Qeveria dështoi edhe me Trepçën

Autori:Gazeta Fjala

Statusi i ndërmarrjes më të madhe në vend, Trepçës, vazhdon të mos jetë i definuar, edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar nga Qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti, si përgjigje ndaj protestave të partive opozitare që po eskalonin në dhunë.

Disa javë para përfundimit të këtij viti, asnjë strategji apo ligj që do të përcaktonte fatin e Trepçës nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Ahmet Tmava, drejtor i Trepçës, i ka thënë Gazetës Fjala se mosdefinimi i statusit të kësaj ndërmarrje shkakton probleme në funksionin e Trepçës.

“Po ju e dini që shkakton probleme mosdefimi i statusit.  Këtë e kemi bërë publike shumë herë,” thotë ai, teksa tregon se javën e kaluar kanë pasur një takim me Kryeministrin Isa Mustafa për të biseduar rreth kësaj çështje.

Tmava nuk ka dhënë shumë detaje rreth bisedave, por ka thënë se ekziston mundësia që në të ardhmen Trepça të ketë ligjin e vet sipas të cilit do të funksiononte.

“Unë mendoj se ka ardhur momenti për të definuar [këtë çështje]”, thotë ai.

Në janar të këtij viti, kuvendi miratoi me shumicë votash një ligj për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Përmes kësaj u hap rruga edhe për riorganizimin e Trepçës, mirëpo partitë opozitare në parlament kërkonin që të miratohet ligji i veçantë për Trepçën për ta kthyer atë në ndërmarrje publike.

Protestat e organizuara nga këto parti mblodhën në Prishtinë mijëra njerëz dhe situata kishte eskaluar në dhunë pas përleshjes së protestuesve me Policinë e Kosovës.

Atë kohë, qeveria kishte premtuar se brenda pesë muajve deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë në duart e tyre një strategji apo projektligj për Trepçën.

Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), është kritik ndaj qasjes së Qeverisë së Kosovës sa i përket Trepçës, duke thënë se qeveria “ka dështuar edhe në sektorë të rëndësishëm për ardhmërinë e vendit.”

“Qeveria nuk po dëshmon gatishmëri që të merret seriozisht me çështjen e Trepçës dhe të minierave të metaleve,” thotë ai.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) ka njoftuar se është krijuar një Grup Punues që do t’i propozoi qeverisë “planin e veprimit për hapat lidhur me procesin e zhvillimit të sektorit minerar në Republikën eKosovës”.

“Duhet pritur përfundimin e punës së Grupit Punues ndërinstitucional për sektorin minerar në përgjithësi por edhe për Trepçën në veqanti, i cili do të paraqes orientimin për ndryshimet e nevojshme ligjore, Planin Zhvillimor për Trepçën i cili duhet të ofroj zgjidhje lidhur  me statusin, problemet sociale, kreditore dhe mjedisore,” ka thënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik për Gazetën Fjala.

Deri më tani është mbajtur një takim pune i këtij grupi ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institcioenve të vendit.

Por, Arban Abrashi, zëdhënës i qeverisë, ma herët kishte konfirmuar për media se për Trepçën do të vendoset vitin tjetër duke shtuar kështu zvarritjet e këtij procesi.

Në anën tjetër, Bekim Haxhiu, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë mjaft aktiv rreth çështjes së Trepçës gjatë këtij viti, ka lënë fajtor menaxhmentin aktual të Trepçës për situatën aktuale, pasi që sipas tij këta të fundit nuk kanë përmbushur në afat disa obligime ligjore që i kanë pasur.

“Për momentin nëse e marrim me përgjegjësi, atëherë 70% e fajit [për mosdefimim përfundimtar të statusit] është i menaxhmentit, ndërsa 30% i qeverisë” thotë ai.

Ai ka thënë se statusi aktual i Trepçës, pra nën menaxhimin e AKP-së, nuk duhet që të ndalojë këtë ndërmarrje që të ketë profit.

“Trepça edhe sa ka qene nën menaxhimin e AKP-se ka qene operacionale dhe ka punuar me profit,” ka shtuar ai dhe ka ftuar që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për këtë ndërmarrje.

Sipas disa vlerësimeve të ekspertëve të ekonomisë, vetëm rezervat e plumbit dhe zinkut në Trepçë kapin vlerën e rreth 10 miliardë eurosh por viteve të fundit kjo ndërmarrja ke funksionuar me kapacitet të kufizuar.

Për dallim nga tani, në vitet e 1980-ta, Trepça konsiderohej njëra nga ndërmarrjet më të mëdha në ish-Jugosllavi, dhe kishte rreth 20.000 të punësuar.

Aktualisht, Trepça ndodhet nën menaxhimin e Agjencisë së Privatizimit të Kosovës (AKP), e cila për shumë kohë ka mbetur jashtë funksionit në mungesë të bordit.

Kur po bëhen një vit që nga ardhja në pushtet e Isa Mustafës, një pjesë e madhe e agjencive të pavarura vazhdojnë të mbesin jashtë funksionit meqë partitë e koalicionit nuk kanë arritur të emërojnë zyrtarë në këto pozita.

“Qeveria ende nuk arriti t’i funksionalizoj shumë autoritet e rregullator të pavarur, meqenëse nuk ka kompletuar bordet. Ndërkaq, edhe aty ku ka emëruar bordet, ka dëshmuar se nuk është e gatshme të respektoj lirinë dhe pavarësinë e tyre.  Kjo vërehet kur kemi parasysh së në borde janë emëruar militantët partiak,” thotë Ibrahim Rexhepi./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qeveria-deshtoi-edhe-me-trepcen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala