Profesori që nuk shkon kurrë në ligjërata

Autori:Gazeta Fjala

Faik Krasniqi, figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Por studentët thonë se ai asnjëherë nuk ka dalë para tyre si ligjërues në lëndët për të cilat paguhet.

Magjistri i artit, sic e ka edhe titullin Krasniqi, do të duhej tu ligjëronte atyre lëndët “Intermedia Performansë”, “3D modelim”, e “Komunikimi Vizuel I-II-III-IV”.

Por, për asnjërën nga to del të mos jetë kompetent. Madje  punën e tij e kryejnë dy asistentët e angazhuar Genc Rezniqi dhe Leart Zogjani, shkruan Gazeta Fjala.

Se profesori, jep lëndë që nuk ka njohuri dhe nuk vijon në ligjërata tregojnë edhe studentët e fakultetit të arteve.

“Profesori Faik kurrë nuk vjen në ligjërata. Landën e tij e mbajnë dy asistenta të angazhuar. Po s’ka lidhje me lëndët që ligjëron, nuk ka lidhje me teknologji. As kompjuterin s’din me dhez”, tregojnë disa nga studentët e këtij fakulteti.

Ata nuk janë të vetmit që dëshmojnë këtë. Edhe kolegët e Krasniqit ankohen në të.

“…ai edhe me qenë prezent në orë nuk mundet me mbajt. Unë kisha pas qef me shku me ni ligjëratë të atij me pa qka po jep”, thotë Alban Nimani profesori që pretendon se Krasniqi i aka zënë vendin.

“Faik Krasniqi, as nuk ka thirrje, as nuk ka punu kurrë në Intermedia. Ai ka kry master për piktor, ndërsa unë master për Intermedia. Kom ba trajnim, kom qenë me ni program të ambasadës amerikane në Amerikë, për këtë lëndë”, tregon Nimani, për Gazetën Fjala.

Në këtë rast, sipas tij, është njësoj sikur gjinekologu, të kryej punën e neurologut.

Akuza për ish-Dekanin Adem Rusinovci

Sipas Namanit, lëndët që ligjëron Krasniqi janë në kundërshtim me rregulloren e fakultetit të arteve dhe në kundërshtim me statutin e UP-së.

Për këtë ai fajëson ish dekanin e këtij fakulteti, Adem Rusinovci se ka favorizuar Krasniqin.

“Krejt fajet i ka ish dekani Adem Rusinovci që i ka nda profesorat të cilët kanë qenë të masterit të ndam për landët të cilët kanë thirrje për me dhanë një landë”, thotë Nimani.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me ish dekanin Adem Rusinovci dhe me profesorin Faik Krasniqi lidhur me akuzat që iu bëhen, por asnjëri nuk kanë pranuar të flasin.

I pari ka rekomanduar  që për këtë të kërkohet përgjigje në rektorat.

Ndërkaq, Krasniqi ka thënë se nuk dëshiron  fare të merret më këtë punë.

“Sdu me diskutu me kta. Smerrna me ta, as që du me u marr me kit fare pune hiq. Po hiq sdu mu marr me kit punë”, ka thënë ai.

Ndaj tyre Gazeta Fjala mëson se janë adresuar ankesa në rektorat edhe në kohën sa rektor ishte Ibrahim Gashi ashtu edhe gjatë mandatit të Ramadan Zejnullahut.

Por asnjëri nga ish rektorët, sipas Alban Nimanit, nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me ta.

Kërkohen sanksione për profesorët që mungojnë në ligjërata

Dukagjin Popovci, njohës i çështjeve të arsimit ka thënë se mungesa e profesorëve në ligjërata, tregon për një menaxhim jo të mirë të Institucioneve publike të arsimit të lartë.

Sipas tij, nëse ata nuk përfillin rregullat duhet të aplikohen sanksionet, nga zbritja e pagës, e deri te procedurat tjera disciplinore.

“Sa i përket mungesave të profesorëve nga ligjëratat kjo është çështje e menaxhimit jo të mirë të institucioneve publike të arsimit të lartë. Në raste të tilla duhet të aplikohen sanksionet, duke filluar nga zbritja e pagës e deri te procedura disiplinore”, ka thënë Popovci.

Sipas Popovcit, studentët duhet të jenë më aktiv në denoncimin e këtyre rasteve, në mënyrë që strukturat menaxhuese të detyrohen të veprojnë./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/profesori-qe-nuk-shkon-kurre-ne-ligjerata/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala