Qeveria nuk i pagoi pronat e shpronësuara

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës nuk ka paguar asnjë cent ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shpronësimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Ky agjencion ka shtatë vite që nga shteti nuk ka pranuar asnjë pagese. Në raportin e punës së AKP-së për vitin 2015 dhe plani për këtë viti thuhet se do t`i drejtojnë qeverisë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.

“Që prej themelimit të AKP-së në vitin 2008, Qeveria ende nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, deri më 10 Shtator 2015 [kur është marrë vendimi i fundit]”.

“Për asnjë NSH nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa u paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave poashtu pritet të paguhet 20%-i për punëtorët e NSH-ve”, shkruan në këtë raport.

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi tha se ky agjencion ka të dhëna për shpronësimin e rreth 550 pronave deri me tani nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“AKP do t’i trajtoj këto çështje me Qeverinë”, tha ai.

Gazeta Fjala ka kërkuar të dijë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinorë pse nuk janë paguar këto mjete dhe sa është shumë e përgjithshme për të gjitha shpronësimet mirëpo, ende nuk ka marrë përgjigje.

Vendimi i parë i bordit të ri

Agjencioni Kosovarë i Privatizimit ka vepruar për gati dy vjet pa bord. Ai arriti të kompletohet tek në seancën e 17 dhjetorit kur edhe u votuan tetë anëtarët e bordit të ri.

Pavarësisht kritikave për emërime politike dhe numri i anëtarëve që sipas ligjit në fuqi do të duhej që 5 anëtarë të emëroheshin nga qeveria kurse 3 nga faktori ndërkombëtarë, në kuvend u votuan Petrit Gashi kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismail Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Djokic, Bajram Zejnullahu.

Gazeta Fjala pati raportuar se si ky bord pavarësisht se dihej se do të jetë jo funksional dhe vendimet që do të marrë do të jenë të jashtëligjshme, patjetër është dashur që ata të emërohen. http://gazetafjala.com/analiza/misioni-multimilionesh-i-bordeve-politike/

Vendimi i parë i këtij bordi është nxjerr në mbledhjen e mbajtur më 30 dhjetor 2015, kur i janë transferuar Qeverisë 61.3 milionë euro nga Fondet e mirëbesimit të 125 ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.

Këtë e ka bërë pavarësisht vendimit të Qeverisë së kaluar, e cila hiqte dorë nga këto fonde për t’iu mundësuar AKP-së të paguante punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara.

Në media u raportua se si rezultat i kësaj, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj nuk pritet të marrin kompensimin për rrogat e papaguara të viteve ’90, pavarësisht se grava e tyre është duke vazhduar e që së shpejti i bënë dy vjetë prej se janë vendosur në tendën para qeverisë.

Shteti nuk ka privatizuar edhe 1500 NSH

Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga themelimi, fillimisht nën emërtimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit në vitin 2002 deri më 30 Nëntor 2015 ka nënshkruar 1 mijë e 286 kontrata të shitjes së Ndërmarrjeve të Reja dhe të shitjes së aseteve të NSH-ve,  bazuar në  raportin përmbledhës të aktivitetit të saj.

Në planin për vitin 2016 ajo parasheh që të mos ketë vonesa në këtë proces, pasi që Agjencia ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të ndërmarrjeve shoqërore.

Pengesat tjera që AKP ka parë deri në përmbylljen e procesit të likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore janë rreth 29 mijë e 373 raste gjyqësore.

Gjithashtu janë 6922 ankesa me 10 mijë 122 ankues në listat e punëtorëve të NSH-ve që ende janë në dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Gati 3 mijë raste të proceduara nga zyret rajonale në gjykata, dhe 180 rate të inicuara për përmbarim.

Edhe Agjencia ka të inicuara 4 mijë e 705 raste gjyqësore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Kurse dy rast kanë shkuar deri në gjykatën Kushtetuese. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qeveria-nuk-i-pagoi-pronat-e-shpronsuara/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala