Qumështarët përsëri në rrugë

Autori:Avdyl Pajaziti

Prodhuesit e qumështit në Kosovës assesi nuk po bëhen rehat. Ata dhe këtë vit kanë vendosur të dalin në rrugë. Derisa, thonë se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga protestat.

Një veprim të tillë do ta bëjnë edhe gjatë ditës së hënë.

Por, kësaj radhe nuk do të derdhin qumësht në rrugë por do ti bllokojnë ato për qarkullim, me traktorë, mjete bujqësore dhe kafshë.

Këtë protestë ata do ta bëjnë në shenjë pakënaqësie ndaj mosrealizimit të kërkesave të tyre, dhe situatës së rendë që po e kalojnë.

Naser Bajraktari, kryetari i shoqatës së prodhuesve të qumështit, ka thënë se në të gjitha problemet e këtij sektori i pari që e pëson është fermeri. Ai shprehet i pakënaqur  për situatën e këtij sektori,

“Falimentimi i fermave dhe reduktimi i punëtorëve është një fenomen që po ndodh çdo ditë brenda këtij sektori”, thotë ai.

Kurse,  kryetari i përpunuesve të qumështit, Ramadan Memaj, shpreh shumë i shqetësuar edhe për importin që po bëhet në Kosovë, sepse sipas tij importi në të shumtën e rasteve bëhet edhe në mënyrë ilegale dhe hynë në treg me çmim shumë të lirë, gjë e cila po e vështirëson punën e fermerëve dhe nuk po lenë hapësirë në treg për prodhuesit vendor.

“Në çoftë se nuk bëhet një zgjidhje e këtij problemi, gjë që rrezikon edhe humbjen e 40 mijë vendeve të punës”, ka thënë Memaj.

Ministria e Bujqësisë premton mbështetje

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ditë më parë u ka premtuar mbështete. Krasniqi në një takim me drejtuesit e shoqatës së qumështarëve ka thënë se kjo ministri është duke e rritur buxhetin për këtë sektor.

Ministri Krasniqi i inkurajoji ata që të japin rekomandimet e tyre në Qeveri dhe në veçanti në MBPZHR. Ai tha se si ministër do të angazhohet që këto kërkesa dhe shqetësime të adresohen dhe diskutohen për të parë mundësinë e përfshirjes se tyre.

Rekomandimet e deputetit, Ramiz Kelmendi

  1. Prodhuesit e qumështit dhe përpunuesit duhet të organizojnë takim pune me organet kompetente të ministrive përkatëse, të ekonomisë dhe tregtisë dhe të dëgjohen me kujdes të gjitha kërkesat e tyre.
  2. Të analizohen subvencionimet e shteteve të cilat janë pjesëmarrëse në tregun e Kosovës dhe të sinkronizohen subvencionimet tona me këto, në mënyrë që të kemi konkurrencë të mirëfilltë.
  3. Të mundësohet marketing televiziv në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), si subvencion për një kohë të caktuar, në mënyrë që të kemi një informim nëpërmjet emisioneve dhe reklamave mbi prodhimtarinë dhe produktet që nxjerrin këta prodhues vendorë, me çka do të përfitonim në ndërtimin e cilësisë vizuale.
  4.  Të gjenden forma të kreditimit të butë (apo granteve) për të financuar teknologjitë e avancuara duke iu përgjigjur sfidave të konkurrencës aktuale dhe asaj të ardhshme.

Kosovarët konsumojnë 400 mijë litra qumësht në ditë

Sektori i qumështit në Kosovë, që përfshinë: prodhuesit, përpunuesit dhe fermerët punëson rreth 40.000 persona, apo rreth 20 % të numrit të përgjithshëm të te punësuarve ne vendin tone, në sektorin privat.

Ndërsa në aspektin e aseteve ky sektor nënkupton 500 milionë euro investime direkte, apo 30 % të investimeve direkte që janë bërë në Kosovë.

Kompanitë përpunuese të qumështit grumbullojnë rreth 170.000 litra qumësht në ditë, që në vlerë monetare mund të përkthehet në shumën prej 18 milionë euro pagesa direkte për fermerët në vite, ose në total 300 milionë euro deri me tani.

Konsumi i qumështit për kokë banori në Kosovë llogaritet që është 150 litra në vit dhe nëse llogaritet me sasinë që importohet rezulton se kosovaret nuk përdorin qumësht tjetër pos atij pluhur.

Kurse, brenda një ditë llogaritet që kosovarët konsumojnë rreth 400 mijë litra qumësht. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qumeshtaret-perseri-ne-rruge/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala