Protestë për hajër?

Autori:Avdyl Pajaziti

Protesta e së shtunës mund të jetë mundësi e mirë për të tërhequr vëmendjen se kosovarët po jetojnë në gjendje të rëndë socio-ekonomike. Kështu vlerëson shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters.

“Por, nëse i vetmi rezultat i protestëës është dhuna dhe shkatërrimi atëherë kjo nuk do të ndihmoj asgjë”, thotë ai në një prononcim për Gazetën Fjala.

I pari i BB-së fajëson edhe qeverinë e edhe ata që do ti prinë turmës për gjendjen në Kosovë, që sipas Olters i kanë kontribuar që vendi të të jëtë në këtë situatë pa planë për zhvillim.

“… në qoftë se kjo protestë kanalizon hapjen e debatit në objektivat e përbashkëta, atëherë është mënyra më e mirë për të arritur aty, në njëfarë forme. Mund të jetë konstruktive. Demokracia jeton në opinione të ndryshme, është aftësi e saj që të shprehë mendime të ndryshme”, thotë Olters.

Ai mendon se pozita dhe opozita kanë paasur kohë të mjaftueshme për të reflektuar se çfarë ka ndodhur në protestën e fundit.

“Dhe se a ka ndihmuar për ti arritur objektivat, shpresoj se kanë përfituar mësime nga kjo e fundit”.

Ndërkaq,Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë kjo më e madhe opozitare thotë se protestat në përgjithësi, shprehin vitalitetin e një populli dhe vendosmërinë e tij për t’ia përmirësuar gjendjen vetës.

“Qytetarët po vetëdijësohen që pa angazhimin e të gjithëve nuk do të ndodh ndryshimi në Kosovë. Prej themelimit të kësaj qeverie ka humbur shpresa se do të zhvillohet ekonomia e vendit, që do të shtrihet sovraniteti, që do të zvogëlohet papunësia, etj”, thotë Çaushi.

Kështu, sipas tij, natyrshëm të pakënaqurit, që janë të varfër e të papunë, e kanë kuptuar që e vetmja rrugë për ndryshimin e gjendjes po mbetet rruga. Ai vlerëson se protesta do rris ndikimin e popullit tek qeveria, duke i bërë trysni kësaj të fundit që t’i plotësoj kërkesat e drejta të qytetarëve ose të largohet vet.

“Në një gjendje të tillë, ku demokracia nuk funksionon, shteti është i kapur, ekonomia pranë kolapsit, arsimi i shkatërruar, shëndetësia e sëmurë… pra në një gjendje të tillë, protestat janë domosdoshmëri dhe nga to përfiton Kosova”, është shprehur ai.

Lidhur me ndikimin që kanë pasur protestat e mëherëshme në arritjen e objektivave politike të Vetëvendosjes Çaushi thotë se këto objektiva nuk janë të ndara nga nevojat e qytetarëve.

“Vetëvendosje ka objektiva që ta ndryshojë rrënjësisht gjendjen për qytetarët e varfër, për të papunët dhe punëtorët pa të drejta, për të rinjt e paperspektivë, për pensionistët e lënë pa siguri e mirëqenie, etj. Çdo arritje e objektivave të vetëvendosjes është arritje e këtyre shtresave që janë të lëna anash prej shtetit të kapur nga një grup i vogël i pushtetarëve”.

Në protesën e 18 prillit, përkrah kësaj partie politike, do të jenë edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Protestën e kanë përkrahur edhe disa organizata e shoqata tjera.

Lidertë e opozitës tashmë edhe kanë bojkotuar edhe pjesëmarrjen në seancat e Kuvendit të Kosovë dhe forma e vetme e ndryshimit të situatrës sipas tyre tani është rruga.

Por, kjo për krerët e shtetit po shihet si tendencë e marrjes së pushtetit përmes dhunës dhe kryeministri Isa Mustafa bashkë me zëvendësin e tij, Hashim Thaçin kanë bërë thirrje që të mos protestohet dhunshëm dhe pushteti të kërkohet përmes votës.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës Kryeministri Mustafa ka kërkuar që të gjitha çështjet të adresohen përmes institucioneve.

“Shpreh bindjen time, mendoj edhe të Qeverisë së Kosovës, se të gjitha problemet aktuale në vendin tonë, të cilat ekzistojnë edhe në çdo vend tjetër, por te ne natyrisht me kushte më specifike në një situatë të tillë të tranzicionit, duhet t’i zgjidhim brenda institucioneve të Kosovës, me vullnetin e qytetarëve të shtetit tonë. Ky vullnet është treguar në zgjedhjet e fundit, të gjitha institucionet dhe qytetarët e kanë pranuar votën e lirë të qytetarëve, si instrument kryesor demokratik dhe ky do të jetë instrumenti i vetëm, i cili do të na udhëheqë në zgjidhjen e çështjeve në të ardhmen. Nuk ka asnjë arsye, që zgjidhja e tyre të kërkohet në rrugë dhe jashtë institucioneve të Republikës”, tha Isa Mustafa.

Më i ashpër ishte zëvendëskryeministri Thaçi, i cili tha se paralajmërimet për protesta të dhunshme janë mesazh i keq për aktualitetin politik, institucional dhe aktualitetin euroatlantik të vendit.

“Realizimi i të drejtave politike mund të bëhet përmes procesit të rregullt demokratik zgjedhor dhe jo përmes shantazheve, kërcënimeve apo përpjekjeve të dhunshme për marrjen e pushtetit. Dua të theksoj se, paralajmërimi për protestë violente është mesazhi më i keq i mundshëm për aktualitetin institucional dhe euroatlantik të Kosovës”, u shpreh ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/proteste-per-hajer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala