Prokurimi elektronik vështirë se do të nis në janar

Autori:Avdyl Pajaziti

 

Janari u dha si data e fillimit të dhënies fund të keqpërdorimeve me tenderë publik, nga ministri i Financave Avdullah Hoti.

Mirëpo, zbatimin e tij nga janari  po shihet se e pa mundur të ndodhë.

Sipas Fidan Kalasë nga lëvizja FOL kjo ndërmarrje kërkon përpos ndryshimit të tërë sistemit të prokurimit në Kosovë ajo gjithashtu kërkon edhe ngritje te kapaciteteve humane tek autoritetet kontraktuese dhe bizneset se si të përdoret sistemi i prokurimit elektronik.

“Kjo fazë do të marrë kohë dhe për këtë ndoshta Qeveria e Kosovës nuk do të mund të fillojë më zbatimin e plotë të Prokurimit Elektronik në janar të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Kalaja tha se ka vonesa të mëdha në fillimin e punës së këtij projekti.

Ai tregon se Lëvizja FOL në periudhën gusht-shtator të vitit 2011, kur ligji i Prokurimit Publik ka qenë në fazën e amandamentimit kishte kërkuar që të parashihet baza ligjore e cila lejon zbatimin e prokurimit elektronik në Kosovë.

“Që nga ajo kohë Qeveria e Kosovës në çdo gjashtë muaj është marrë me premtime se do të fillojë zbatimi i prokurimit elektronik, mirëpo tash jemi 4 vite pas dhe asnjë veprim i Qeverisë së Kosovës në drejtim të zbatimit të kësaj formë të prokurimit nuk ka filluar edhe pse i tërë projekti ka qenë i financuar dhe i bërë gati nga Banka Botërore”, tha ai.

Nga buxheti i Kosovës shpenzohen çdo vit rreth 700 milionë euro nëpërmes tenderëve për investime kapitale dhe mallra e shpenzime.

Por, Republika e Kosovës është kritikuar vazhdimisht për keqpërdorime të mëdha gjatë këtij procesi. Mos publikimi i njoftimeve për tender, shpallje e fituesve apo edhe anulimi i tyre nga ana e institucioneve kanë qenë pjesë e kritikave.

Madje edhe në raportin e progresit ka zënë vend të rëndësishëm mos transparencën në prokurimin e Kosovës.

Në këtë raport  janë ngritur shqetësime se prania e shumë subjekteve të përfshira në prokurim paraqet rrezik të madh të  korrupsionit.

“Kapaciteti i të gjitha organeve të përfshira në sistemin e prokurimit duhet të forcohet. Sistemi i përmirësimit nuk ka qenë funksional dhe procedura e emërimit të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka ngritur shqetësime serioze”, vë në pah Raporti, shkruan Gazeta Fjala.

Një ligj i ri për Prokurimin Publik  përmes metodës elektronike është parë si mundësia e përmirësimit të kësaj fushe. Qeveria e Kosovës mburret se puna në këtë projekt është më e madhja që është bërë deri tash në Kosovë.

Përmes tij parashihet freskimi i procedurave ekzistuese dhe atyre te reja që janë identifikuar si të nevojshme gjatë zbatimit të Ligjit për prokurim publik.

Ministri i Financave Avdullah Hoti i cili gjatë vikendit transmetoj lajmin se prokurimi elektronik pritet të zbatohet nga 1 janari 2016, ka llogaritur se fillimi i implementimit të këtij projekti qeveritar do t’i kursejë buxhetit rreth 80 milionë euro në vit.

“Duke rritur transparencën dhe shkurtuar shpenzimet, si dhe konkurrencën mes kompanive që konkurrojnë në tenderë”, tha Hoti në konferencën e mbajtur ditën e diel.

Por kurdo që të fillon se zbatuari Sipas Fidan Kalajës përveç që do të ndikonte në rritjen e efikasitetit të zyrave të prokurimit ku ato zyra do të shendrroheshin  edhe në zyra pune e jo arkive të mbushura me dosje tenderësh që aktualisht janë.

“ Gjithashtu Kosova do të përfitonte nga zbatimi i prokurimit elektronik duke zbatuar edhe standarde ndërkombëtare për kontraktimin e hapur”, tha ai.

Raportet kritikuese të tenderëve publike

KDI  në raportin e saj për Indeksin e Transparencës në Prokurimin Publik kanë matur transparencën e institucioneve në publikimin e procesit tenderues.

Shqetësuese sipas rezultateve nga hulumtimi i tyre del te jetë mospublikimi i tenderëve vlera e të cilëve është më e vogël sesa 10 mijë euro.

Sipas raportit numri i tenderëve të publikuar në ueb faqet e ministrive zakonisht dallon shumë për nga numri i tenderëve në ueb faqen e KRPP-së.

“Kjo për shkak se mos publikimi i tenderit në ueb faqe të KRPPsë mund të ndikojë që procedura të anulohet më pas në tërësi për mos publikim. Megjithëse edhe njoftimet e publikuara në ueb faqen e KRPP-së nuk janë të plota dhe shpesh kanë mangësi serioze në përmbajtje, ato të paktën ofrojnë disa të dhëna në lidhje me procedurën e filluar të prokurimit”, shkruan në raportin e KDI.

Përfitimet e bizneseve që ishin donator të partive politike nga prokurimet publike zënë vend në raportin e organizatës  Çohu.

Raporti i prezantuar ditë më parë nga Çohu tregon se në total, bizneset dhe donatorët e ndryshëm që dhanë mjete pesë partive politike në vend kanë përfituar mbi 220 milionë euro që nga viti 2007 në formë tenderësh publik.

Bizneset që kanë mbështetur financiarisht Partinë Demokratike të Kosovës me donacione janë shpërblyer më së shumti, me mbi 162 milion euro përmes 325 tenderëve publik.

Të dytët për nga përfitimi nga tenderët publik janë donatorët e Lëvizjes Vetëvendosje.  Kjo parti kishte përfituar 1,590 euro donacion nga biznese dhe pronarë të bizneseve, që më pastaj morën 59 tenderë në vlerën prej mbi 58 milion eurosh.  Përkrahësit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, arritën që të përfitojnë 26 tenderë, me vlerë  prej afër 10 milion eurosh.

Mbi 10 mijë euro sa ishin dhënë nga donatorët për Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë fituar 13 tenderë, që kapin shumën e rreth m pak se gjysmë milioni euro.  Donatorët e AKR-së, kishin përfituar në  41 tenderë me  vlerën mbi 3 milionë euro./Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/prokurimit-elektronik-veshtire-se-do-te-nis-ne-janar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala