ProCredit mbyllë gjashtë degë, largon klientët dhe punëtorët

Autori:Zekirja Shabani

Për të hapur një llogari në ProCredit Bankë, banorëve të Dragashit u duhet të udhëtojnë plot një orë deri në Prizren. Me vete duhet të marrin 200 euro dhe faturën e rrymës.

Ndërkaq, qytetarëve të Malishevës u duhet të shkojnë në Gjakovë osë Suharekë për të kryer një shërbim të tillë, ose për të kryer ndonjë punë tjetër bankar.

Në qytetet e tyre kjo bankë i ka mbyllur degët dhe për pasojë rreth 200 punëtorë llogaritet se do të mbesin pa punë, ndërsa qytetarët pa një numër të madh shërbimesh.

Zyrtarët e ProCredit Bankë, kanë konfirmuar për Gazetën Fjala se deri më tani në gjithë Kosovën kanë mbyllyr gjashtë pika të shërbimit bankar dhe për këtë arsye do të ketë riorganizim të punëtorëve.

Sipas tyre kjo po bëhet me qëllim të dixhitalizimit të shërbimeve dhe avancimit të teknologjisë për zhvillim të mëtutjeshëm të biznesit.

Pro Credit nuk ka interes për klient të vegjël

Megjithatë, është edhe një arsye tjetër sipas njërit nga punonjësit e kësaj banke në njërën nga degët e mbyllura tashmë, të kthyer në një hapësirë bankomatësh.

“Banka nuk po i don më klientët e vegjël. Është e orientuar më shumë kah bizneset me transaksione të mëdha dhe qytetarët si në komunën tonë nuk kanë mjaftë para”, thotë ai.

Sipas tij, ProCredit ka  krijuar komoditet të madh tashmë dhe nuk ka interes të merret me qytetarë “që vetëm një herë në muaj tërheqin para”.

Në zyrën për marrëdhënie me publikun, në ProCredit Bank, i kanë thënë Gazetës Fjala se nuk bëhet fjalë për diskriminim të klientëve por po i përshtaten trendit të zhvillimit ekonomikë në mbarë botën.

Sipas tyre rreth 80 për qind e transkasioneve bankare bëhen përmes kanaleve elektronike elektronike të bankimit dhe për të avancuar përvojën e klientëve me bankën si dhe për të rritur efikasitetin operacional, kanë përdorë teknologjitë më bashkëkohore, të krahasueshme me ato të vendeve të Evropës Perëndimore dhe i kanë integruar ato në rrjetin e degëve të bankës.

“Paralelisht me avancimin teknologjikë banka ka ristrukturuar edhe rrjetin e degëve. Kjo ka rezultuar me mbylljen e gjashtë pikave të shërbimit bankar, të shoqëruara me investime të mëtejshme në degët tjera të rrjetit dhe në trajnimin e stafit”, thuhet në përgjigjen e zyrës për marrëdhënie me publikun në ProCredit Bank dërguar Gazetës Fjala.

Si rrjedhojë e mbylljes së këtyre pikave do të ketë riorganizim të punonjësve të bankës.

“…qëllimi i kësaj është që të optimizojm proceset dhe të përmirësojmë efikasitetin operacional, dhe në të njëjtën kohë të përforcojmë kualifikimet e stafit tonë në këshillim me anë të trajnimeve  të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigje.

Dëgët e mbyllura dhe punëtorët që do të mbesin pa punë do të zëvendësohen me shërbime elektronike.

“Një investim prej rreth 5 milionë eurosh në 2015 është bërë në avancimin e mëtejshëm të teknologjisë bankare siç është e-Banking, një platformë gjithëpërfshirëse e bankimit online, dhe lansimi i Zonave 24/7”, thonë në ProCredit.

Sipas tyre zonat 24/7,të cilat kanë filluar të hapen nëpër qytete janë një koncept krejtësisht i ri në tregun bankar të Kosovë, “dhe ka ardhur si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të klientëve tanë që të kenë qasje në shërbimet bankare 24/7”.

200 euro për hapje të llogarisë

Njëra nga format e diferencimit të klientelës, del të jetë shtrenjtimi i shërbimeve.

Me 7 korrik menaxhmenti i bankës ka marrë një vendim që për çdo hapje të llogarisë rrjedhëse qytetarëve u kërkohet depozitë minimale prej 200 euro, apoo dollarë dhe kartelë debiti në valutën euroro.

“Pagëmarrësit nuk kanë nevojë për depozitë minimale, por kërkohet të paraqitet kontrata e vlefshme e punës, përderisa për studentët të cilët sjellin dëshmi nga universiteti dhe që janë deri në moshën 24 vjeçare, kjo depozitë është 20 EUR, USD”, thuhet në cmimoren e shërbimeve.

Ndërkaq, për hapjen e llogarive të kursimit klientët të cilët pranojnë pagë ose të hyra të rregullta dhe fëmijët duhet të kenë depozitë minimale prej 50 euro ose urdhërpagesë mujore të lidhur me llogarinë ku shuma minimale nuk duhet të jetë më e ulët se 5 euro. Ndërkaq, për klientët e tjerë bilanci minimal do të jetë 500 euro.

Rezultatet financiare për gjashtëmujorin e parë të vitit tregojnë se totali i depozitave në fund të Qershorit 2015 në këtë bankë arriti shumën prej 662 milionë euro. Ndërkaq, total portofoli e kredive në këtë periudhë arriti shumën  prej 432 milionë euro. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/procredit-mbylle-gjashte-dege-largon-klientet-dhe-punetoret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala