Gënjeshtrat e qeverisë rreth punësimit

Autori:Gazeta Fjala

Në fund të muajit dhjetor qeveria e Kosovës deklaroi se në vend u punësuan afër 17 mijë qytetarë.  Mirëpo ajo nuk qe në gjendje të faktoj këtë numër. Ndërkohë as njohësit e ekonomisë nuk u besojnë këtyre shifrave, thonë se në Kosovë nuk pati investime të mëdha.

Vetë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe njëherësh zëdhënës i Qeverisë Arban Abrashi pati thënë se deri në muajin tetor ishin punësuar 15 mijë qyetarë por që me mbledhjen e të gjitha të dhënave edhe për muajit nëntor dhe dhjetor kjo shifër do të rritej deri në 17 mijë të punësuar.

“Edhe nga informaliteti që është formalizuar, por sipas trendëve, afër 16 mijë ose 17 mijë duhet të jetë numri i punëtorëve të rinj”, thotë Abrashi.

Por, kur Gazeta Fjala kërkoi të dhëna të detajuara rreth këtyre punësimeve as qeveria e as ministria e punës nuk qenë në gjendje për të dhënë një përgjigje, ani pse gazeta ka pritur për përpërgjigje dy javë.

Arban Abrashi, në media ka deklaruara se numri më i madh i të punësuarve ka qenë në sektorin e ndërtimtarisë dhe të tregtisë. Ai e ndërroi deklaratën duke thënë se nuk janë të gjitha vende të reja pune.

“Çka duhet me cek është se nuk është e tëra e aktiviteteve të reja të punës brenda këtij 16 mijshit të cilin ne e kemi të konfirmuar me numra sipas aktiviteteve por edhe me emra personal. Ekziston edhe një numër i tyre që janë efekt i luftës kundër informalitetit”, ka thënë Abrashi.

17 mijë të punësuar-shifër kontestuese

Këto shifra të qeverisë po kontestohen nga njohës të ekonomisë.

Ibrahim Rexhepi, drejtor Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, dyshon në deklaratën e ministrit Abrashi.

“Ministri Abrashi ka përmendur një shifër, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër se ku paska ndodhur ky punesim, apo cilat burime (statistika) ka shfrytezuar. Për këtë arsye është vështirë të besohet se vjet paska ndodhur ky punësim”, tha Rexhepi për Gazetën Fjala.

Ai thotë se duke u bazuar në statistikat zyrtare të Agjencionit të Statistikave të Kosovës, atëherë nuk del se ka rënie të papunësisë.

“Kjo nuk vërehet as në evidencën e Trustit të Kursimeve Pensionale kur kemi parasyshë numrin  e kontribuesve të përhershëm:, tha ai.

Rexhepi tregon se në tregun e punës ka mjaft informalitet dhe si rezultat i kësaj është shumë e vështirë të nxirret një evidencë e saktë për numrin e të punësuarve dhe numrin e të papunëve.

“Po ashtu edhe po të kishte ndodhur punësimi i 17 mijë vetave, as kjo nuk paraqet ndonjë hap të madh drejt zgjidhjes së problemit të papunësisë dhe të varfërisë”, tha Rexhepi.

As në Odën Amerikane në Kosovë nuk u besohet shifrave të deklaruara nga Qeveria e Kosovës.

Arian Zeka tha për Gazetën Fjala se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur ndonjë investim të huaj ose edhe ndonjë investim madhor të  brendshem, i cili do të ndikonte në gjenerim kaq substancial të vendeve të punës.

“Në mungesë të sqarimeve të detajuara, do të doja të besoja që shifrat e tilla janë nga luftimi i informalitetit në punësim”, tha Zeka.

Loja me numrin e punësimeve ka nisur gjatë fushatës parazgjedhore, atëherë Isa Mustafa,  pati premtuar se për 4 vjet do t’i punësojë 120 mijë qytetarë, që sipas ekspertëve të ekonomisë, i bie që 125 qytetarë të punësohen për çdo ditë pune, pa përfshirë festat.

ASK ka të dhëna por nuk janë publike

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë hulumtime për punësimin dhe papunësinë në Kosovë gjatë vitit të kaluar, mirëpo rezulatatet ende nuk i ka bërë publike. Megjithëkëtë, në media është deklaruar se ka pasur një rritje pozitive në këtë drejtim.

Drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa, gjatë një interviste për media ka deklaruar se ata i kanë të dhënat për vitin 2015, por se ende nuk mund t’i bëjnë të ditura.

Bellaqa është i bindur se shkalla e papunësisë gjatë vitit 2015 është zvogëluar, ndërkohë që rritje është shënuar tek numri i të punësuarve.

“Ne kemi të dhëna për tregun e punës për vitin 2015 por ende ato nuk publikohen. Janë të dhëna me karakter tre mujorë, por sipas trendëve të shkallës së punësimit dhe papunësisë, në vitin 2015 kemi trend pozitiv, pra kemi rënie të shkallës së papunësisë dhe rritje të shkallës së punësimit, por të dhënat finale do t’i publikojmë në vitin 2016”, tha Bellaqa.

Ndërkohë që ai jep shifra të vitetve të kaluara.

Sipas të dhënave të vitit 2014, Bellaqa tha se nga rreth 1 milion e 811 mijë banorë popullsi rezidente që ka pasur Kosova, në moshë pune kanë hyrë mbi 1 milion e 202 mijë banorë.

Ai thotë se shkalla e papunësisë ka rënë lehtë nga 30.9 përqind në 30.0 përqind, midis viteve 2012 dhe 2013, por pastaj ka shënuar rritje në në vitin 2014 në shifrën 35.3 përqind.

Megjithatë, midis viteve 2013 dhe 2014 përqindja e personave joaktivë, të cilët nuk kërkojnë punë pasi besojnë se nuk ka, ka rënë nga 12.1 përqin në 10.7 përqind. Shkalla e joaktivitetit gjithashtu ka shënuar rënie të lehtë midis dy viteve.

Me këto statistika Kosova vazhdon të prijë si vendi me më pak të punësuar në rajon, pas saj janë Bosnja me 27. 5 përqind të papunë dhe e treta vjen Serbia me 18.9 përqind. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/punesimi-ne-kosove-loje-numrash/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala