privilegje.

“Kjo nuk është në interes as të fëmijëve të dëshmorëve e as të krijimit të një Universiteti me standarde evropiane. Por një vendim i tillë nëse merret nuk do të ishte aspak habitës sepse e dimë qe vet rektori vie nga politika, pikërisht nga dy partitë që janë në pushtet. UP duhet të jap cilësi e jo privilegje”, ka thënë Hyseni për Gazetën Fjala.

Të shqetësuar nga deklaratat e rektorit

Kurse, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), ka shfaqur shqetësim e tyre lidhur deklaratat e rektorit të Universitetit të Prishtinës se fëmijët e dëshmorëve do të mund të jenë pjesë e UP-së në fillim të vitit të ri akademik.

“Askush nuk do të mund të pranohet në Universitetin e Prishtinës pa i përmbushur kriteret për tu bërë pjesë e universitetit”, ka thënë për Gazetën Fjala kreu i KMLDNJ-së, Behxhet Shala.

Ai shpjegoi se në këtë mënyrë po u bëhet diskriminim kandidatëve të tjerë për tu bërë pjesë e Universitetit.

Kreu i KMLDNJ-së, bëri me dije se përkundër deklaratave të kreut të UP-së, Marjan Demaj se ai do t`i pranojë në UP, vetëm fëmijët e dëshmorëve e jo të kategorive të tjera, këto deklarata sipas tij do të hasin në presionin dhe përballë fëmijëve të tjerë nga tjerat kategori të dala nga lufta.

“Në derë të rektoratit mund të trokasin edhe fëmijët e kategorive të tjera të personave apo familjeve të dala nga lufta. Pra kjo mund të jetë e rrezikshme, pasi që shumëkush mund të kërkojë hise në UP në këso lloj rrethanash”, ka thënë Shala.

Vetëranët mirëpresin vendimin 

Por ka të tjerë që i gëzohen lajmit se rektori Demaj do të mund t’i pranoj me automatizëm fëmijët e dëshmorëve në Kosovë.

Smajl Elezaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës, e ka mirëpritur deklaratën e rektorit të UP-së Marjan Demaj.

“Rektori i tanishëm e ka shprehur vullnetin e tij, duke u bazuar në memorandumin e nënshkruar para shumë vitesh. Rektorët e kaluar kanë qenë të papërshtatshëm lidhur me këtë çështje”, ka thënë shkurt Elezaj për Gazetën Fjala.

Ndërkohë që çështja e zbatimit të memorandumit për pranim me automatizëm të fëmijëve për kategoritë e dala nga lufta ka qenë “mollë sherri” në mes të ish rektorit Ramadan Zajnullahu, OVL-UÇK-së, si dhe Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Ky i fundit në tetor të vitit të kaluar edhe e shkarkoi rektorin Zejnullahu për mos respektim të memorandumit./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rektori-i-ri-ul-standardet-e-up-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala