Profesorët e pangopur

Autori:Gazeta Fjala

Profesorët e Universitetit të Prishtinës po del se janë të pangopur kur janë në pyetje parat. Ata përveç pagave të majme- 900 deri në 1400 euro, po marrin edhe 60 centë shtesë për secilin studentë që iu nënshtrohet provimi tek ta.

Marr parasysh numrin e madh të studentëve që ka UP, nga kjo shumë simbolike prej 60 centësh, vetëm për një afat të provimeve një profesor më 300 studentë mund të nxjerr një pagë minimale prej 180 euro.

Në Rregulloren për të Ardhura Personale të Universiteti të Prishtinës, precizohet që mësimdhënësit i takon kompensimi në lartësi prej 60 cent për çdo student që është paraqitur në provim përveç pagës që merr.

E hartuar në kohën kur paga e një profesori ishte 350 euro dhe qëllimi i saj ishte të krijonte të ardhura më të mira për profesorët, duke ndarë nga pagesa që bënin studentët deri në 2 euro për provim, nga 60 cent për profesorin.

Mirëpo kjo rregullore edhe pas rritjes së pagave nga Qeveria e Kosovës ende nuk është shfuqizuar, përkundrazi profesorët marrin këto shtesa nga buxheti i UP-së që ndahet nga granti qeveritar.

Jufus Thaqi , njohës i çështjes së arsimit ka thënë për Gazetën Fjala që është joparimore që profesorët të paguhen shtesë për një punë për të cilën veçse marrin pagë të rregullt.

Mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” marrin paga mujore për të kryer detyrimet e tyre si staf akademik dhe në kuadër të këtyre detyrimeve është edhe vlerësimi i studentëve,prandaj, bazuar në këtë, gjykoj që praktika e pagesës shtesë e profesorëve për “kokë studenti” për organizimin e provimeve është edhe joparimore” ka thënë ai.

Thaqi këtë e sheh edhe si të rrezikshme ngase profesorët me qëllim mund të mos i kalojnë studentët.

“Ka raste që studentët kanë raportuar se ka mësimdhënës që i ngelin shumë studentë në provime vetëm sa për t’i detyruar që t’i nënshtrohen sërish provimit dhe kësisoj profesorët të mund të marrin pagesa shtesë”, ka përfunduar ai.

Pagat e profesorëve më të larta në rajon

Paga minimale e profesorit asistent në UP është 1 mijë euro, ndërsa paga më e madhe është ajo e profesorit të rregullt 1 mijë e 430 euro, duke bërë kështu që pagat mujore për mësimdhënësit e rregullt të jenë ndër më të mirat në rajon.

Megjithatë të ardhurat e mësimdhënësve nuk po përkufizohen vetëm më pagën, ata përveç pagesës shtesë për mbajtjen e provimeve, paguhen ekstra edhe për mbikëqyrjen e punimeve të diplomës, punimeve të masterit, disertacioneve ose për pjesëmarrje në komisione të ndryshme.

Sipas të dhënave të një hulumtimi të bërë nga organizata joqeveritare D4D “Demokraci për zhvillim”, mesatarja e pagave të profesorëve në katërmujorin e parë të këtij viti ka qenë 2 mijë e 281 euro në muaj pra 60 për qind  më shumë se paga maksimale.

UP e MASHT nuk flasin për 60 centësh-in 

Dukagjin Pupovci , njohës i çështjeve të arsimit ka thënë për Gazetën Fjala se nuk ka askund në botë, që paga mesatare të jetë 60 për qind më shumë se paga maksimale.

“Nuk e besoj se në ndonjë ekonomi të zhvilluar paga mesatare mund ta tejkalojë kaq shumë pagën maksimale” ka thënë Pupovci.

Pupovci ka shtuar së Rregullorja për të Ardhura Personale duhet të ndryshojë për shumë anomali që përmban, jo vetëm për pagesën e provimeve.

“Anomalia më e madhe është së bartësit e posteve menaxhuese në universitet, duke filluar nga rektori deri të prodekanët e Fakulteteve, marrin pagën e profesorit të rregullt pavarësisht thirrjes akademike që mbajnë dhe pa obligim që, në kuadër të kësaj page të mbajnë orë mësimi”.

“Pastaj, marrin shtesën funksionale që është plotësisht në rregull, por edhe paguhen për çdo orë të mbajtur që nuk është në rregull”,

Ai ka përfunduar një arsye më shumë që të ndryshohet është edhe norma për kompensimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gazeta Fjala ka dërguar pyetje Rektoratit lidhur me atë së a parashihet ndryshimi i kësaj rregullore, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk kemi arritur të marrin as nga Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë se në qoftë së ata kanë marrë propozim ndonjëherë nga UP-ja për ndryshim të Rregullores për të Ardhura Personale./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/profesoret-e-pangopur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala