Për 100 ditë mbyllën Trepçën e Aeroportin

Autori:Zekirja Shabani

Në 100 ditë qeverisje, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi mund të mbeten në histori si dy partnerët qeverisës që arritën gati ti vënë drynin gjigantit metalurgjik “Trepça”. Përveç kësaj, ata do të kujtohen sa herë që kosovarët do të udhëtojnë me aeroplan, si dy liderë që lejuan mbylljen e hapësirës ajrore të vendit për shkak të krizës financiare në ndërmarrjen “Kontrolli Ajror”.

Për gjithë këtë periudhë qytetarët thuajse i kanë humbur shpresat se qeveria e re do të hapë vende të reja pune dhe do të rris mirëqenien sociale.

Ata po frigohen se do tu rrezikohen edhe ato vende që kanë. Krej kjo pasi qeveria ka paaralajmëruar shuarjen e shumë pozitave ekzistuese në institucionet publik me ndryshimet në ligjin për paga e ristrukturimin e administratës.

Minatorët kapin fshesat

Tash e sa muaj minatorët e kësaj ndërmarrje nuk kryejnë punët për çfarë janë përgatitur. Ata në vend të shpimeve të thella, e nxjerrjes së xeheve, kanë marrë fshesat dhe pastrojnë rrugët dhe merren me mirëmbajtjen e galerive nëntokësore sa për të përmbushur orarin e punës dhe arsyetuar pagën.

“Trepça” nuk ka leje pune dhe fati i kësaj ndërmarrje tani ka mbetur në dorë të bordit jo funksional të Komisionit për Miniera dhe Minerale.

Minierat e Trepçës, Stan Tërg dhe Artanë, që nga 24 janar i vitit 2015, janë pa licencë shfrytëzimi, me çka ka ardhur deri tek ndërprerja e prodhimit.

Në njoftimin e një dite më parë të menaxhmentit të kësaj ndërmarrje thuhet se rrethanat e krijuara për shkak të ndërprerjes së procesit të prodhimit, Trepçës i kanë shkaktuar dhe janë duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe probleme në funksionimin e saj të tërësishëm.

Kështu thuhet se ekziston rrezik potencial që nëse vazhdohet edhe për një kohë kjo situatë, minatorët do të mbesin pa paga.

Megjithatë, ish deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ditë më parë duke folur mbi gjendjen që po kalon Trepca ka kazuar drejtuesit e saj, duke thënë se ata e kanë sjellë në këtë gjedje këtë ndermarrje dhe jo mungësa e licencës.

“Menaxhmenti i Trepçës duke parë gjendjen buzë falimentimit në të cilën e ka sjellë këtë gjigant industrial , provoi që fajin t’ia hedh institucioneve qendrore , por borxhet ndaj operatorëve ekonomik, borxhet për shërbimet publike, blerja e makinerive të vjetra-për të reja, realizimi i projekteve jofitimprurëse për Trepçën, dështimi në shitjen e koncentratit dhe krijim i ekstra përfitimeve të menaxhmentit për veten e tyre në kundërshtim me ligjin , siq është rasti me “Qetën e Shpëtimit”, këto dhe shumë fakte të tjera dëshmojnë për keq- menaxhim të ndërmarrjes Trepça”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu po ashtu ka akuzuar se menaxhmentin e Trepcës, për siq ka thënë ai dashtimin e shitjës së Koncentratit të  plumbit dhe zinkut.

Kontrollit ajror i mbyllen llogaritë

Pa paga tashmë kanë mbetur punëtorët e Kontrollit Ajror, pasi një pjesë e llogarive të kësaj ndërmarrje janë mbyllur për shkak të zbatimit të vendimit të Gjykatës, që ka të bëjë me disa borxhe për shpronësimin e pronave.

Gazeta Fjala pati raportuar se ndërmarrja e cila i koordinon të gjitha fluturimet brenda territorit të Kosovës ka dhënë paralajmërimin e fundit tek Qeveria e Kosovës se për shkak të krizës financiare nuk mund të zhvillojë aktivitetet e saja.

Kështu,me ndërprerjen e shërbimeve të Kontrollit Ajror automatikisht mbyllet hapësira ajrore e Kosovës.

Gazeta Fjala ka siguruar një dokument që i është drejtuar Qeverisë së Kosovës nga menaxhmneti i kontrollit ajror me datën 9 mars të këtij viti.

“Nëse nuk ndërmerrni hapa konkret në përputhje me kërkesën tonë për përkrahje të menjëhershme financiare, pasojat do të jenë pamundësia e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë dokument të siguruar nga Gazeta Fjala.

Aty shkruan se pa fluturime do të mbesin përveç qytetarët, edhe forcat ushtarake të NATO/KFOR.

“Pamundësia e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror mund të rezultojë me mosfunksionimin e aviacionit civil dhe ushtarak (NATO/KFOR) në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e firmosur nga Bekim Jashari, kryesues i Bordit dhe Bahri Nuredini, kryeshef ekzekutiv në ANP-Kontrolla Ajrore “Adem Jashari”  .

Sipas këtij dokumenti, deri tek kjo gjendje ka ardhur pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet kërkesave të vazhdueshme për trajtimin e një varg telasheve që janë bartur në këtë ndërmarrje pas procesit të koncesionimit./GazetaFjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/per-100-dite-mbyllen-trepcen-e-aeroportin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala