Qytetarët detyrohen të blejnë naftë të keqe

Autori:Zekirja Shabani

“Jemi të detyruar të durojmë”, thotë me gjysmë zëri, Selatin Kaçaniku. Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit ka humbur shpresat se dikush mund ti marr seriozisht dhe ti trajtoj ankesat e qytetarëve për mashtrim nga kompanitë e derivateve në vend.

“Konsumatorët nuk kanë ku të drejtohen sepse nuk ka mekanizma qe i mbronë dhe jemi të detyruar të durojmë”, thekson ai.

Institucionet përgjegjëse, Kaçaniku thotë se i hedhin fajin njëra tjetrës sa për të zvarritur procesin dhe për të mos marrë përgjegjësi për dëmet që u bëhen qytetarëve dhe konstatimet që nxjerrin në fund sipas tij janë shumë të dyshimta.

Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për Gazetën Fjala edhe vetë kreu i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani duke dhënë alarmin për cilësinë e dobët të karburanteve në treg dhe mungesën e kontrollit të mirëfilltë nga inspektorati.

Për këtë arsye vetëm gjatë vitit 2015 pas testimeve të bëra nga inspektorët e MTI-së 13 raste janë proceduar për gjykatë, pasi kanë rezultuar se nuk i plotësojnë standardet e lejuara për shitjen e naftës në Kosovë ndërsa më shumë se gjysma e pikave të shitjes së karburanteve janë gjetur pa licenca valide.

“Sa i përket kontrollit të cilësisë është shqetësuese se cilësia kontrollohet vetëm 1 për qind”, thotë Berjani.

Sipas tij, mungon kontrolli i shtetit mbi kompanitë e derivateve në vend dhe ato nuk po i respektojnë licencat që kanë. Kështu edhe dyshimet e ngritura së fundmi për vjedhjen në litra sipas tij lë të kuptohet se janë të vërteta.

“Derisa mungon edhe kontrolli atëherë me të drejtë qytetarët ankohen. Ka diqka në këtë mes dhe ankesat e qytetarëve janë të arsyeshme”, thotë Berjani për Gazetën Fjala.

Ai akuzon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë se nuk po ushtron kontrollin e cilësisë dhe të sasisë përmes mekanizmave që ka, ndërkaq dyshon se nafta importohet e përzier në Kosovë.

Por, me këto konstatime nuk po pajtohet e para e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

“Nuk pajtohem me konstatimin se cilësia e derivateve të naftës është e dobët, në nivel vendi. Një deklarim i tillë kërkon dëshmi, dhe nëse keni ju lutem na i dërgoni dhe Inspektorati i MTI-së do të marr të gjitha veprimet ligjore për verifikimin e cilësisë dhe nëse konstatohen këto pohime, do të procedojë rastet tek organet kompetente”, ka thënë Bajrami për Gazetën Fjala ditë më parë.

Sipas saj, bazuar në rezultatet e analizave laboratorike të mostrave në pikat e shitjes me pakicë dhe shumicë dhe në pikat doganore, por edhe në vlerësimet e konformitetit nga trupat e autorizuara në pikat doganore, shumica e rezultateve del të jetë konforme.

Ndërkaq, rastet që janë gjetur me jokonformitete janë proceduar në gjykatë.

Në Kosovë janë rreth 40 importues ekonomik të licencuar që merren vetëm me importimin e produkteve të dizelit dhe benzinës të cilët kryesisht furnizohen nga vendet e rajonit duke përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Greqinë e Bullgarinë.

Ato dyshohet se në mungesë të kontrollit të mirëfilltë, importojnë naftë të përzier kundër standardeve të lejuara në treg.

Këtë e ka pohuar edhe kreu i naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

“Deri sa nuk ka kontroll të cilësisë me rastin e importit. Nuk dua të mendoj se nafta përzihet në brendi, ajo është një enigmë për të cilën përgjegjësit e MTI-së do të duhet të përgjigjen”, ka thënë ai.

Dallimin në cilësi më së miri, sipas tij mund ta vërejnë bashkë atdhetarët, të cilët janë dëshmitarë të asaj se çfarë cilësie e naftës është në treg, se sa qytetarët tanë që vazhdimisht furnizohen në Kosovë./Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qytetaret-detyrohen-te-blejne-nafte-te-keqe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala