Qentë në QKUK

Autori:Avdyl Pajaziti

Po të mos ishtë një kalimtar i rastit, D.I sot nuk do të ishte gjallë. Motra medicinale në repartin për hundë, sy dhe vesh, në Spitalin e Prishtinës, rrëfen tmerrin e përjetuar para disa ditësh në oborrin e Qendrës Klinike Universitare.

Derisa po shkonte në punë, ajo ishte sulmuar nga një tufë qenësh endacak.

“Jom kan tu shku n’punë  edhe m’kan dal përpara një grumbull i qenve. Unë u ula me marr gurë mi gju, tani m’erdhi në ndihmë një njeri dhe u bërtiti”, tregon D.I, për Gazetën Fjala.

Me rastin e saj nuk u mor askush në QKUK.

Arsyeja përse zyrtarët e këtij institucioni nuk morën masa, sipas saj është statusi në punë.

“Po janë mësu mos mi bo t’mdhaja kto punët tona, se na jemi veq motra medicionale, E me kan naj doktor meniherë e kishin bo t’madhe”, vazhdon ajo duke treguar se kësaj radhe kishte fat më shumë se një kolege e sajë të cilën e kishte kafshuar qeni në të njëjtin vend.

Fazliu: Jemi në rrezik

Se prania e qenve endacakë paraqet problem për stafin shëndetësor, sidomos për ata që punojnë në kujdestari dhe ndërrime gjatë natës kur edhe duhet të kryhen konsultime nëpër klinikat dhe stafi duhet të lëvizë në hapësirat e jashtme të QKUK-së, e thonë edhe zyrtarët e këtij institucioni.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në QKUK, thotë për Gazetën Fjala se do të ishte mirë që në kuadër të aksioneve që organizon Komuna e Prishtinës, por edhe organizatat që merren me mbrojtjen e kafshëve  të bënin zgjidhjen e këtij problemi.

“Pra, në kuadër të aksioneve që organizon Komuna në bashkëpunim edhe me Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve do të duhej të përfshihej edhe territori, apo hapësira e QKUK”, thotë Fazliu.

Oborri nëpër të cilin kalojnë stafi mjekësor është vetëm një nga vendet e rrezikshme për jetë nga qentë endacakë në Prishtinë.

Javën e kaluar në “Lagjen Emshir”, të Komunës së Prishtinës, një 18 vjeçare përfundoi në dhëmbët e dhjetëra qenve endacakë.

Në Komunën e Prishtinës janë rreth 1500 qenë endacakë dhe se deri tani, sipas zyrtarëve të këtij institucioni janë trajtuar 90 për qind prej tyre.

Ndërsa shuma e ndarë për trajtimin e qenve endacakë, që Komuna ka ndarë për këtë vit është 21 mijë euro.

Nxënësit dhe studentët në rrezik

Një hapësirë tjetër me rrezik në kryeqytet është Biblioteka Kombëtare. Rruga për në tempullin e dijes për studentët kalon përmes qenve endacakë.

E.L studente e Fakultetit Filologjik, njëherësh lexuese e rregullt në Bibliotekë, tregon frikën me të cilën ndeshet ç’do mëngjes. Në mbrëmje ajo thotë se është edhe më rrezik të kalohet andejëpari pasi numri i këtyre qënve rritet, ndërsa organet kompetente nuk po ndërrmarrrin asgjë për ta eleminuar rrezikun.

Kjo studente më së shumti i frikësohet sëmundjeve që qentë mund të bartin.

“Frikësohem shumë se mos në një moment a tjetër do të më vërsulen por pa u vënë re mundohem të futem në bibliotekë. Qentë të cilët janë mësuar me kushtet e jetesës nëpër rrugë nuk janë shumë agresiv, agresiv janë ata që braktisen nga pronarët”, thotë ajo.

Faji i qenve, disa nxënëse të gjimnazit “Sami Frashëri”, në Prishtinë, ishin goditur nga një veturë.

“U kon dita e fundit e klasës së11’të, u bonëm bashkë në mengjes un edhe tri shoqe tjera, u nisëm për shkollë. Tu shku jon kon plot qenë mas neve edhe ngajtën meniherë. Na menum që na u flugën neve edhe shpejt me pshtu veten jena munu me kapercy rrugën. Tu e kalu s’kena pa hiq a ka kerre. Prej tutes edhe na shkeli kerri”, tregon Qëndresa Sadriu, njëra nga vajzat që pësoi në këtë rast.

Ajo bashkë me shoqet Besa Hyseni, Vesa Mekolli e Era Mekolli ishin viktimat e qenve endacakë.
Qëndresa kishte thyer këmbën gjatë kohës kur po përpiqej të shpëtonte jetën, derisa Besa kishte pësuar dëmtime në kurriz.  Nga ky aksident Vesa kishte thyer dorën. Por pa lëndime nuk kishte shpëtuar as Era, e cila kishte marrë goditje në kokë nga vetura.

Të katër shoqet, I vuajnë pasojat që atëherë, por pavarësisht kësaj, ato nuk e duan vrasjen e qenve. Kërkojnë strehimin e tyre në ndonjë qendër të kujdesit për qen./Gazeta Fjala/
( Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/qente-ne-qkuk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala