Qeveria i ulë pagat e gradat për mijëra shërbyes civilë

Autori:Avdyl Pajaziti

Isa Mustafa nuk ka ndejur duarkryq gjatë këtyre 100 ditëve. Ai, ka menduar si t’i rehatojë militantët e tij partiak.

Për t’iu krijuar mundësia e gradimit të tyre, Qeveria e Kosovës ka filluar procedurat për ndryshimin e ligjit për pagat. Ndryshimet që do të bëhen do të jenë të dhimbshme për shumë punonjës të sektorit publik.

“Me ndryshimet që planifikohet të bëhen më së shumti dio të pësojnë punëtorët që kanë paga të mesme dhe të ulëta. Ata do të marrin edhe më pak para”, tha një për Gazetën Fjala, Mursel Zymberi, Kryetar i Sindikatës së Punonjësve Civil.

Llogaritet se diku rreth 50 milionë euro që i kanë marrë të punësuarit në emër të shtesave dhe benificioneve tjera do t’i kenë më pak.

Gazeta Fjala ka mësuar se Ministria e Administraës Publike tashmë është në fazën finale të draftimit të projektligjit të ri, i cili shumë shpejtë do të dërgohet në Qeveri e pastaj të marrë miratimin e deputetëve të Kosovës.

Në ministrinë e Financave nuk kanë pranuar të flasin për këtë qështje duke adresuar përgjegjësinë tek Ministria e Administratës Publike.

Zyrtarë të kësaj të fundit, kanë thënë për Gazetën Fjala se vendimi për ndryshim i takon Qeverisë së Kosovës, duke mos mohuar se do të ketë ndryshime në pagat e shërbyesve civil.

Por ndryshimet në kurriz të 80 mijë shërbyesve civil nuk e ka ndërmend ti pranojë sindikata e këtyre punëtorëve.

Kryesindikalisti Zymberi tha për Gazeten Fjala se sistemi i ri është shqetësues dhe trishtues për krejt punëtorët e administratës civile.

“Në katalogun e prezantuar ka shumë paqartësi she ai nuk reflekton asgjë të mirë sa i përket administrates dhe punëtorëve të saj”, tha Zymberi.

Bile, sipas tij, përpilimi i ligjit do të krijojë edhe shumë telashe me vendet e punës e kategorizimin e të punësuarve.

“Shumë vende pune që janë kryesisht prej komunave të Kosovës nuk parashihen në katalogun e përpiluar nga  Administrate Publike. Rrjedhimisht nuk dihet se ku do të pozicionohen ata dhe cilat do të jenë pozitat e të ardhurat e tyre”, tha Zymberi.

Kërcënimin më të madh ai e sheh për kategoritë e punëtorëve që marrin paga të mesme dhe të imta në administratë.

Por, sindikata nuk do rri duarkryq. Zymberi bëri me dije se ajo do të mbilidhet të premten e të shtunën për të diskutuar hapat për kundërshtimin karshi këtyre ndryshimeve.

Reforma në administratën publike është paraparë edhe me planin qeverisë të prezantuar kohë më parë.

“Menaxhimi i burimeve njerëzore në Administratën Publike: një shërbim publik i strukturuar bazuar në standarde, një shërbim jopolitik, i bazuar në rekrutim të drejtë dhe transparent, promovim në bazë të meritës dhe ngritje profesionale. Po ashtu, synohet ndërtimi i një sistemi unik i pagave në Administratën Publike, si dhe digjitalizimi i procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore”, thuhet në programin e Qeverisë së Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qeveria-i-ule-pagat-e-gradat-per-mijera-sherbyese-civil/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala