“Perandoria” Zharku

Autori:Avdyl Pajaziti

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për të gjetur se ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku vjen nga një familje që ka në pronësi dhe lidhje me një numër të madh biznesesh të fuqishme në vend.

Kompani të profileve të ndryshme me qarkullim milionësh dhe individë mjaftë të pasur përbëjnë atë që shumë e quajnë perandoria Zharku.

Së paku pesë prej këtyre bizneseve udhëhiqen ose janë pronë e vëllaut të ministrit Zharku, Ilazit.

Gazeta Fjala, në bazë të dokumentacioneve të nxjerra nga ARBK, ka gjetur se këto kompani merren me tregtimin e naftës, çimentos, materialeve ndërtimore, gurthyes, fabrika për prodhimin e betonit, hoteleri, ndërmjetësim dhe më shumë aktivitete të tjera të cilat lidhen ngushtë me pozitat udhëheqëse që ka mbajtur dhe vazhdon t’i mbaj Lutfi Zharku.

Përveç vëllaut të tij, persona mjaftë të rëndësishëm në këtë mes janë edhe Adem Krasniqi  ish-drejtor i Prokurimit në MTI në periudhën 2008-2010 dhe aktualisht Shef i Kabinetit në MI; Fatos Sahiti vëllai i gruas së Lutfi Zharkut, ish- këshilltar Politik në MTI në periudhën 2008-2010 dhe aktualisht Kryesues i Bordit të Drejtorëve të NPH Ibër Lepenci; Besim Tahiri ish- zyrtar i Lartë i Prokurimit në MTI në periudhën 2008-2010 dhe aktualisht U.D i Drejtorit te Prokurimit ne MI; Beqir Shehu asistent dhe nip i Lutfi Zharkut.

Gazeta Fjala, ka provuar të kontaktoj me Ilaz Zharkun dhe ministrin Lutfi Zharku për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me aktivitetet afariste, por nuk ka pasur sukses.

Këto janë bizneset e Zharkut:

“Fast” Sh.p.k. është kompani në pronësi të Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2011 dhe e cila merret me prodhimin e çimentos, prodhimin e gëlqerës dhe llaçit, prodhimin e produkteve prej betoni, tregtimin me  pakicë të pijeve dhe duhanit. Kjo kompani ka në pronësi edhe një fabrik për prodhimin e betonit të gatshëm. Në këtë kompani është e punësuar edhe bashkëshortja e Lutfi Zharkut, Merita Zharku, e cila përfiton nga kjo kompani pagë vjetore prej 5,776.20 euro.

“Por si ndërmjetësues për shitjen e produkteve të kësaj kompanie është edhe Skender Kuka i cili ka filluar punën në Ministrinë e Infrastrukturës në vitin 2015  dhe aktualisht punon si menaxher projektesh në Departamentin për Menaxhimin e Rrugëve pranë MI-se. I njëjti është menaxher në disa projekte të financuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe te gjitha kompanitë që mbikëqyren nga Kuka janë të obliguara që blerjen e materialeve ndërtimore ta kryejnë tek kompania e vëllait të ministrit”, thonë burime të Gazetës Fjala.

“Inex Petrol” Sh.p.k është kompani në pronësi të Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2008, në kohën kur  Lutfi Zharku ishte Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Sipas procedurave ajo duhej të liçensohej në këtë ministri me nënshkrimin e vëllait të tij Lutfi Zharkut. Kjo kompani merret me përpunimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit, me shërbime hoteliere dhe me ndërmjetësime në shit-blerjen e produkteve të naftës dhe derivateve të saj. Kjo pikë e derivateve gjendet në hyrje të Kaçanikut dhe gjithashtu posedon edhe një restorant.

“Geore” L.L.C është kompani e krijuar në 15/03/2016, pas ardhjes se Lutfi Zharkut si Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo kompani ka si aktivitet primar, nxjerrjen e produkteve nga nëntoka siç janç: nxjerrja e zhavorrit, rërës, hekurit etj. Kjo kompani është e themeluar nga 4 bashkë-pronarë ku njëri ndër ta është edhe Ilaz Zharku. Si bashkë-pronarë është edhe Samedin Rexha aktualisht drejtor i Bifurkacionit në Kaçanik.

Por Samedin Rexha rezulton të ketë qenë drejtor në kompaninë “Aqualab Sh.p.k” & ”Derivati Sh.p.k”. Kompania “Derivati Sh.p.k” kishte si drejtor të saj Samedin Rexha kur u  akreditua në vitin 2009 si “Laborator për Analiza të Naftës dhe Derivateve të saj” dhe njëkohësisht kur ministër ishte Lutfi Zharku.

Një tjetër ortak në këtë kompani është Ahmet Muhaxheri, i cili gjithashtu është edhe pronar i kompanisë “Fershped” nga Ferizaji, kompani kjo e cila sipas burimeve të gazetës është  ndër nën-kontraktorët kryesorë të Bechtel&Enka në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

CONS O.K. është kompani në pronësi të Mustafa Vlashit dhe Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2003 dhe e cila kishte si aktivitet primar “Ndërmjetësimin për Shitjen e Lëndës së Drurit dhe Materialeve të Ndërtimit”. Në po të njëjtën periudhë edhe Adem Krasniqi, aktualisht shef kabineti në Ministri të Infrastrukturës themelon një kompani të quajtur “N.T. Rrjeta” e cila kishte si aktivitet primar “Ndërmjetësimin për Shitjen e Lëndës së Drurit dhe Materialeve të Ndërtimit”. Kjo kompani e cila ishte në pronësi të Adem Krasniqit është mbyllur me datë 18/04/2016 afër 15 muaj pasi i njëjti ishte emëruar si Shef Kabineti në MI.

“Kacaniku-Commerce” Sh.p.k është kompani në pronësi të Ilaz Zharkut e themeluar në vitin 2003 dhe e cila merret me prodhimin e produkteve prej betoni, tregtimin me shumicë dhe pakicë të materialeve ndërtimore si dhe me transportin rrugor të mallrave. Kjo kompani ka si bashkëpunëtor disa nga kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe tregtimit të materialeve ndërtimore në Kosovë siç janë: Xella Kosova, Silcapor, Sharcem etj.

13714571_10210123181260330_1666778195_n

 Të afërmit e Zharkut në biznes

Fatos Sahiti, aktualisht Kryesues i Bordit te Drejtorëve të NPH Iber Lepenci, është një ndër personat e afërt në biznes dhe i cili është edhe vëllai i gruas së Lutfi Zharkut. Sipas Fomularit të Deklarimit të Pasurisë i njëjti figuron të ketë në pronësi toka dhe objekte në vlerë prej 2.5 milionë euro dhe gjithashtu ka deklaruar se ka të hyra vjetore më shume se 20 mijë euro.

Sahiti në periudhën 2008-2010 ka qenë Këshilltar Politik i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

Ai aktualisht merr një page vjetore prej 12.000 euro si konsulent në kompaninë IMN Bau Block Gjakovë (Fabrika e Tullave në Gjakovë) e cila është në pronësi të Bajram Gashani, pronar i kompanisë AL-TRADE. Kompania Al-Trade aktualisht ka kontrata nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë prej 4 milionë euro, por e njëjta edhe në kohen sa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë udhëhiqej nga Zharku kishte marrë disa tenderë milionësh.

Besim Tahiri, aktualisht U.D i Drejtorit të Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, në periudhën 2008-2010 ka qenë zyrtar i Lartë i Prokurimit në MTI.

Në vitin 2012 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë për Kundërvajtje në Prishtinë për mos deklarimin e rregullt të gjendjes së pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, brenda afatit ligjor, me gjobë prej 1000 euro.

Burime brenda ministrisë së Infrastrukturës thonë se ai ka ardhur në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Prokurimit në këtë institucion në muajin mars të këtij viti dhe gjithashtu ai është bartur në këtë pozitë me kërkesë të Ministrit Zharku edhe pse nuk ka punuar me parë në këtë ministri.

Ndër njerëzit e besueshëm të biznesit në në këtë mes thuhet se është edhe Beqir Shehu, i cili ka qenë dhe është aktualisht shofer i Ministrit Zharku. Shehu thuhet se është njeri i besueshëm i ministrit i përfshirë në disa raste.

13714566_10210123181300331_2085001059_n

13713380_10210123181420334_1596989399_n 13714566_10210123181300331_2085001059_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/perandoria-zharku/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala