Privatëve u bie puna me stenta

Autori:Gazeta Fjala

Skandalet me stenta në Spitalet Private në Kosovë ia kanë shtuar punën Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Duket se prokuroria ua ka ndalur hovin mjekëve që t`i orientojnë pacientët tek privatët.

Kjo është edhe arsyeja që vitin e kaluar qytetarët më shumë kanë kërkuar shërbime mjekësore në spitalet e shtetit se tek ato turke, amerikane, e institucione tjera shëndetësore të huaja.

Së paku kështu tregojnë statistikat zyrtare.

Vetëm gjatë vitit 2015  në Klinikën Kardiologjike të QKUK-së janë kryer rreth 1 mijë e 296 koronografi me rreth 445 stentime, prej tyre rreth 350 stentime në infarktin akut, ka bërë të ditur zyra për informim në QKUK për Gazetën Fjala.

Në këtë Klinikë për një muaj përafërsisht tani kryhen 152 koronarografi dhe 54 stentime.

Ndërkaq, në vitin 2014 në  Klinikën Kardiologjike  janë kryer rreth 942 koronarografi me rreth 249 stentime, 100  prej të cilave janë stentime në infarktin akut, raporton Gazeta Fjala.

Këtu më parë nuk  janë kryer shërbimet e koronarografisë si dhe vënia e stentave në zemër ngase  sipas zyrtarëve shëndetësorë, ka munguar  aparatura e duhur.

Drejtori i kësaj klinike, Gani Bajraktari ka deklaruar për mediat vendore se listat e pritjeve për pacientët që kanë nevojë për vendosjen e stentave janë reduktuar, si rezultat i rritjes së volumit të punës dhe siç thotë ai, buxheti i shtetit po kursehet, pasi që këta pacientë këto shërbime i kanë marrë jashtë institutcioneve publike shëndetësore.

“Vitet e kaluara janë dërguar shumë pacientë jashtë vendit dhe kjo dukuri ka rënë ndjeshëm prej funksionalizimit të kardiologjisë invasive, duke bërë që t’i kursejmë miliona euro buxhetit të shtetit”, ka deklaruar ai.

Një stentë në QKUK kushton 350 euro, në privat deri në 4000 euro

Çmimet e shërbimeve për vënien e stentave në sektorin publik janë dukshëm më të ulëta se në sektorin privat.

Për një koronarografi në QKUK pacientët paguajnë 150 euro, ndërsa në sektorin privat çmimi i këtij shërbimi shkon në 700 euro.

Ndërsa implantimi i një stende është 350 euro në publik, dhjetëfish më lirë se në sektorin privat, ku çmimi arrin në 3500 euro deri në 4000.

Edhe Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë ka bërë të ditur se për këtë vit klinika  Kardiologjike dhe ajo e Kardiokirurgjisë do të kenë buxhet me vlerë prej 300 eurosh.

Sidoqoftë zyrtarë shëndetësorë thonë se janë duke bërë përpjekje që të punohet 24 orë në shërbimin e trajtimit të infarktit akut, edhe pse siç thonë ata kjo kërkon një angazhim shumë më të madh në të gjitha sferat dhe është mjaft sfiduese jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet me të zhvilluara.

Mjekët nën hetime

Mirëpo lidhur me vendosjen e stentave Prokuroria e Shtetit tashmë është duke bërë hetime për 100 mjekë nga e gjithë Kosova, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në rastet e vendosjes së stendave. Hetimi që po e bënë Prokuroria e Shtetit godet një pjesë të madhe të doktorëve në gjithë Kosovën.

Prokuroria ka sqaruar se afati i hetimeve sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës është 2 vite nga fillimi i hetimit paraprak dhe zhvillimi i hetimeve në rastin “stenta” është brenda këtij afati.

“Edhe pas kalimit të këtij afati gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë një vazhdim deri në 6 muaj të hetimit, në rastet kur hetimi penal është i ndërlikuar, përfshirë, por pa u kufizuar kur ka katër apo më shumë të pandehur, janë identifikuar disa të dëmtuar, është bërë kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare, apo ekzistojnë rrethana tjera të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sqarim shtesë:Stenta është një gyp i rrjetëzuar që përdoret për të trajtuar arteriet e ngushta ose të dobëta. Arteriet janë enë gjaku të cilat dërgojnë gjakun nga zemra në pjesë të ndryshme të organizmit./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/privateve-u-bie-puna-me-stenta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala