Qeveria Thaçi III

Autori:Avdyl Pajaziti

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi tashmë kanë harruar premtimet për 200 mijë vende të reja pune, eventualisht 120 mijë. Në pjesën ekonomike të Programit të Qeverisë që e posedon Gazeta Fjala nuk ceket askund se sa vende të reja pune do të hapen.
Projektet janë të njëjtat me ato të Qeverive Thaçi I dhe II duke bërë që qeverisja Mustafa të paraqesë vazhdimësi të plotë të qeverisjes Thaçi.
Nuk ka ndryshuar asgjë në sektorët kyç si infrastruktura, energjetika, tekekomunikaconi, turizmi dhe bujqësia.

Shpresa e kosovarëve për punësim është në Termocentralin Kosova e Re, Hidrocentralin e Zhurit, Brezovicë, autostradën Prishtinë- Han i Elezit apo nga të shesin kompjuterë të përdorur nga Gjermania.
Sa i përket turizmit, i vetmi projekt ku ceket se do të krijohen 3 mijë vende të reja pune është ai i Brezovicës, i nisur në qeverisjen e kaluar. Nuk ceket asgjë tjetër konkrete rreth turizmit, pos fjalëve se do të promovohet dhe është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Qeveria do të krijojë vende punë më së shumti për promoterë edhe në sektorët tjera.
Sa i përket energjisë, disa qindra vende pune mund të krijohen nga termocentrali Kosova e Re dhe qindra të tjerë nga projektet e energjia e renovueshme, përfshirë Hidrocentralin e Zhurit, nëse ato projekte realizohen. Ceket ndërtimi i një gazësjellësi, por nuk shënohet asgjë konkrete. Nuk ka projekte tjera, e as synim të qeverisë sa vende pune do të krijohen për reformat që do të ndërmarrë.

Sa i përket telekomunikacionit nuk ka asgjë konkrete. Aty thuhet se pas dështimit të shitjes së 75 për qind të aksioneve të Valës do të rishikohet strategjia. Do të ndryshohet kodi telefonik, ku qeveria i referohet marrjes së vendimeve përkatësie nga një institucion që më as nuk ekziston, ART!

Sa i përket transportit, edhe këtu projektet kryesore që do të vazhdojnë janë ato të Hashim Thaçit, si autostrada Prishtinë- Han i Elezit, dhe zgjerimi i rrugëve Prishtinë- Mitrovicë dhe Prishtinë-Pejë.
“Do të fillojë projekti i rrugës që lidh Prishtinën me Podujevën, si dhe projekti i rrugës Prishtinë-Gjilan-pikë kufitare për Bujanovc”, thuhet në program. Por, dihet botërisht se këto vende janë të lidhura edhe aktualisht me rrugë të asfaltuar.

Fokus i qeverisë është Teknologjia Informative. ”Për zhvillim sa më të qëndrueshëm dhe duke synuar krijimin e një shoqërie dhe ekonomie të bazuar në dije, Qeveria e Kosovës do të krijojë fond të veçantë për zhvillim të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese”, thuhet në program. Nuk ceket sa do të jetë ai fond në vit apo në total, apo sa vende pune synohet të krijohen.

Sa i përket bujqësisë, qeveria synon të rris fondin për bujqësi, por nuk ceket sa. Risi është pagesa e kamatës për kreditë që merren, por aty është saktësuar se nuk do të jetë për të gjithë sektorët. E mirë për bujqësinë është edhe lirimi nga taksat doganore për imputet bujqësore. Qeveria ka menduar në mbështetje të bujqësisë edhe financimin e bosëve që blenë qindra hektarë tokë me disa centë arin. “Do të krijohen stimuj që të nxitet punimi i tokave të pashfrytëzuara, sidomos atyre që janë privatizuar”, thuhet në pjesën për bujqësinë.

Në pjesët tjera të programit ceket ndryshimi i politikës fiskale, ku do të bëhet ulja e pragut të TVSH-së nga 50 mijë ne 20 mijë euro. Sa i përket TVSH-së, ajo edhe do të përshkallëzohet dhe për mallrat si buka, qumështi, vaji, uji do të ulet norma, ndërsa për produktet primare bujqësore do të mbahet në zero.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qeveria-thaci-iii/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala