QKUK e MSh përplasje për Listën Esenciale

Institucionet publike shëndetësore prej pasluftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale dedikuar furnizimit me barna. Problemet në fushën e farmaceutikës në Kosovë llogariten të jenë të mëdha. Mungesa e barnave në Qendrat Klinike Spitalore, por edhe në barnatoret e shtetit janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.
Kështu kohë më parë një qytetarë nga Prishtina (emri i njohur për redaksinë), pacient në Klinikën e Syve në QKUK ka hequr ‘të zitë u ullirit”, në kërkim të një skalperi i cili i kërkohej nga doktorët e kësaj klinike për ta futur atë në operim. Mjet ky i cili do duhet të gjendej në këtë Klinikë.
Familjarët e pacientit kanë thënë për Gazetën Fjala se kanë kontrolluar të gjitha barnatoret në kryeqytet dhe vetëm në njërën prej tyre e cila gjendej brenda hapësirave të oborrit të QKUK-së, gjendej ky mjet i cili ishte i detyrueshëm për tu future në operim.
“Kërkuam në të gjithë Prishtinë, dhe vetëm në një barnatore që ishte brenda QKUK-së, arritëm që ta siguronim atë”, kanë thënë familjarët e pacientit në fjalë.
Gazeta Fjala posedon recetën e barnave të cilin doktorët e Klinikës së Syve i kishin kërkuar pacientit që t’i blejë ato. Është një listë me plot 15 barna të cilat pacienti në fjalë duhet t’i sigurojë që të mund të futet në operacion. Njëra nga to ka çmimin prej 60 eurove. E në recept ka edhe barna që i përkasin listës esenciale të barnave, por e njëjta nuk ndodhet në këtë klinikë.
“Nga këto barna që të gjitha u detyruam t’i blejmë vet, njëra kushtonte 60 euro, ’Skalpel 2.8 mm 30’, veç në ni klinikë në QKUK kishte të tilla”, ka thënë familjari i pacientit.
Ndërkohë që Qendra Klinike Spitalore e Kosovës, thotë se pacientët duhet t’i blejnë këto barna ngase të njëjtat nuk ndodhet në listën e Esenciale të barnave në QKUK, dhe se për të njëjtat nuk ka planifikim
“ Për material medicinal-shpenzues, i cili gjendet jashtë Listës Esenciale, kërkesa për sigurimin e tyre, duhet të bëhet nga klinika apo reparti përkatës, pra në rastin konkret nga Klinika e Syve. Rrjedhimisht nuk ka Planifikim për to dhe nuk kemi të drejtë që të procedojmë kërkesë për blerje. Suture Nylon 10/0 7mm Premium spatulae 3/8 30cm, me dy gjilpëra, edhe pse është në LE, nuk është i përshtatshëm për klinikën në fjalë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
QKUK ankohet për Listën Esenciale
Mangësi të shumta e shoqërojnë listën e Branave Eesenciale në QKUK. Kjo e fundit gjatë vitit 2015 ka bërë rekomandime në Ministrinë e Shëndetësisë për ndryshimin e kësaj liste. Sipas QKUK-së, LE duhet të revidohet në tërësi për plotësim. Madje sipas zyrtarëve të QKUK-së edhe vet drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Curr Gjocaj, ka bërë shkresë në MSH për ndryshim/plotësim të Listës Esenciale.
“Ne si QKUK, kemi kërkuar disa herë ndryshim/ plotësim në Listën Esenciale aktuale. Të njëjtat i janë dërguar edhe Ministrisë së Shëndetësisë, por ende nuk ka ndonjë lëvizje apo iniciativë e ndërmarre në atë drejtim”, kanë thënë për Gazetën Fjala zyrtarët për informim në QKUK.
MSH: Gjatë këtij viti do të krijohet lista e re e barnave
Ndërkaq të gjitha këto halle t qytetarëve por edhe të QKUK-së po përpiqet që ti zgjedhë Ministria e Shëndetësie. Kjo e fundit ka thënë për Gazetën Fjala se gjatë këtij vitit do të krijohet lista e re e barnave.
“Kur është hartuar lista, është marra parasysh Lista e mëhershme esenciale, kërkesat e institucioneve për barna dhe material shpenzues, nevojat e tyre, Lista Esenciale e OBSH-së dhe, duke marrë parasysh të gjithë këta faktor, është krijuar Lista Esenciale Vitale, Esenciale dhe Non-Esenciale e njohur si Lista VEN , ku produktet mjekësore në kuadër të Listës Esenciale janë kategorizuar në vitale, esenciale dhe jo-esenciale”, ka thënë Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në MSH. Hoti ka thënë se në listës e re të barnave Esenciale do të futen në qarkullim edhe terapi të reja për sëmundje të ndryshëm.
“MSh, planifikon që gjatë këtij viti, të krijohet lista e re e barnave, sipas kërkesave të institucioneve, nevojave të tyre, disponueshmërisë financiare dhe zhvillimeve të reja në fushën e farmacisë e mjekësisë, me që në ndërkohë, në Kosova janë regjistruar produkte të reja farmaceutike si dhe është e kuptueshme që në mjekësi, në kuadër të protokolleve të reja të mjekimit, në qarkullim futen terapi të reja për sëmundje të ndryshme”, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, institucionet publike shëndetësore prej pasluftës nuk kanë arritur asnjëherë ta përmbushin listën esenciale me barna 100 për qind, për shkak të buxhetit të ulët që ka pasur prej vitesh Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna./GazetaFjala/