Pazari i rrugës (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Djathi, gjiza e mishi, janë vetëm disa nga produktet që ekspozohen për çdo ditë në diell e pluhur. Ende pa hyrë në tregun e Gjelbër të Prishtinës, të presin gjërat ushqimore të renditura një pas një. Zhurma e njerëzve dëgjohet në të katër anët, dëgjohen “llafet” e atyre që shesin dhe atyre që blejnë duke u shtyrë mes vete për çmimet e gjërave ushqimore që nuk duhet të tregtoheshin në kushte të tilla.

Të nxehtit përvëlues tregtaret nuk i ndal që të dalin në mes të rrugës bashkë me gjerat ushqimore. Rruga që ndan tregun nga dyqanet e tjera është e stërmbushur nga shitësit, ndërsa makinat të cilat kalojnë njëra pas tjetrës bëjnë tollovinë më të madhe.

Arben Mana që vie nga Podujeva por që jeton në Prishtinë, thotë se nuk qëndrojnë me dëshirë në mes të rrugës, por janë të detyruar ngase nuk kanë vend tjetër ku të shesin mallin e tyre.

“Jemi anku në komunë po s’po na bajnë ven, në rrugë po duhet me shitë”.

Mana duke bërë me dorë në të katër anët, pranon se kushtet janë të tmerrshme.

“Siç po shihet kushtet janë të tmerrshme, nuk ka vend ku njeri mund të punojë ashtu siç duhet”.

Ai duhet t’i mbajë produktet në tavolinë në mes të nxehtit dhe kjo sipas tij po i shkakton dëme.

“Po prishen senet, nxehti i madh po i prish, por po duhet me vazhdu çdo ditë kështu”.

Problemi i vetëm nuk janë “tezgat” me të cilat do të mund të punonin, problem tjetër janë edhe makinat të cilat shkaktojnë tollovi në treg.

1

Hasan Matoshi nga Kamenica por që jeton në Prishtinë, flet për gazetën Fjala i nervozuar me lejimin e qarkullimit të makinave rrugës ka shiten gjerat e ndryshme.

“Me tonat t’zezat u ba Prishtina, ni parking të kerreve s’jonë gjendje me ndreq. Këtë pazar nuk janë gjendje me ndreq. Qen u mush Prishtina në tana anët. Le të jepin dorëheqje menihere krejt. Kurgjo nuk janë tu ba, veç për interesa të veta. Qysh mahet kështu pazari pa as ni parking të kerreve”.

Matoshi thotë se kjo gjë nuk i intereson askujt.

“S’iu intereson për kërkon hiq. Veq kshyri kerr mi kerr. Dej kur more kshtu. As i intereson komunes. Që 16 vjet osht tu shkue qishtu”.

Pa faj a nuk po i lë policinë dhe inspektorët që nuk dalin të vënë rend në treg.

“Policia qashtu vinë, veç vinë qitu dy kerre. Veç rrinë, kurrë pi kerreve s’dalin, veç ikun s’iu intereson. Prej që u hi Shpend Ahmeti kurrë inspektorët s’jonë dal”.

Ai e krahason tregun me kampet e Plemetinit.

“As kampet e Plemetinit ma përzi s’jonë kanë. Qe këtu plot qen mushet, s’kom pa more kurrë kështu kësi njerëz, as në shekullin e 10 su kanë ma zi se qitasht”.

3

Ndërsa për Fetah Ibrahimin, banor i fshatit Alabak të Podujevës, problemi i tij i vetëm është vendi ku mund të lë mallin e tij.

“Duhet me ba diçka për parking të kerreve,  kështu mirë, paqt me ndreq. Edhe me jav dhan ni shumë për shembull  krejt neve tregtarëve që punojmë kapak, naj shumë të vogël. Për shembull me pagu 40 euro për ni pjesë të vendit, që me pas ku me shit”.

Ibrahimi thotë se duhet të bëjë diçka komuna rreth kësaj pune. Ai thotë se edhe pse e bën këtë punë, nuk po i sjell shume fitime.

“Po komuna si komunë nihere për nihere nuk ka ba asgjë për me ndreq kit vend. Duhet me investu. Kjo nuk është punë që na sjell fitim, na dalim veç për idare”.

6

Edhe Besim Hasani, thotë se nuk e kanë vendin kur të lënë gjërat e tyre, se përndryshe nuk do t’i linin në rrugë.

“Se kemi vendin, dhe normalisht që duhet t’i lëmë kështu”.

I pyetur nga gazeta Fjala, se a ankohen klientët ai u përgjigj se jo.

“Klientët nuk ankohen që i lajna kështu, amo kushtet nuk janë të mira, shumë herë ndodhë që prishen, dhe kjo na shkakton shumë dëme”.

Mungesa e vendeve ku do të mund t’i linin gjërat për t’i shitur po ju mungon atyre. Përveçse kanë telashe me prishjen e domateve, patateve , halli kryesor i këtyre njerëzve është mungesa e një vendi në të cilin do të mund të punonin./Gazeta Fjala/.

7

2

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/pazari-i-rruges-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala