Ramë Buja me shokë përvetësuan pasuritë e Ministrisë së Arsimit

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka përvetësuar pasuritë e ministrisë që drejtoi. Madje, ai me anë të një vendimi ua ka mundësuar këtë edhe krejt kabinetit  të vet që e kishte sa udhëhoqi arsimin. “Para se të largohej nga ministria, ish ministri ka lëshuar një vendim me anë të te cilit asetet e ministrisë jashtëligjshëm barteshin tek personat privat që nuk do të ishin më pjesë e ministrisë”, thanë burime të Gazetës Fjala brenda ministrisë.

Pasuritë e blera për kabinetin nga Buxheti i Shtetit ishin në vlera të majme për rrethanat kosovare.

“Kabineti i ministrit ishte i furnizuar mirë me lap topë të shtrenjtë dhe me telefona të fjalës së fundit të teknologjisë. Ato asete nuk i janë kthyer ministrisë”, thanë burimet për Gazetën Fjala brenda ministrisë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka zgjedhur heshtjen. Kjo ministri nuk i është përgjigjur Gazetës Fjala zyrtarisht për të konfirmuar ose mohuar këtë informatë.

Gazeta është munduar të kontaktojë edhe më ish ministrin, por ka qenë e pamundur.

Në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil nuk lejohet as shfrytëzimi i pasurive publie për qëllime personale.

“Nëpunësit civilë nuk lejohet të shfrytëzojnë pronën publike si mjet ose pasuri për zhvillimin e veprimtarisë personale ekonomike ose të aktiviteteve të paligjshme”, thotë neni 60 I këtij ligji.

E kabineti i një ministri nuk janë as shërbyes civilë, dmth janë edhe një shkallë më larg janë të përkohshëm në pozitat ku janë.

Qeveria e Kosovës ka lëshuar edhe një Urdhëresë Administrative që i obligon të gjithë individët që shkëpusin marrëdhënien e punës me ndonjë institucion të vendit që të dorëzojnë të gjitha pajisjet, madje edhe ID-në. Kjo është praktikë e njohur edhe ndërkombëtarisht.

Në këtë situatë, qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka kërkuar që të mos blihen mallra të luksit, ku përfshihen lap topët e telefonat e fjalës së fundit.

Por, kjo kërkesë nuk po përfillet thuajse nga asnjë ministër. Madje, po injorohet edhe nga ministrat që vijnë nga partia e tij, LDK.

I fundit është Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ai që ka urdhëruar blerjen e telefonave të shtrenjtë këtë javë. Nuk kanë  mbetur prapa me kërkesa të tilla as ministrat tjerë. Shumë nga ta, në bazë të praktikave të deritashme, i marrin ato pajisje me veti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/rame-buja-me-shoke-pervetesuan-pasurite-e-ministrise-se-arsimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala