Qytetarët përtojnë të mbledhin kuponë për 20 euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Qytetarët po përtojnë të mbledhin kuponë fiskal për të fituar maksimumi 20 euro shpërblim. Më shumë, thonë se, po u kushton grumbullimi, futja në zarfe e pritja në radhë për ti dorëzuar se vlera e parave që marrin.

“A maltretohet njeri për 10 euro”, thotë me shaka Ibushi nga Prishtina, duke vlerësuar të komplikuar procedurat e Administratës Tatimore për të nxitur qytetarët që të kërkojnë kupon fiskal gjatë blerjeve.

Kjo edhe duket të jetë arsyeja që një numër simbolik i është përgjigjur ftesës së Ministrisë së Financave që ti ruajnë kuponët fiskalë dhe ti dorëzojnë në ATK për rimbursim.

Që kurë vendimi ka hyrë në fuqi, nga afro 2 milionë banorë sa ka Kosova vetëm 22 mijë e 200 qytetarë janë përfitues nga grumbullimi i kuponëve fiskal.

Prej tyre, 8 mijë e 970 qytetarë do të kompensohen me nga 20 euro ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë nga Prishtina.

“Numri me i madh e përfituesve i përkasin grupit te III-të,  8 mijë e 970 qytetarë  ose 40.05 për qind  do rimburesohen me nga 20 euro , ndërsa nga 10 euro do ju kthehen 7 mijë e 260 qytetarëve ose 32.4 për qind  dhe  5 mijë 970 qytetarë ose 26.66 për qind nga mbledhja e kuponëve do i përfitojnë nga 15 euro”, ka thënë zyrtar të ATK-së për Gazetën Fjala.

Vlera e totale e këtij rimbursimi do ti kushtoj ATK-së 341 mijë e 550 euro.

Edhe Flora Kraniqi, ka treguar se ka qenë një procedurë e vështirë mbledhja e kuponëve fiskal, ndërkohë shpërblimi, thotë se është tepër i ultë.

“…kam bërë mbledhjen e kuponëve fiskal edhe pse ka qenë një procedurë e vështirë, tërë kohën është dashur ta kërkoj kuponin fiskal nga marketet nga dyqanet ku jam furnizuar. Por, rimbursimi është një shumë i vogël për konsumatorët”, thotë ajo derisa tregon se në të ardhmen dyshon se mund të mbledh kuponë të tillë, nëse ATK-ja nuk do ta rris shumën e rimbursimit.

Rmibursimi i vogël krahas vendeve të rajonit

Selatin Kaqaniku, drejtor i shoqatës  “Konsumatori|, ka thënë se ky Udhëzim Administrativ nuk është i mjaftueshëm, pasi që, sipas tij, sistemi fiskal në Kosovë ka shumë probleme.

“Ne gjithmonë si Shoqatë e kemi kërkuar këtë Udhëzim Administrativ se do të sjellë përmirësimin e kulturave fiskale në Kosovë. Mirëpo, ky është një segment, i cili nuk është i mjaftueshëm në një tërësi të sistemit fiskal ku ka shumë probleme. Shumë ligje nuk respektohen, sistemi i drejtësisë nuk është efikas, si dhe mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut” ka thënë ai.

Sipas tij, shuma e kthimit të kuponit fiskal është shumë e vogël dhe joproporcionale me kontributin e konsumatorit tatimpagues.

“Ne nuk kemi bërë një krahasim se qysh  aplikohet kjo në vendet e rajonit, por ne si Shoqatë mendojmë se është një shumë e vogël dhe joproporcionale me kontributin e konsumatorëve taksapagues. Madje, edhe modeli si praktikohet është shumë i ngadaltë” ka thënë ai.

Në prill të këtij viti, në Kosovë hyri në fuqi udhëzimi administrativ, i cili parashihte që për të gjithë konsumatorët, të cilët dëshmojnë marrjen e kuponëve fiskal dhe i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, do të përfitojnë para.

Kjo u bë me shumë  për qëllim të fiskalizimit  të bizneseve në Kosovë, proces ky që ka filluar që disa vite por ka ngecur,ku sipas të dhënave zyrtare të vitit të kaluar, mbi 130 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ATK-ja ka fiskalizuar mbi 20 mijë biznese me afër 26 mijë pajisje të instaluara në këto biznese.

800 euro blerje 20 euro përfitim

Qytetarët të cilët mbledhin më shumë se 30 kuponë fiskalë me vlerë prej 250 e deri në 500 euro do të rimbursohen në vlerën 10 euro, ndërsa nëse qytetarët mbledhin më shumë se 40 kuponë me vlerë deri 501 deri në 800 euro do të rimbursohen në vlerën 15 euro dhe me më shumë se 50 kuponë me vlerë mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 euro./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qytetaret-pertojne-te-mbledhin-kupone-per-20-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala