Për një muaj 3 mijë kosovarë kërkojnë punë

Autori:Gazeta Fjala

Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit po vazhdojnë të kërkojnë punë. Madje numri i tyre duket se do të jetë goxha i madh.

Vetëm brenda një muaji e gjysmë, zyrave të punësimit i kanë mësyrë rreth 3 mijë persona të dy gjinive.

“… për më pak se dy muaj në zyrat e punësimin në të gjithë territorin e Kosovës janë lajmëruar 2 mijë e 911 persona punëkërkues. Nga ky numër i përgjithshëm rreth 1176 punëkërkues i takojnë gjinisë femërore”, ka thënë për Gazetën Fjala, Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Derisa, nga ky numër gjysma e tyre del të jenë femra.

Në mesin e të papunëve është edhe Elvidona Gërguri, e diplomuar në Fakultetin Ekonomik. Ajo tregon se pavarësisht interesimit të madh për ta gjetur një vend pune gjatë vitit 2015 nuk ka arritur të punësohet.

“Kam konkuruar në shumë vende si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Kam përfunduar fakultetin që disa muaj. Sikur të mund të punësohesha do të mund ta ndihmoja veten dhe familjen time. Do të vazhdoja studimet edhe për master dhe do të punoja në njëjtën kohë. Por, nuk po arrij. Kështu që, edhe t’i regjistroj studimet në shkallë më të lartë, nuk po arrij, për shkak të mungesës së parave”, thotë Elvidona.

Ajo shpreson që viti 2016 ta gjejë atë në një vend të sigurtë të punës.

Por ministria e Punës ende nuk e di se sa vende të reja të punës do të jenë të lira për këtë vit.

Ky Institucion ka bërë me dije se për vitin 2015 numri i vendeve të lira të punës sipas të dhënave nga  Zyrat e Punësimit në periudhën janar deri në  dhjetor, 2015, ka qenë 12 mijë e 865.

Kurse, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi pati deklaruar se në vend brenda vitit 2015 janë punësuar rreth 17 mijë qytetarë, shifër kjo e përafërt me punëkërkuesit e që bie ndesh me deklarimet mbi vendet e reja të punës nga Zyrat e Punësimit.

“Numri i punëkërkuesve të regjistruar në Zyrat e Punësimit në periudhën janar – dhjetor, 2015 është 17889, prej tyre 7485 janë femra”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punës, dhënë Gazetës Fjala.

Madje këto shifra të qeverisë u patën kontestuar edhe nga njohës të çështjeve ekonomike në vend.

Ibrahim Rexhepi, drejtor Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”,  ka hedhur dyshime mbi deklaratat e ministrit Abrashi.

“Ministri Abrashi ka përmendur një shifër, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër se ku paska ndodhur ky punësim, apo cilat burime (statistika) ka shfrytëzuar. Për këtë arsye është vështirë të besohet se vjet paska ndodhur ky punësim”, tha Rexhepi për Gazetën Fjala.

Njëjte si Rexhepi dyshime për këto shifra pati hedhur edhe Oda Amerikane në Kosovë sipas së cilës  nuk u besohet shifrave të deklaruara nga Qeveria e Kosovës.

Arian Zeka tha për Gazetën Fjala se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur ndonjë investim të huaj ose edhe ndonjë investim madhor të  brendshëm, i cili do të ndikonte në gjenerim kaq substancial të vendeve të punës.

“Në mungesë të sqarimeve të detajuara, do të doja të besoja që shifrat e tilla janë nga luftimi i informalitetit në punësim”, tha Zeka.

Edhe Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se numri i të punësuarve është i pamjaftueshëm për të ulur nivelin e lartë të papunësisë.

“Unë besoj se aq vende të punës janë hapur, por nevoja e Kosovës është që të krijohen më shumë vende pune. Normalisht, ne si BSPK, nuk jemi të kënaqur, pasi shkalla e papunësisë është shumë e madhe në Kosovë”,shprehet Arifi.

Fushat në të cilën kërkohen më së shumti punëtorë

Ndërkohe  sektorët për të cilët kërkohen më së shumti punëtor sipas Ministrisë së Punës janë  Tregtia,  riparimi i automobilave dhe artikujve shtëpiak.

Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2014 shumica e të punësuarve kanë pozita pune në shërbime dhe shitje si punëtor zejtarie dhe tregtie.

Prej tyre rreth 60 për  qind  janë operator fabrikash dhe montues. Rreth 60 për qind janë punëtor shërbyes dhe shitës në dyqane tregtie, ndërkaq në teknike dhe profesione të lidhura me të janë rreth  54 për qind.

Këto pozita elementare përfshijnë pastrues dhe ndihmës, punëtore të bujqësisë pylltarisë dhe peshkimit, punëtor të shitjeve në rrugë si dhe punëtor të tjerë elementar.

Ndërkaq komuna me më së shumti vende të lira pune është komuna e Prishtinës, me 1 mijë 102 vende të lira.  Aktiviteti ekonomik që ka krijuar më shumë vende të lira pune është tregtia, riparimi i automobilave dhe artikujve shtëpiak me 1 mijë 687 vende të lira pune.

Mbi 700 mijë kosovarë nuk janë të interesuar për punë

Megjithatë,  në vitin 2014 përqindja e personave joaktivë, të cilët nuk kërkojnë punë pasi besojnë se nuk ka dhe dekurajohen nga punësimi është mbi 700 mijë persona. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore në Kosovë niveli i dekurajimit është më i lartë tek femrat.

Me këto statistika Kosova vazhdon të prijë si vendi me më pak të punësuar në rajon, pas saj janë Bosnja me 27. 5 përqind të papunë dhe e treta vjen Serbia me 18.9 për qind.

Ndryshe, shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë Kosovën e ka përcjellë që nga përfundimi i luftës së fundit.

Ndërkaq, pikërisht situata ekonomike ka qenë një nga arsyet që Kosova, në fund të vitit të kaluar është ballafaquar me rritjen e migrimit të qytetarëve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/per-nje-muaj-3-mije-kosovare-kerkojne-pune/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala