Politika e Thaçëve dhe Pacollëve rriti vdekjet në trafik

Autori:Avdyl Pajaziti

Sigurimet gjithkund në botë përdorën për të ruajtur jetën e njerëzve. Në Kosovë e bëjnë të kundërtën. Politika e sigurimeve e ndërtuar nga Thaçët e Pacollët ka rezultuar me rritjen e vdekjeve në trafik dhe zvogëlim drastik të aksidentet me dëme materiale. Kjo është bërë më qëllimin e vetëm që të përfitojnë sa më shumë para.

Vdekshmëria është rritur pas hyrjes në fuqi të politikave të reja të sigurimit. Rritja ka ndodhur në vitin 2014 me rimte shqetësuese prej 6.7 për qind.

Kjo rregullore kishte hyrë në fuqi nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, të cilën në atë kohë e udhëhiqte Gani Thaçi, vëllai i kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçit. Ndërsa, kryetar i bordit të sajë ishte Rrahim Pacolli, familjar i njeriut të dytë të qeverisë së atëhershme, Behxhet Pacollit.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në vitin e fundit janë tetë vdekje më tepër.

“Në vitin 2013 kishim 119 vdekje në trafik, ndërsa në vitin 2014 janë 127”, thanë për gazetën Fjala Policia e Kosovës. Ndërsa, me dëme materiale janë shënuar 3500 aksidente më pak.

Policia nuk ka bërë një analizë për numrin e vdekjeve në trafik. “Sa i përket numrit të aksidenteve me fatalitet për vitin 2014, është në proces raporti analitik lidhur me shkaktaret e aksidenteve”, thanë për gazetën Fjala, Policia e Kosovës.

Bosët e sigurimeve një gërvishtje të llamarinës e trajtojnë njëjtë sikurse një aksident me fatalitet që rezulton mevdekjen e 5 personave. Kjo po ndodhë sepse sigurimi për fajtorët e aksidenteve rritet në bazë të numrit të aksidenteve. Banka Qendrore e Kosovës e mbështetë plotësisht këtë politike.

“Kjo rregullohet përmes sistemit të Bonus Malusit. Implementimi i këtij sistemi është se me të përfitojnë vozitësit e mirë dhe të disiplinuar, të cilët janë të kujdesshëm në komunikacion dhe nuk shkaktojnë aksidente, derisa do të ndëshkohen vozitësit e pakujdesshëm dhe të padisiplinuar, të cilët shkaktojnë aksidente”, tha për gazetën Fjala, Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së.

Në rregulloren e Bonus-Malusit nuk ceket asnjë vlerë dëmi që rrit përqindjen e premisë.

“Për çdo dëm të paraqitur në periudhën e vëzhgimit pavarësisht nga kohëzgjatja e sigurimit, i siguruari zhvendoset për vitin e ardhshëm të sigurimit për tre shkallë premie më lart, por jo më shumë se deri te shkalla e tetëmbëdhjetë”, thuhet në këtë rregullore. Pra, për çdo dëm automatikisht ai që paguan sigurimin duhet të paguajë 35 për qind shtesë.

Politika që po zvogëlon dëmet e po rritë vdekjet në trafik ka bërë që të reagojë edhe aktori Naim Berisha, i cili viteve të fundit ka ndërmarrë një varg aktivitetesh për vetëdijesim të shoferëve që të mos shkaktojnë aksidente, sidomos ato me fatalitet.

“Aksidentet do të duhej të trajtoheshin në bazë të peshës së tyre, duke filluar prej humbjeve të jetëve njerëzore dhe lëndimeve ,të cilat do të duhej të kishin prioritet. Mandej të vazhdohej me humbjet ekonomike, të bazuara në peshën e dëmeve materiale”, tha Berisha.

Ai thotë se do të vazhdojë luftën e nisur vite më herët.

“Personalisht do të jemi i përkushtuar të bëj ç’është e mundur që brenda mundësive materiale dhe profesionale t’i sensibilizoj qytetarët pikë së pari për ruajtjen e jetëve njerëzore. Ne jemi njerëz dhe së pari duhet të kemi ndjeshmëri ndaj njeri tjetrit”, shtoi Berisha.

    Aksidentet e komunikacionit rrugor për vitet 2010-2014 sipas Policisë së Kosovës

10934618_10205706510610897_268150069_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/politika-e-thaceve-dhe-pacolleve-rriti-vdekjet-ne-trafik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala