Paratë e bursave i çojnë në kafe e garderobë

Autori:Zekirja Shabani

Janë afro 1500 studentë që marrin nga 700 euro çdo vit si student të dalluar në Universitetin e Prishtinës, direkt ose përmes programeve të ndryshme përkrahëse për arsim.

Por çfarë bëjnë studentët me këto para e a i shpenzojnë vërtetë për nevoja të tyre studentore?

Gazeta Fjala sjell rrëfime interesante të studentëve përfitues të cilët në shumicën e rasteve paratë e bursave i shpenzojnë aty për çfarë nuk janë destinuar fare.

Dikush ka blerë pajisje për shtëpi, tjetri ka bërë një udhëtim jashtë vendit, e dikush ka shkuar për pushime.

Të pakt janë ata që kanë blerë libra ose kanë paguar për shpenzimet universitare.

“Unë për vete të gjitha i kamë shpenzuar në garderobë”, tregon Nailja, njëra nga studentet përfituese të bursës për studime.

Ajo ishte bursiste vitin e kaluar në njërin nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës me notë mesatare 9.8. Nailja thotë se shuma që ka marrë për të arriturat në studime nuk kompenson as për së afërmi shpenzimet që familja e saj bëjnë çdo muaj për edukimin e sajë.

“Me këto para nuk bën zgjidhje kush e di çfarë. Prandaj edhe i kam shpenzuar për garderobë. E meritoj”, thotë ajo duke qeshur.

Por, në përgjithësi për studentët paratë e bursave janë një infuzion i mirë financiar në gjithë këtë situatë të rëndë socio ekonomike.

Kështu mendon një student bursist, që për tri vite me radhë në Fakultetin Juridik. Ai ka shpenzuar paratë kryesisht për nevoja personale por edhe për arsim.

“Një vit, një pjesë të mirë e kam shpenzuar në një pushim luksoz jashtë vendit, vitin tjetër për nevoja pushimi veror, pastaj udhëtime jashtë vendit, blerje librash, rregullisht pagim të semestrave etj, etj”, tregon ai pa dashur ti përmendet emri.

Në përgjithësi, bursa vlerësohet si një nxitje e mirë për studentët që të angazhojnë më shumë në punë akademike.

Megjithatë, derisa nuk ka kushte të përcaktuara nga Universiteti i Prishtinës, se ku duhet të shpenzohen paratë e bursave që marrin studentët, mbetet në dorë të tyre ku ti qojnë paratë.

Megjithëse të paktë, në mesin e bursistëve ka nga ta që kanë blerë libra, e pajisje teknologjike që lehtësojnë studimet.

R.A. është njëri nga ta.

“Gjysmën e e parave i kam shpenzuar për blerjen e Lap-Topit ndërsa pjesën tjetër për kurs të kompjuterëve”, thotë ai.

Edhe Valoni tash e dy vite me radhë, paratë e bursës i shpenzon për literaturë dhe shpenzime të tjera të zakonshme.

 

Bursat që u jepen studentëve përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Në vazhdim mund ti gjeni bursat që ka ndarë MAShT në tri vitet e fundit  për studentët kosovarë  për studime në City College- Sheffield si dhe bursat e dhëna nga Ministritë e Arsimit të Kroacisë dhe Sllovakisë:

Bursat  e përbashkëta MASHT-City College Sheffield

2014-2015

42 bursa për programet Bachelor, Master dhe MBA me financim 50 % nga Universiteti dhe 50% nga MASHT.

15 bursa me 50% nga Universiteti dhe 50% nga studenti.

2013-2014

35 bursa  për bachelor, master, MBA dhe PHD me financim 50 % nga Universiteti dhe 50% nga MASHT.

16 bursa për programet Bachelor dhe Master  me financim 50% nga Universiteti dhe 50% nga studenti .

2012-2013

30 bursa për Bachelor, Master, MBA dhe PHD me financim 50 % nga Universiteti dhe 50% nga MASHT.

10 bursa  për programet Bachelor dhe Master  me financim 50% nga Universiteti dhe 50% nga studenti.

Pagesat nga MASHT  për studentë

Bachelor:  4.120,00 për një vit

Master: 5.340,00 për komplet programin ( program njëvjeçar)

MBA : 7.445,00 për komplet programin

PHD:  4000 funta britanike për një vit (program trevjeçar)

Bursat e dhëna nga Ministria e Arsimit e Kroacisë 

2013-2014

2 bursa për programin Master

 2014-2015

2 bursa për programin Bachelor

Bursat e dhëna nga Ministria e Arsimit e Sllovakisë

2014-2015

2 bursa për programin Bachelor dhe 1 për programin Master

Grante për doktoratë

Në vitin 2012-2013 janë dhënë 20 bursa për studime doktorate ,vlera e të cilave ka qenë 5000 (pesë mijë euro) për  kanditatë .

Në vitin 2013-2014 janë ndarë 38 bursa nga 2.500 ,(dy mijë e 500 euro) .

Në  vitin 2014-2015 janë dhënë  40 bursa  2.500, (dy mijë e 500 euro) për përfitues .

Në tri vitet e fundit numri i tyre është  98 përfitues për grande të doktoratës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/parate-e-bursave-cojne-ne-kafe-e-garderobe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala