Qeveria lë pa paga qindra mësimdhënës

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 30 arsimtarë dhe mësues në Komunën e Mitrovicës nuk kanë marrë asnjë cent tash e 6 muaj. Ata, madje as nuk janë në listën e pagave.

Gazeta Fjala ka marrë vesh se të gjithë kanë hyrë në punë me konkurs të rregullt dhe vazhdojnë t’i mbajnë orët sipas kontratës së punës. Por, nuk janë paguar asnjë cent deri tash.

“Kemi kërkuar vazdhimisht nga komuna që të na gjejë një zgjidhje. Por, deri tash nuk ka asgjë”, tha për Gazetën Fjala një nga arsimtarët, pa pranuar t’i përmendet emri nën frikën se mos po i hakmirret ndokush.

Gazeta ka provuar disa herë të kontaktojë edhe zëdhënësin e Komunës së Mitrovicës, Hysni Sylën, por ka qenë e pamundur. Fillimisht e kishte “harruar” telefonin në zyrë. E më vonë nuk është përgjigjur fare. Këtë nuk e ka bërë as pas disa ditësh.

Njëjtë si Komuna e Mitrovicës, punëtorë arsimorë jashtë listës së pagave ka secila komunë. Ata janë pranuar me konkurs të rregullt, shkojnë në punë dhe nuk marrin që nga shtatori asnjë kompenzim.

Kjo situatë është krijuar për shkak të procedurave që bijnë në kundërshtim me njëra tjetrën në mes të komunës specifike- Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave.

Secila komunë para fillimit të vitit të ri shkollor e dërgon plan programin e orëve. Ministria në bazë të sajë cakton numrin e kuadrit arsimor.

Por, sipas njohësve të arsimit, specifikat e terrenit bëjnë që orët të mos mund të përpjestohen matematikisht, pasi asnjë lokalitet nuk ka numër të njëjtë të nxënësve. Kjo bën që nxënësit ose të shkojnë në shkolla me mbi 10 kilometra larg ose të krijohen klasë të reja me pak nxënës dhe të rritet numri i të punësuarve.

Komunat janë në hall. Në rastin e parë duhet organizuar transporti. E, Ministria e Financave nuk u lejon para pas miratimit të buxhetin. Në rastin e dytë, siç edhe kanë vepruar, është Mnistria e Arsimit ajo që nuk lejon shtimin e numrit të të punësuarve. Si rrjedhojë, ata kanë mbetur pa paga.

As komunat e as Ministria e Financave nuk kanë bërë të ditur se si do t’i paguajnë punëtorët. Komunat janë në pritje të vendimeve qeveritare.

Ministria e Arsimit ka drejtuar gishtin nga komunat.

“Sipas ligjit për Arsimin në komuna dhe sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, çështja e të punësuarve në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar është përgjegjësi e komunave, respektivisht drejtorive komunale të arsimit”, tha për Gazetën Fjala, Besa Bytyçi, zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit.

 

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e planifikion grantin specific të arsimit, sipas kritereve që janë të përcaktuara me akte nënligjore”, shtoi ajo.

Gazeta Fjala është përpjekur të kontaktojë edhe me anëtarë ta kabinetit të Avdullah Hotit, por ishte e pamundur.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qeveria-le-pa-paga-qindra-mesimdhenes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala