Raporti i Forenzikës: Në veturën e Llukës nuk u gjet eksploziv (Dokument)

Autori:Gazeta Fjala

Agjensioni Kosovar i Forenzikes ka dhënë vlerësimin e saj rreth rastit të djegies së veturës së Valon Llukës, bashkëpunëtorit të Behgjet Pacollit, që kishte ndodhur në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Vetura e tipit “Audi A8” kishte qenë e parkuar para shtëpisë së Llukës në Gjakovë kur ishte përfshirë nga zjarri.

Drejtoria rajonale e policisë një ditë pas rastit kishte kërkuar nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë që të bëjë ekzaminimin e veturës për të gjetur shkaqet që e shkaktuan këtë zjarrë.

Gazeta Fjala ka siguruar raportin e forenzikës, që mbanë datën 30 nëntor në të cilin është konstatuar se nuk ka pasur asnjë mjet shpërthyes në këtë veturë.

“Ekzaminimi i materialit në gjendje të ngritur nga dëshmia #1 ka treguar se nuk ka prani të eksplozivëve: TNT. RDX, HMX, TETRYL, NG dhe PETN”, shkruan në përgjigje e forenzikës.

Ky raport më 22 shkurt të këtij viti i është dërguar edhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Zëdhënësi i policisë në rajonin e Gjakovës, Krist Gjoka e konfirmoi për Gazetën Fjala se hetimet janë duke vazhduar.

“Deri tani nuk kemi vendim përfundimtarë për këtë rast por në bazë të ekspertizës dihet se zjarri ka qenë përbrenda por nuk dihet saktë se çfarë ka qenë, a ka qenë eksploziv apo vetëm djegie”, tha Gjoka.

valonpacolli

Lidhja e Llukës me AKR-në

Biznesmeni Valon Lluka është djali i Masar Llukës, asamblist i AKR’së në Komunën e Gjakovës dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Begjet Pacollit.

Ata së bashku kanë të hapura disa fabrika në Kosovë.

Djegia e veturës në muajin nëntor nuk kishte qenë rasti i parë me të cilin është përballur Valon Lluka.

Në muajin qershor të vitit të kaluar ishte gjetur një granatë dore te shtëpia e prindërve të tij në Gjakovë, në vendin e njëjtë ku u djeg edhe vetura, shkruan Gazeta Fjala.

Menjëherë pas djegies së veturës biznesmeni Valon Lluka pati thënë se nuk i di arsyet se pse i është djegur vetura por se ai s’i ka borxh askujt dhe nuk i di motivet se po sulmohet për herë të dytë në shtëpi.

Ai pati deklaruar për media se nuk ka ndonjë rezultat nga hetimet as për rastin e parë kur i ishte hedhur një bombë në oborr të shtëpisë në Gjakovë.

“Nuk e di pse. Jeton në Prishtinë. Vikendeve vij në Gjakovë. S’po di. Patën ndodh edhe më herët. E patën qit edhe në oborrin. Kjo është hera e dytë”, ka thënë Lluka, për media.

Për rastin pati reaguar edhe e para e Gjakovës Mimoza Kusari Lila e cila pati thënë se frikacakët dhe njerëzit e ligë, do të vazhdojnë të identifikoheni me shkatërrimin, krimin dhe errësirën.

“Burrnia e hienave të natës të cilët identifikohen me sulme prapa shpine, me hedhje të fshehta të bombave, me kërcënime kriminale dhe djegie të makinave zgjat deri te momenti kur shteti vendos seriozisht të merret me ta apo vetëm kur një polic me fletë arrest do të ju troket në derë apo në lokal ku i ziejnë idetë kriminale”, ka shkruar Kusari-Lila. /Gazeta Fjala/

raport1-w raport2-w raport 3- w raport 4-w raport 5-w

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/raporti-i-forenzikes-ne-veturen-e-llukes-nuk-u-gjet-eksploziv-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala