Praktika johumane e bankave me hipoteka

Autori:Gazeta Fjala

Të nxitura nga përfitimi financiar, bankat komerciale në Kosovë nuk ndalojnë klientët e tyre që të lënë si hipotekë të vetmen pronë banimi që e kanë, duke rrezikuar kështu që në rast të dështimit të kthimit të borxhit, këta klientë të mbesin të pastrehë.

Një praktikë e tillë ekziston në shumicën e bankave kryesore komerciale në Kosovë, edhe pse një gjë e tillë shihet si johumane nga njohës të çështjeve ekononomike dhe bankare.

“Qasja që kanë bankat  në Evropën e zhvilluar është humane dhe praktikë e domosdoshme  edhe për Kosovë.  Sipas kësaj, bankat nuk kane te drejtë të hyjnë në aranzhmane me klientët të cilët në rast të pamundesisë së kthimit të huasë, mbeten te pastrehë, perkatësisht mbeten problem i shoqerise, shtetit,” thotë Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS).

Një nga bankat më të mëdha në vend, ProCredit Bank, nuk ka mohuar që i lejon klientët e vet që të lënë hipotekë të vetmen shtëpi banimi që e kanë.

Sipas tyre, banka fillilmisht bënë një analizë të kapacitetit financiar të secilit klient dhe nëse vlerësohet që investimi i klientit ka ndikim pozitiv në rritjen e kapacitetit të biznesit të tij apo prëmirësimin e kushteve të jetesës, “banka kërkon hipotekë e cila mund të jetë patundshmëri personale apo e kompanisë.”

“Në këtë rast duhet sqaruar se për të lënë hipotekë shtëpinë, vlera e kredisë duhet të jetë mbi 20,000 euro (për klientët privatë) investim ky që konsiderohet se shton vlerën e investimit të klientit,” thuhet në përgjgijet e ProCredit Bank dërguar Gazetës Fjala.

Por, kjo bankë thotë se ata investojnë në “edukimin financiar” të klientëve para se ata të marrin ndonjë vendim për kredi.

“Ndërkaq, për sa i përket shitjes së hipotekave, për bankën ProCredit nxjerrja në shitje e një hipoteke konsiderohet opsioni i fundit.”

Qytetarët e Kosovës janë në kredi në bankat komerciale në vend rreth 2 miliard euro ,sipas  raportit “Sistemi Financiar, Informata Mujore” të publikuar në shtator të  këtij viti nga Banka Qendrore e Kosovës.   Sipas këtij raporti, kreditë e marra nga ekonomitë familjare kanë shënuar rritje prej rreth 10 për qind,  ndërsa kreditë për ndërmarrje janë rritur për 2.9 për qind.

Megjithëse kohëve të tundit ka pasur rënie të normës së interesit të kredisë, kjo vazhdon të jetë ende shumë e lartë.

Sipas BQK-së, në qershor 2015, norma mesatare e interesit në krediu zvogëlua në 7.6 përqind nga 10.6 përqind sa ishte në qershor 2014.

Gazeta Fjala i ka dërguar pyetje edhe bankave të tjera – Raiffeisen Bank, Banka Ekonomike e Kosovës, bankës NLB Prishtina – por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Megjithatë, gazeta ka mësuar se as në këto institucione nuk ka ndonjë kufizim të tillë për personat që lënë hipotekë pronën e vetme të banimit.

Ndalesa të tilla nuk parashihen as në legjislativin në fuqi.  Gazeta Fjala ka dërguar disa pyetje tek Banka Qëndrore e Kosovës, por deri më tani këta të fundit nuk i janë përgjigjur interesimit të redaksisë lidhur me këtë praktikë.

Në anën tjetër, Milazim Abazi, njohës i çështjeve bankare, thotë se përvec në Kosovë, një praktikë e tillë ekziston edhe në vende të tjera të rajonit.

Por ai sqaron se para se të bëhet shitja e një shtëpië të lënë si hipotekë, bëhët një rast gjyqsor kur shteti merr përsipër të ndihmojë huamarrësin që ka dështuar të mbulojë borxhin.

“Me rastin e shitjes së një shtëpie të lënë në hipotekë për bankën, zhvillohet një proces gjyqësor dhe me këtë rast gjykatat kujdesen që qytetarit t’i sigurohet një vendosje e domosdshme dhe mos të mbetet në rrugë”, thotë ai.

Ibrahim Rexhepi tërheqë vërejtjen edhe klientëve që të jenë më të kujdeshshëm para se të marrin vendim për të hyrë në kredi, sepse sipas tij, Kosova përballet me rrethana jostabile ku ndyrshon klima për biznes dhe njerëzit humbin vendin e tyre të punës dhe rrjedhimisht nuk mund të kryejnë borxhin ndaj bankave.

“Një faj kanë edhe vetë humarresit meqenëse në mosdashje për të vlerësuar realisht mundësite që kanë, futen në borxhe pa llogaritur mirë se a mun t’i kthejnë ato apo jo.”

BQK përmes “Raportit të Stabilitetit Financiar” të publikuar në shtator të këtij viti njofton se bankat komerciale në vend vazhdojnë të reflektojnë shkallë të lartë qëndrueshmërie.

Po sipas këtij raporti, 10 bankat komerciale në tregun e Kosovës, vetëm gjatë vitit 2014, kanë regjistruar profit neto në vlerë 60.1 milionë euro./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/praktika-johumane-e-bankave-me-hipoteka/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala