Prokuroria nuk merret me keqpërdorimet e qeveritarëve

Autori:Gazeta Fjala

Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), kanë zbardhur një varg shkeljesh ligjore e keqpërdorimesh të parasë publike në shumë institucione kosovare.

Ministra e kryetar komunash janë gjetur se kanë paguar para për projekte të cilat nuk janë realizuar asnjëherë, kanë keqpërdorur veturat zyrtare e kanë punësuar njerëz pa kontrata.

Keqpërdorimeve, u prijnë ish presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga e kryeministri Isa Mustafa.

Por të gjitha këto me shumë gjasë mund të mbesin pa u ndëshkuar.

Në prokurorinë e shtetit thonë se nuk do të merren me të gjeturat e auditorit nëse atyre nuk ua dërgojnë raportet në zyrë.

E kjo sipas zëvendësit në Zyrën e Auditorit, Artan Venhari, nuk do të ndodhë, ngase të dhënat janë publike si dhe prokuroria mund lehtësisht të ketë qasje në to.

“..prokuroria ka qasje në to, ato janë publike. I kanë parë mediat edhe shoqëria civile. Ne nuk kemi dërguar të dhëna të tilla në prokurori”, ka thënë Venhari për Gazetën Fjala.

E kjo çështje është e pa pranueshme për njohësit e drejtësisë, të cilët thonë se prokuroria nuk duhet të pres nga askush që të nisë hetime për raste tashmë të evidentuara.

Sipas tyre nëse Auditori dhe prokuroria nuk kanë vullnet për bashkëpunim, nuk do të nxirreshin para drejtësisë as djemtë e kryeministrit Isa Mustafa e as Ministri Lufti Zharku, për tenderin e parregullt në servisimin e veturës së ministrit.

Njëjtë do të mund të shpëtoi edhe kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili ka paguar para dhe pranuar projekte nga komuna, në marrëveshje me kompanitë  pa i kryer punët.

Gjithashtu, edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtic, i cili 7 vetura zyrtare ua kishte dhënë vjet në shfrytëzim edhe mediave e organizatave jo qeveritare, me gjasë nuk do të jap llogari para askujt.

Këta bashkë me zyrtarët e tjerë të shtetit sipas raporteve të auditorit mesatarisht në vit shpenzojnë afro 100 milion euro në procedura jo të rregullta përmes prokurimit publik, shkruan Gazeta Fjala.

Prokuroria: Nuk merremi me procedura për shkelje administrative

E të gjitha shkeljet të cilat Auditori i Përgjithshëm është duke i publikuar në vazhdimësi, duket se nuk po i bëjnë përshtypje zyrës së Prokurorisë së Shtetit.

Kjo e fundit në përgjigjet dhënë Gazetës Fjala ka sqaruar se prokurori i shtetit nuk merret me shkelje të procedurave administrative, por vetëm me veprime, të cilat janë të inkriminuara si vepra penale dhe për të cilat është paraparë sanksioni penal.

Prokurori i shtetit pret nga Auditori i Përgjithshëm që ta informoj prokurorinë ashtu siç është i detyruar, për të gjitha rastet që gjatë procesit të auditimit ka gjetur shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës apo elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

“..Ndërkaq, prokuroria të gjitha informatat e pranuara do t’i shqyrtoj duke vepruar në kuadër të kompetencave që ka”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë së shtetit dhënë gazetës Fjala..

Njohësit: Prokuroria duhet të nisë hetime

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka ka thënë për Gazetën Fjala se prokuroria duhet t’i inicioj hetimet lidhur me raportet e Auditorit të Përgjithshëm për keqpërdorimet në institucionet Kosovare.

“Do të duhet që prokuroria e shtetit ta merrte raportin e Auditorit, të hapte procedure, ta informoj auditorin dhe kjo duhet të plotësohet me  dispozite ligjore si obligator për Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë Smaka.

Ai thotë se krerët e shtetit harxhojnë milionat nga buxheti i varfër i Kosovës dhe nuk japin përgjegjësi.

“Presidentja e ka blerë çantën 6 mijë euro nga buxheti i Kosovës nga një buxhet i cili është më i ngrati në të gjithë Evropën. Dhe ne thirremi me një galomani të shfrenuar lidhur me këto shpenzime. Harxhime marramendëse, telefonata,  për të gjitha këto nuk jipet asnjë përgjithësi”, thotë Smaka.

Sipas tij abuzimet e konstatuara nga ZAP-I po mbeten pa e marrë dënimin nga organet e drejtësisë kosovare.

“Auditori po konstaton me miliona abuzime dhe jep rekomandime për to dhe çështja po mbetet aty pa hetime”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Ndërkohë që edhe eksperti për çështje të sigurisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani ka thënë  për Gazetën Fjala se prokuroria të lexojë raportet e Auditorit të Përgjithshëm.

“Veç paramendojeni sikur Prokuroria e Shtetit të lexojë një nga një raportet e Auditorit të Përgjithshëm. Për secilën ministri, për secilën organizatë buxhetore. Ju garantoj se një numër fort i madh i aktakuzave do të ngiteshin menjëherë. Dhe, kjo do të ndërtonte një model të ri pune për Prokurorinë. E mandej edhe për shpenzuesit e buxhetit”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij raportet e Auditorit janë punë e lehtë për prokurorinë e shtetit, ngase të gjitha janë publike.

“..Raportet ekzistojnë, janë edhe publike. Veç me i hy punës faqe për faqe dhe shumë e shumë zyrtarë të lartë të shtetit do të shkonin në gjykatë për keqpërdorime, keqmenaxhim dhe shpenzim të padrejtë të buxhetit”, ka shtuar ai. /GazetaFjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/prokuroria-nuk-merret-me-keqperdorimet-e-qeveritareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala