Qeveria bëhet gati të hyjë borxh 2.3 miliardë euro

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës brenda tri viteve do të hyjë borxh 2.3 miliardë euro. Me këto para parashihet realizimi i 39 projekteve, kryesisht infrastrukturore.

Ndërtimi i Autostradës së re Prishtinë-Gjilan dhe Rehabilitimi i linjës hekurudhore nga kufiri me Serbinë deri në Prizren janë dy nga projektet më të kushtueshme që do të financohen me kredi, shkruan Gazeta Fjala.

Kështu ka vendosur Këshilli Kombëtar për Investime, të cilat parashihen edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2017-2019.

“Pas shqyrtimit të propozimeve nga ministritë gjegjëse, KKI (Këshilli Kombëtar për Investime) në dhjetor 2015 ka aprovuar Listën që përfshin 39 projekte infrastrukturore, kostoja totale e të cilave kalon shumën prej 2.3 miliardë euro”, thuhet në dokumentin që posedon Gazeta Fjala.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se tashmë janë dakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar për rreth 450 milionë euro investime që duhet të ndodhin përmes klauzolës së investimeve.

“…përmes kredive nga bankat zhvillimore dhe këto janë projekte një pjesë e konsiderueshme në infrastrukturë. Për hekurudha veç e kemi finalizu marrëveshjen, për hekurudhën nga Hani i Elezit deri në Veri në Leshak, që është një projekt, i cili kushton 195 milionë euro, për të cilin 80 milionë euro i kemi kredi. Kemi nënshkru një marrëveshje tjetër prej 29 milion euro për disa rrugë regjionale në Kosovë. Jemi duke i negociuar dy projekte të rëndësishme në sistemin e ujitjes”, ka thënë Hoti në intervistë për Gazetën Fjala.

Ai vlerëson se këto projkete do të ndikojnë në zhvillim ekonomik pavarësisht se direkt nuk gjenerojnë kthim në investime.

“Është kompleks i projekteve që ndikojnë drejt për drejt në zhvillim ekonomik sepse krijojnë vende pune. Projektet në ujitje mund ta dyfishojnë prodhimin bujqësor në vend”, pohon Hoti duke arsyetuar nevojnë për investime në këto fusha.

Aktualisht, Kosova ka rreth 800 milionë euro borxh publik, i cili është krijuyar nga huatë që Qeveria e vendit ka marrë për projekte të ndryshme.

Rritjen e nivelit të këtij borxhi, kreu i financave të Kosovës nuk e sheh me rrezik për shkak të dakordimit me FMN-në që të mund të hyjnë në obligime të ngjashme financiare deri në 10 për qind të brutoproduktit të brendshëm, nga 2 për qind sa ka qenë limit i deritashëm.

“Tash e kemi ndryshu ligjin për financat publike bashkë me fondin monetar ndërkombëtar, tash kemi kriju hapësirë shtesë për investime përmes asaj që ne e quajmë klauzolë. E cila na mundëson që ne si qeveri të hym në borxh 10% në banka zhvillimore për të investuar vetëm projektet kapitale”.

Lista e projekteve

Nga Lista e përgjithshme e projekteve me prioritet tetë projekte tashmë janë në fazën përfundimtare të negocimit me financues dhe për disa veç janë nënshkruar marrëveshje.

Për rehabilitimin e rrugës Hekurudhore 10,  Ndërtimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, dhe Rehabilitimi i përgjithshëm i linjës hekurudhore lindore dhe jugore (kufiri me Serbinë – Podujevë – Fushë Kosovë, Klinë – Prizren), tashmë janë finalizuar marrëveshjet për financim.

Ndërkaq, po negociohet zgjerimi i sistemit të ujitjes së Kompanisë “Radoniqi”- faza e II-tësi dhe rehabilitimi i sistemit të Ibër-Lepencit.

Rehabilitimi i rrugëve rajonale, ndërtimi i rrugës N9 Prishtinë – Pejë (SEETO Rruga 6 A) pjesa nga Kijevë -Klinë deri në Zahaq, është në fazën përfundimtare.

Ndërkaq, në vitin 2017 do të filloi projekti i ndërtimit të Autostradës së re Prishtinë-Gjilan – Dheu i Bardhë.

Megjithatë, lista e projekteve nuk është e kompletuar ende.

“Varësisht nga progresi që ministritë e linjës bëjnë në përgatitjen e projekteve të reja, ato do të shqyrtohen nga Këshilli Kombëtar për Investime dhe potencialisht do të përfshihen në Listën Prioritare, duke përfshirë edhe projekte në sektorin social”, thuhet në dokument. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qeveria-behet-gati-te-hyje-borxh-2-3-miliarde-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala