Paratë e rrugës

Autori:Zekirja Shabani

Rrugët e Amsterdamit nuk i dolën më të mira se sa ato të Prishtinës Adhurimit.

Ai për 15 vjet qëndroi në kryeqytetin Holandez por pas kaq vitesh vendosi të kthehet në Prishtinë.

Për jetën e atjeshme nuk është i interesuar të tregoj fort, por për punën e tij si shitës ambulant në sheshin “Zahir Pajaziti” nuk heziton të flasë.

“Që nga koha e luftës unë amë jetuar në Amsterdam të Holandës së bashku me familjen time. Kam 1 vit që jam kthyer në Kosovë, dhe arsyeja e kthimit janë “të mirat” që i kam vepruar atje, kurse deri tani nuk kam punuar, ka pak javë që kam filluar të punoj këtu në shesh”, thotë ai.

Shitja e lodrave për fëmijë në shesh po del të jetë punë më e mirë se sa ato që bënte në Amsterdam.

11185861_1582393268686966_528541954_n

“Fitojmë pak, por të paktën këtu jemi të qetë e nuk kemi telashet e atjeshme. Paraja nuk është gjithçka dhe këtu po ndihem më mirë”, tregon Adhurimi, i cili bënë me dije se fitimet brenda dite sillen nga 10 deri në 20 euro.

Ajo që “gjeti” në Prishtinë po e shtynë këtë migrant të ftojë kosovarët të mos marrin rrugën e gyrbetit.

“Secili që mund të hapë një vend pune për vete kisha kërkuar të mos shkoj vendeve të huaja. Para pa punë nuk ka as atje. E mundësitë për të devijuar në telashe nuk janë të vogla” thotë Adhurimi.

Por edhe puna në Prishtinë nuk është fort pa telashe .

“Të Premten, erdhën përfaqësuesit e Komunës dhe më thanë që ti largoj gjërat. Unë u pajtova, i mblodha ato dhe ika. Por ditën e nesërme dola sërish. E di se nuk është e mirë por nuk di çka të bëjë tjetër derisa të gjej një punë më të mirë”, shtoi Adhurimi.

Por jo të gjithë kanë telashe me komunën e Prishtinës për të punuar rrugëve të kryeqytetit.

11198583_1582393275353632_1658343501_n

“Unë jam invalid, mbahem për djalin tim kur eci, biri im ka leje ndërsa mua nuk po ma japin atë. Po më thonë se nuk bënë babë e birë me pas leje”, flet me pak mllef Sabiti një shitës tjetër ambulant në Prishtinë.

Por jo vetem shesheve por gjithandej rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me shitës të tillë.

Në rrugë mund të gjenden shitës të gjërave ushqimore si mish, bylmet e gjëra tjera. Por nuk mungojn as shitësit e pemëve e perimeve gjërave e madje edhe tekstil.

Aktualisht në Prishtinë janë disa vende ku legalisht bëhen pazare.

Por komuna e Prishtinës në plan ka edhe krijimin e minitregjeve në disa zona të kryeqytetit.

Vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 kishte premtuar ta bëjë një zgjidhje për tregjet e kryeqytetit, mirëpo një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur.

Miranda Mullafazliu – Bejta, zyrtare e lartë për informim në Komunën e Prishtinës, ka thënë se deri në fund të verës do të janë në gatshëm nëntë tregje. Ajo tha se për projektin e tregjeve mobile, Komuna ka nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim me Zyrën e Bashkimit Evropian, në vlerë prej afro 480 mijë euro, prej të cilave 80 për qind e shumës financohet në formë granti nga Bashkimi Evropian, kurse 20 për qind financohet nga Komuna e Prishtinës.

Por në to nuk pritet të akomodohen të gjithë shitësit.

11198618_1582393345353625_567579732_n

Shitësi i librave, Florimi, i cili qysh moti ushtron biznesin e tij në shesh, e dinte se nuk është duke vepruar mirë për shkak të punës pa leje, mirëpo thotë se shitësit e librave duhet të jemi më të privilegjuar për shkak të llojit të produktit që shesin.

“Ne si shitës të librave duhet të jemi në pika kyçe të qyteit. Komuna na ka ofruar disa tezga të drurit për shitjen e librave, mirëpo ato nuk janë për libra sepse  librat i kanë karakteristikat e veta”, thotë Florimi.

Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ është i mbushur me shitës edhe të duhanit dhe të syzeve, dhe me ardhjen e verës vetëm sa shkojnë e shtohen më shumë tregtarët e rrugëve.

11198894_1582393368686956_1795718404_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/parate-e-rruges/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala