Radhën e ka Ujmani dhe Trepça

Autori:Zekirja Shabani

Trepça dhe liqeni i Ujmanit janë pasuritë e radhës për të cilat Kosova dhe Serbia pritet të gjejnë zgjidhje mes vete.

Pala kosovare këmbëngul se ato nuk do të jenë në tryezë të diskutimeve, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bisedime këto të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa kryeministri serb, Aleksander Vuciq, ka bërë të ditur se janë në gjendje të heqin dorë edhe nga anëtarësimi në BE, për Ujmanin.

Ky liqe ndodhet në territorin e Zubin Potokut, në kufirin midis Kosovës e Serbisë. Ai është ngritur në vitet e ’70-ta me mjete të Kosovës, nga i cili vihet në veprim hidrocentrali i Ujmanit, që prodhon 30 megavat energji elektrike.

Njohësit e ekonomisë në vend thonë se ai është potencial i rëndësishëm energjetik i vendit.

Ndërkaq, Serbia në përpjekjet e saj për të ndarë veriun e Kosovës edhe sipas deklaratave të përfaqësuesve të opozitës kosovare, përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, synon të rrëmbejë këtë resurs ekonomik tejet të rëndësishëm për Kosovën.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë për Gazetën Fjala se çështja e liqenit të Ujmanit nuk është biseduar në Bruksel dhe as do të bisedohet ndonjëherë.

“Jo veç për liqenin e Ujmanit por as për pasuritë e tjera të Kosovës siç është edhe Trepca nuk do të diskutohet me askënd”, ka thënë Gecaj.

Sipas tij, i mbetet palës serbe të sqaroj për deklaratat rreth negociatave të mundshme për këtë pasuri por kjo çështje nuk do të diskutohet në Bruksel, thotë ia.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u pati thënë minatorëve, në javën e minatorëve në Mitrovicë se as kombinati metalurgjik Trepça nuk do të jetë subjekt i negociatave.

“Trepça është e Kosovës, mineraret janë të Kosovës dhe kjo është pronë e Kosovës, ndërsa ne me askënd nuk do të ulemi në tavolinë të bisedojmë për Trepçën. Për Trepçën do të bisedojmë vetëm me ju, minatorë të Trepçës”, pati thënë kryeministri Mustafa.

Por, sqarimi i pronësisë së pasurive në veri të Kosovës janë kushte të Bashkimit Evropian për Serbinë drejt integrimit.

Megjithatë, edhe nëse autoritetet e BE-së i thonë “jo” hapjes së kapitujve të negociatave të Serbisë me BE-në për shkak të Ujmanit, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kohë më parë ka deklaruar se nuk do ta pranojë.

Ai këmbëngulë se Ujmani dhe Trepça duhet të shtrohen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Temën e pronësisë së Trepçës në Bruksel nuk e kemi hapur ende dhe kërkojmë që të bisedojmë tash dhe jo që pasuria së pari të na merret brenda natës e pastaj të na thonë ejani të bisedojmë, sepse i keni edhe dy miniera të vogla në veri”, ka thënë Vuçiq. Sipas tij, përveç Trepçës, qeveria e Serbisë pret të bisedojë me Prishtinën edhe për kompleksin turistik Brezovica, liqenin e Gazivodës dhe pasuri tjera të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur me 25 korrik të merren vesh, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke nënshkruar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me popullatë shumicë serbe, për telekomunikimin, për energjetikën dhe për të ashtuquajturin “Park i paqes”./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/radhen-e-ka-ujmani-dhe-trepca/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala