Punëtorët sekret të BQK-së

Autori:Gazeta Fjala

 

Albulena Zogu Demaku, gruaja e kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku është e fundit në listën e të punësuarve partiak në Bankën Qendrore të Kosovës.

Para saj janë edhe disa anëtarë të familjeve të zyrtarëve të lidhur me politikën dhe të afërm me guvernatorin Bedri Hamza, të cilëve ky i fundit u ka bërë vend në BQK që nga viti 2013 kur edhe ka ardhur në krye të këtij institucioni.

Madje ai ka punësuar edhe në zyrën e tij, një të afërme të gruas së tij, nga Mitrovica, merr vesh Gazeta Fjala.

Megjithatë, të dhënat e punësimit Hamza nuk i ka bërë publike edhe pas më shumë se një muaj kërkese për qasje në listën me emrat dhe pozitat e të punësuarve.

Bazuar në raportet vjetore të BQK, nga ardhja e Bedri Hamzës deri më tani janë punësuar afër 30 persona.

N vitin 2012 Banka Qendrore ka pasur 180 të punësuar, derisa një vit më vonë ky numër kishte arritur 192.

Në fund të vitit 2014, numri i të punësuarve në BQK ka arritur në 200 të persona.

Raporti vjetor i punës për vitin 2015 në të cilin figuron numri i krejt të punësuarve të BQK-së ende nuk është publikuar në uebfaqen e këtij institucioni. Mirëpo, Gazeta Fjala merr vesh nga burime brenda BQK-së se vetëm vitin e kaluar në këtë institucion janë punësuar afro dhjetë punëtorë të rinjë.

Në fillim të muajit prill gazeta ka kërkuar nga BQK të dijë sa është sa është numri i të punësuarve që nga viti 2013, kush janë të punësuarit dhe sa herë ka pasur konkurs. Mirëpo ky institucion nuk dha informatat e kërkuara.

Besnik Kada zëdhënës i BQK në një përgjigje me shkrim tha se sa i përket numrit të punësuarve të dhënat e saj i bënë publike çdo herë në Raportin Vjetor.

“Procedurat e punësimit  janë procedura të rregullta të cilat BQK-ja i aplikon konform Politikës për Marrëdhënie Pune dhe procedurave të saja të rekrutimit. Të gjitha konkurset kanë qenë të shpallura në gazeta ditore dhe në uebfaqe”, tha Besnik Kada.

Pas kësaj Gazeta Fjala ka dërguar edhe kërkesë për qasje në listën e të punësuarve në BQK, mirëpo ky institucion nuk ka kthyer asnjë përgjigje lidhur me kërkesën, edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet e parapara me Ligjin për qasje në dokumentet publike.

Punësimet partiake të Hamzës

Në muajin mars të këtij viti Gazeta Fjala ka raportuar se gruaja e kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku është punësuar në Bankën Qendrore te Kosovës, që drejtohet nga Bedri Hamza.

Albulena Zogu Demaku, është pjesë e stafit të BQK-së që nga muaji dhjetor i vitit 2015.

Punësimin e Albulena Zogu Demakut, e pati konfirmuar për Gazetën Fjala edhe vetë BQK- ja. Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada pati thënë se Demaku ishte në periudhë provuese të punësimit.

“Procedurat që janë zhvilluar janë procedura të rregullta të cilat BQK-ja i aplikon konform Politikës për Marrëdhënie Pune dhe procedurave të saja të rekrutimit. Konkursi ka qenë i shpallur në gazeta ditore dhe në uebfaqe . Në procedurën e konkursit dhe përzgjedhjes janë plotësuar të gjitha kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Kujtojmë që Nexhat Demaku e Bedri Hamza  vite me parë kanë qenë edhe bashkë partiak në PDK, derisa ky i fundit pasi emërimit si guveranor ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Më parë gazeta “Zërit” kishte raportuar se në BQK është punësuar Yllka Ahmeti, vajza e dekanit të Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti, i cili ka qenë më herët sekretar permanent në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, si i deleguar nga PDK-ja.

Po ashtu, sipas kësaj gazete në këtë institucion të pavarur ka gjetur punë edhe Albulena Xhelili, vajza e deputetit të PDK-së, Fatmir Xhelili.

Zyrtarë të BQK-së i kanë thënë Gazetës Fjala, se Albulena Xhelili javë më parë është avansuar në pozitë. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/punetoret-sekret-te-bqk-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala