Politikat e gabuara të shtetit

Autori:Zekirja Shabani

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur rrugën e gabuar për të intervenuar në politikat fiskale. Ky është vlerësimi i ekonomistëve dhe përfaqësuesve të biznesit pas vendimit të ekzekutivit për rritjen e akcizës në disa produkte dhe mos uljen e normave tatimore për produktet që në mënyrë direkte ngarkojnë buxhetin  familjar të qytetarëve.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi thotë se çdo rritje e tatimit, apo e taksave që aplikohen mbi mallrat, apo shërbimet, reflekton në çmimin përfundimtar të tyre, të cilin e paguan konsumatori.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se tashmë qeveria ka miratuar vendimin, me të cilin do të rritet akciza në duhan nga 35 euro për 1000 copë në 38 euro për 1000 copë, akciza 40 për qind në aparatet/makinat që përdorën në lojërat e fatit si dhe vendosja e akcizës prej 2 euro për kg në fishekzjarre.

“Ndonëse duken si gjëra të luksit, megjithatë, ato ngarkojnë mbi buxhetin familjar, posaçërisht pse Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave ka zgjedhë një rrugë të gabuar për intervenime në politikat fiskale: Premton për ulje të normave tatimore (si është TVSH-ja), por nuk vepron, ndërkaq ngritë taksat për një kategori të caktuar të artikujve”, thotë Rexhepi.

Kjo, sipas tij, tregon se ajo për synim ka mbushjen e arkës shtetërore, e jo mbrojtjen e buxhetit familjar.

Në parim, ai thotë se është në rregull ngritja e akcizës, por në të njëjtën kohë duhet të bëhet diçka në uljen e disa normave tatimore që në mënyrë direkte ngarkojnë buxhetin  familjar.

“Mund të duket e parëndësishme rritja e akcizës për disa artikuj, por duhet të kemi parasysh edhe disa statistika të tjera: Familjet  kosovare për duhan dhe alkool shpenzojnë 4 për qind të buxhetit familjar,sa edhe për transport- karburante, pastaj për hotele e rekreacion 2 për qind. Prandaj, akciza është ngarkesë, posaçërisht nëse ajo nuk përcillet me lehtësi fiskale, si po vepron Qeveria e Kosovës”, thekson Rexhepi.

Ndërkaq, sa i përket ndikimit në arkën e shtetit njohësit e ekonomisë vlerësojnë se do të rriten të hyrat, pasi edhe ky është synimi kryesor.

“Ta kemi parasysh se të hyrat në periudhën janar – korrik u rritën 8,7 për qind, kryesisht nga tatimet. Do të thotë se qytetarët kanë dhënë 8,7 për qind më shumë para”.

Në të njëjtën periudhë , Rexhepi thotë sen uk përftuan asnjë beneficion nga buxheti- madje as punësim.

Prandaj, ai porositë që qeveria duhet ta ketë parasysh një fakt- qytetarët nuk janë vetëm tatimpagues, por edhe përfitues nga buxheti I shtetit.

Përfitimi më i madh për qytetarët, afaristi, Burim Piraj pret që të jetë në aspektin shëndetësor dhe në mirëqenien e shoqërisë e cila do të mund të merrte si shkas ta braktisë duhanin dhe bixhozin.

Sipas tij, në shumë vende vendosja e akcizës në kategorinë e këtyre produkteve e ka si mision mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të tyre, “mirëpo në vendin tonë për fat të keq qëllimi thelbësore për të mos thënë i vetëm është arkëtimi i më shumë mjeteve në buxhetin e shtetit”.

Ai e përkrah rritjen e akcizës në këtë kategori të produkteve por është skeptik që akciza do të arrije efektin e menduar.

“Në shtetin tonë informaliteti është shumë i madh dhe nga e kaluara lëvizje të tilla kanë qenë promotor i ngritjes së informalitetit dhe kontrabandës, po shpresoj se kësaj radhe nuk do të ndodh e njëjta gjë dhe se do të kemi kapacitete për të luftuar kontrabandën e cila pritet të ndodh”, thotë Piraj./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/politikat-e-gabuara-te-shtetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala