Plaçkiten mbi 700 xhamia

Autori:Zekirja Shabani

Mbi 700 xhami, 1147 shkolla dhe 30 kisha anekënd Kosovës KEDS dhe ZRrE i trajtojnë si biznese. Ato paguajnë rreth 50 për qind më tepër se konsumatorët tjerë, pavarësisht se nuk bëjnë kurrfarë biznesi. BIK ndihet i ofenduar dhe kërkon që të lirohen krejtësisht nga pagesa sikur në shumë vende tjera të botës.

Ezanit të Myezinit në xhaminë Haxhi Ibrahim Devolli në Pejë, po i gëzohet shumë bullgari George Karagutoff. Ai nuk falet, e as nuk i përgjigjet kësaj thirrje për lutjet e besimtarëve myslimanë. Por, në mënyrën e vet duket se lutet që Myezini ta zgjasë sa më shumë të jetë e mundur thirrjen e tij me autoparlant.

Për kompaninë që ai drejton xhamia nuk është vetëm një objekt fetar, por një biznes që i paguan çdo muaj një shumë të konsiderueshme të parave konzorciumit turk “Calik&Limak”. George Karagutof është drejtor i përgjithshëm i KEDS-it në Kosovë. Ndërsa, sa më shumë vihet në funksion autoparlanti i “shtëpisë së Zotit” aq më shumë shpenzohet energji elektrike, të cilën KEDS e faturon me tarifë të biznesit.

Fatura e fundit për muajin dhjetor në xhaminë Haxhi Ibrahim Devolli në Pejë, ka ardhur rreth 370 euro. Myezini i kësaj xhamie Gazmir Sahara tregon se kjo shumë është faturuar vetëm për një nxemje që kanë përdorur xhemati për të ngrohur hapësirën 100 metra katror.

“Sikur ti kishim aktivizuar të dyjat, sigurisht deri ka 700 euro kish shku fatura”, thotë ai.

Në këtë xhami, përveç nxemjes, dritave dhe zmadhuesve për ezan nuk ka ndonjë aparat tjetër që punon me rrymë. Ky institucion fetar nuk është i vetmi që paguan energjinë elektrike sikur të ishte biznes. KEDS ngjashëm i faturon të gjitha xhamitë në territorin e Kosovës, objektet edukativo arsimore, ashtu sikur edhe kishat e objektet tjera përcjellëse.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i KEDS, Guri Shkodra, duke bërë të ditur se institucionet fetare në Kosovë në përgjithësi janë pagues të rregullt të energjise elektrike.  Ndërkaq, faturimi i energjisë së shpenzuar për ta zbatohet për çdo periudhë të faturimit duke u bazuar në të dhënat e lexuara nga njehsori, për konsumatoret me tarifa të rregulluara në bazeë të tarifave të miratuara nga ZRrE.

“… institucionet Fetare faturohen si konsumatorë afaristë për vet faktin që nuk trajtohen konsumatorë shtepiak. Ligji definon dhe përcakton saktë kategoritë dhe ndarjen e konsumatorëve në kategori”, thotë Shkodra.

Si biznese trajtohen pos xhamive edhe rreth 30 kisha katolike, sikurse shkollat fillore dhe të mesme publike të cilat nuk kryejnë asnjë aktivitet biznesi.

Defteri i KEDS-it

Në defterin e KEDS-it sikur të ishin fabrika prodhuese, llogariten edhe shkollat. Mesatarisht çdo muaj Shkolla Fillore “Idriz Ajeti”, në Shalë të Lipjanit paguan rret 170 euro energji elektrike.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë shkollë, Izet Shamolli, befasohet si ka mundësi të faturohet kaq shtrenjtë një objekt që ka në shfrytëzim vetëm kompjuter e drita.

“Ngrohjen qendrore e kem me dru. Veç për drita e disa kompjuterë paguajmë gati 200 euro në muaj”, thotë Shamolli.

Në tërë territorin e Kosovës janë gjithsejtë 1147 shkolla që paguajnë energji eletrike si biznese. Kështu ka vendosur rregullatori i Energjisë në vend, zyrtarët e së cilit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetësfjala lidhur me këtë qështje.

BIK: ky është absurd

Në Bashkësinë Islame të Kosovës, vlerësojnë se jo vetëm se nuk është e arsyeshme por madje është absurd i llojit të vet që objektet fetare të ngarkohen me pagesë të rrymës si biznese.

“Në shumë vende të botës objektet fetare lirohen nga të gjitha obligimet komunale, e edhe nga pagesa e rrymës”, thotë Sekretari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi. Sipas tij edhe në Kosovë, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, objektet fetare do të duhej të liroheshin nga këto komunali, “për më tepër për faktin se ato shpenzime I bëjnë taksapaguesit-qytetarët, besimtarët të cilët edhe ashtu i paguajn tatimet”.

Rexhepi tregon se janë gjithsej rreth 800 objekte të Bashkësisë Islame: prej tyre rreth 745 janë xhami kurse te tjerat janë objekte administrative. Ai nuk jep ndonjë shifër të përgjithsme se sa paguan BIK-u energji elektrike për të gjitha këto objekte, pasi secila xhami paguan ndaras për rrymën e shpenzuar.

“Natyrisht, nuk janë përfshi këtu objektet e Luginës së Preshevës për të cilat ne paguajmë shpenzimet e rrymës, madje edhe atë sikur të ishin biznese”, pohon Rexhepi.

Muaj më parë përmes OSBE, pesë bashkësitë fetare të Kosovës iu kanë dejtuar edhe me shkrim KEK-ut dhe ZRrE-së me kërkesë që trajtimi i objekteve fetare të bëhet jo si biznese. “Megjithatë, deri më tani nuk kemi ndonjë përgjigje”, tregon ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/plackiten-mbi-700-xhamia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala