PTK edhe dy vjet në dorë të shtetit

Autori:Avdyl Pajaziti

Posta dhe Telekomi i Kosovës do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit edhe për një kohë. Madje shitja e saj as nuk mund të flitet pa kaluar edhe dy vite.

2017’ta po shihet viti i mundshëm për të nisur një proces të ri të shitjes së kësaj kompanie, të cilën qeveria e Kosovës dështoi ta shesë dy herë radhazi.

Këtë kohë e ka parashikuar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Por, të njëjtin qëndrim e kanë edhe drejtues të PTK. Bile këta të fundit po thonë se as nuk guxohet të flitet për ndonjë afat më të shkurtër.

Në raportin e fundit të Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS mbi tregun e telekomunikacionit thuhet se Qeveria e Kosovës kaherë ka pasur për synim privatizimin e 75 për qind të aksioneve të operatorit publik të telefonisë mobile VALA, me qëllim që të bëjë liberalizimin e tregut të telefonisë mobile, të futë në konkurrencë operatorë privat dhe me renome ndërkombëtare, por edhe të siguroj të hyra për buxhet, meqenëse, për shkak të projekteve të mëdha në infrastrukturë, kishte problem që të mbajë balancin ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve.

Por, sipas autorit të këtij studimi, Ibrahim Rexhepit Qeveria e Kosovës përkohëissht duhet ta harrojë privatzimie këitj operatori, pa marrë parasysh  situatat në të cilat mund të gjindet buxheti i Kosovës.

“Madje, dëmi më i madh për operatorin, por edhe për tërë vendin do të ndodhte nëse ky privatizim ëhet për të mbuluar deficitet buxhetore, apo për të siguruar para për financimin  projekteve që nuk garantojnë kthim të inevstimeve, apo ndikim pozitive në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, thuhet në raport, shkruan Gazeta Fjala.

Megjithatë, edhe ekzekutivi edhe drejtuesit e kompanisë tashmë kanë hequr dorë nga ky synim pa ia rritur vlerën e kësaj kompanie në mënyrë që të shitet me çmim më të shtrenjtë.

“Jo, nuk e besoj sepse është shumë shpejtë këtë vit janë procese që kërkojnë një kohë më të madhe. Ju e dini që ato procese që kanë nisur më herët kanë zgjatur, por ne e kemi lënë aty në kuadër të programit qeveritar në vitin 2016-2017, pra për periudhën para privatizimit dhe të privatizimit”, ka thënë gjatë ditës së hënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Ai ka treguar se do të jenë dy faza, para privatizimi dhe privatizimi, pas një procesi të dështuar vitin e kaluar për ta privatizuar PTK-në. Stavileci tha se do të investojnë në PTK për t’ia rritur vlerën në treg edhe pastaj do të nisin procedurat e privatizimit.

Ngecia e investimeve,kufizimi i tyre me vendime qeveritare, mospërcjellja e zhvillimeve në treg, rritja e shpenzimeve, posacërisht për stafin, domosdoja e përshtatjes së tarifave dhe të kostos së shërbimeve me konkurrencën, keqmenaxhimi dhe mungesa e konsistencës, kanë rezultuar me dobësimin e bazës materiale, humbjen e tregut dhe rënien e vlerës së kompanisë.

Edhe menaxher për Informim në PTK, Arsim Bilalli ka thënë për Gazetën Fjala se viti 2017 është mundësia e vetme për të nisur proceset e privatizimit të kompanisë. Ai ka treguar se janë në dakordim edhe me deklaratat e ministrit Stavileci.

“As që guxojmë të mendojmë që procesi i privatizimit do të fillojë para vitit 2017. Me fjalë të tjera jemi në dakordim të plotë me deklaratën e ministrit Stavileci, që PTK duhet të fillojë procesin e privatizimit diku gjatë vitit 2017”, ka thënë ai.

Bilalli ka treguar se vlera e PTK në bazë të trendëve aktuale do të shkojë duke u rritur.

“…ne besojmë që vlera e PTK-së, do të jetë shumë më e lartë se që ishte dje apo që do të jetë nesër. Megjithatë, vlerën reale të PTK-së në procesin e privatizimit do ta përcaktojë tregu”.

Ai ka thënë se edhe drejtuesit e PTK janë të gatshëm që të nisin proceset e privatizimit. Madje sipas Bilallit ky proces është e vetmja mundësi që i  garanton sukses kësaj kompanie.

“Po, do të jemi të gatshëm t’i hyjmë procesit të privatizimit dhe Drejtori Menaxhues i PTK-së, mendon dhe beson fuqishëm, duke iu referuar edhe përvojës së tij të mëparshme, se procesi i privatizimit të PTK-së, është e vetmja mënyrë që garanton sukses të mëtutjeshëm e të qëndrueshëm  dhe stabilitetit financiar të korporatës”, ka thënë Bilalli.

STRAS në raportin e fundit rikujton edhe një mundësi tjetër për ndërmarrjen që printe dikur për nga fitimet në vend.

“PTK-ja ka mundësi që të përjetoj një transformim tjetër, por pa hyrë në procesin e privatizimit. Pavarësisht qëndrimin rreth procesit të privaztimit, pronari i saj, Qeveria e Kosovës, po kërkon modernizim e ndërmarrjes dhe rritjen e vlerës së saj”.

Madja, asaj sipas hulumtimit i është prezantuar oferta e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) për partneritet në modernizim të PTK-së. EBRD dëshiron të jetë partner biznesi afatgjatë dhe të punojë ngusht me menaxhmentin dhe aksionarin për modernizimin e PTK.

“Ajo ka siguruar se është e gatshme të ofrojë zgjidhje fleksibile me produkte të mundshme, qofshin ato hua të konvertueshme, apo kredi, duke mos përjashtuar as ofrimin e granteve mbështetëse teknike, para se kompania ti futet procesit të privatizimit”./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ptk-edhe-dy-vjet-ne-dore-te-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala