Raporti i regresit për Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

Vetëm dy herë përmendet fjala “progres i mirë” në gjithë raportin e Komisionit Evropian për Kosovën. E 23 here tjera thuhet se nuk është arritur “Asnjë progres” ndërsa 33 herë tjera thuhet se zhvillimet janë “në fazën fillestare”.

Ndërkaq, plotë 66 herë i është tërhequr vërejtja qeverisë së Kosovës nga KE për korrupsion. Ky del të jetë një nga shkaktarët kryesor përse më së shumti fjala “asnjë progres” i referohen sektorëve kyç të zhvillimit të shtetit.

“Nuk ka pasur progres në punësim, në politikat sociale dhe shëndetësore….” vlerësohet në raport, ku thuhet se me 35.3 për qind apo më lartë, papunësia vazhdon të jetë prej problemeve kryesore socio-ekonomike të vendit.

Është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vitin e ardhshëm ndër të tjerash t`i kushtojë vëmendje speciale trajtimit me prioritet të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, sidomos në prokurimin publik.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar pas prezantimit të këtij raportit tha se organet gjyqësore dhe zbatimi i ligjit mbeten të pritura për të pasur ndërhyrje politike.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidë kryesore dhe në këtë drejtim nevojiten përpjekje të mëdha për konfirmimin e bindjeve në raste të tilla, përfshirë këtu edhe ato në nivelin e lartë”, tha Zbogar.

Reduktimi i ndikimit të qeverisë në biznese është njëra nga kërkesat më të mëdha që në raport i kërkohen vendit.

Përveç kësaj institucioneve të vendit u kërkohet forcimi i bashkëpunimit në mes të policisë dhe prokurorisë nëpërmjet ekipeve të përbashkëta hetimore në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

E vetmja e arritur në këtë fushë deri më tani përmendet bashkëpunimi i përmirësuar në mes të agjencisë kundër korrupsionit dhe prokurorisë, dhe në kërkesën për zyrtarët që të deklarojnë pasurinë dhe dhuratat.

Sipas raportit, ekonomia e Kosovës është përballur me shumë “asnjë Progres” dhe pjesa dërmuese e sektorëve kyç të zhvillimit ekonomik janë në fazën fillestare apo nuk ka fare përmirësim krahasuar me vitet paraprake.

Në pjesën e “Punësimi dhe politikat sociale, politikat e shëndetësisë publike”, në raport thuhet se Kosova është në fazën fillestare të përgatitjes në këtë fushë.

“4.4 për qind e GDP të vitit 2014 dhe 4.6 për 2015 të shpenzimeve publike për arsim kanë shkuar në paga dhe për rritjen e tyre. Rekomandohet që financimi në këtë sektor të kanalizohet në aspektet e tjera të reformave të arsimit”.

Thuhet se progres është bërë në futjen e shërbimeve elektronike duke përfshirë kthimin e taksave online, vërtetimeve dhe sistemeve të pagesave dhe qendrave për regjistrimin e bizneseve (one stop shop), mirëpo progres vlerësohet se nuk ka pasur në modernizimin e platformës së brendshme të IT-së dhe procedurave të saj.

Kosova nuk është gati për konkurrencë

KE rekomandon që për të përmirësuar ekonominë funksionale të tregut duhet që të ketë siguri të qëndrueshme fiskale, të përshpejtohet privatizimi dhe ristrukturimi i ndërmarrjeve publike, dhe të përmirësohet falimentimi dhe procedurat e saj.

Gjithashtu vlerësohet se në konkurrencën vendore nuk ka pasur ndonjë progres dhe rekomandimet janë që sa më shpejtë të funksionalizohet Komisioni i Konkurrencës dhe të rinis punën sa më shpejtë që është e mundur.

Ndërkaq, konkurrenca me tregjet e Unionit Evropian gjithashtu është njëra prej pikave në të cilën nuk është arritur asnjë progres.

Raporti thotë se Kosova është në fazën e hershme të arritjes së kapacitetit për t`i bërë ballë presionit të konkurrencës dhe forcave të tregut në Union.

“Asnjë progres nuk është arritur në përmirësimin e kualitetit të edukimit, e cila është pikë kyçe për përmirësimin e rritjes dhe konkurrencës afatgjate”.

Ndër rekomandimet e dhëna thuhet se për përmirësimin e konkurrencës me BE Kosova në vitet e ardhshme duhet t`i kushtojë rëndësi  sigurimit stabil të furnizimit me energji elektrike dhe reduktimit të humbjes në shpërndarje; – mbylljen e boshllëkut të aftësive në tregun e punës; – kanalizimi i investimeve të huaja direkte dhe i remitencave në sektorët e prodhimit.

Ndër rekomandimet është që në vitet në vazhdim, Kosova duhet në përgjithësi të zbatoj strategjinë 2014-2020 të sektorit të punësimit, të monitorojë rezultatet dhe të sigurohet se agjencia e re e punësimit të bëhet funksionale.

“Të zbatojë ligjin në punë dhe legjislacionin në shëndet dhe siguri në punë.  Zbatimin e legjislacionit të inspektimit dhe të sigurojë inspektoratin e punës me burime të përshtatshme për ta përmbushur mandatin”, thuhet në raport. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/raporti-i-regresit-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala