Paratë e BE-së përfunduan në plazhe ilegale të Batllavës  

Autori:Zekirja Shabani

Besim Dobruna, nuk e ka ndërmend të heshtë. Lufta e tij për të zbardhur keqpërdorimet në Ministrinë e Mjedisit, ku edhe punon, ka nisur të thellohet. Ai i ka dërguar një letër Ministrit Ferid Agani lidhur me një rast të ri ku pretendon se u keqpërdorën qindra mijëra euro para të dhëna nga Bashkimi Evropian. Të njëjtën letër ai  e ka adresuar edhe te Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe përfaqësues special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Më saktësisht, janë 370 mijë euro donacion i BE-së për ndërtimin e plazheve publike në liqenin e Batllavës të cilat sipas Dobrunës u investuan kundërligjshëm dhe donatori u vu në lajthitje.

Kjo është dëshmia e tij e dytë, pas shpërfaqjes së fakteve për mos inkasimin e dhjetëra miliona eurove të taksës për shfrytëzimin e ujrave nga kjo ministri.

Në këtë letër, të cilën e posedon Gazeta Fjala, Dobruna shkruan  se si nisma e vitit 2010 për krijimin e mundësisë së aplikimit  të Ujësjellësit Rajonal “KUR- Prishtina” për të përfituar donacionin për projektin për ndërtimit të kanalizimit në fshatin Orllan, devijoi në plazhe publike.

“Për këtë rast të lajmrimit për veprat penale siç kërkohet me ligj, unë jam ndëshkuar me vërejtje me shkrim dhe parandalimin e punës së mëtejshme dhe të formave të tjera të hakmarrjes. Unë besoj se rasti  duhet të trajtohet në organe kompetente gjyqësore”, shkruan Dobruna.

Ai akuzon sekretarin e përgjithshëm të MMPH–së se nuk ka lejuar zhvillimin dhe iplementimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për fshatin Orllan, i cili do të kishte ndikime pozitive në reduktimin e ndotjen direkte në liqenin e Batllavës.

“Kontributi i tij ka sjellur dhe mundësuar zhvillimin e disa aktiviteteve spekulative rreth ndërtimit të kapaciteteve turistike në zonen e parë strikte të mbrojtur sanitare. Me këtë veprim është lejuar ndërtimi i objekteve të cilat kanë ndikim negativ në cilësin e ujit në liqe dhe konsiderohen  veprime të rrezikshme për shëndetin e 500.000 banorëve të Republikës së Kosovës”.

Sipas Dobrunës, udhëheqësi i departamenti të ujërave Naser Bajraktari, udhëhqësi i departamentit për mbrojtje të mjedisit, Muhamet Malsiu dhe zyrtari për vlersimin e raporteve të VNM-së, Shukri Shabani, nuk kishin reaguar dhe marrë masat preventive ashtu siç ishin të detyruar bazuar në dispozitat ligjore, por vetem kanë spekuluar me përgjigje të vonuara në kërkesat e menaxherit të projektit.

“Bajraktari me këtë rast përveç tjerash ushtronte edhe lobim klasik dhe presion te stafi i DU –së duke shfrytëzuar positen si udhëheqësi i departamenti të ujërave”, shkruan ai.

Krejt kjo ka rezultuar që deri më tani gjashtëmbdhjetë vendimet për zonat e mbrojtura sanitar për burimet që përdoren për ujë të pijshëm, nuk janë në fuqi për shkak se nuk janë proceduar pas nënshkrim nga Kryeministri për publikim në Gazeten Zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Bazuar në Nenin 337, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës një grup i organizuar ka bërë mashtrim në lidhje me marrjen e fondeve nga Bashkimi Evropian. Në këtë rast kundër investitorit për ndërtimin e objekteve nuk është inicuar as një procedur administrative kundërvajtëse siç kërkohet me dispozitat e ligjit  dhe rregullat për mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar Dobruna.

Duke shkruar nenet e Kodit Penal të Kosovës të cilat Dobruna pretendon se janë shkelur, ai thekson se është lejuar zhvillimi i projekteve që përmbajnë aktivitete të ndalua dhe që rrezikojnë shëndetin e përgjithshem të popullsisë. Sipas tij. Kjo ka të bëjë me rastin e  përkeqësimit të cilësisë së ujit dhe shkeljen e vendimit për zonen e mbrojtur.

Madje Dobruna pretendon se kjo edhe është dëshmuar,  pasi me datë, 9 shtator 2013, Sekretari i Përgjithshem i MMPH –së ishte përgjigjur negatvisht ndaj kërkesës  për lëshimin e lejes mjedisore.

Mirëpo, kjo përgjigje ishte e vonuar pasi në fund të muajit Qershor 2013, ishte realizuar projekti në tërsi, pra ishin ndërtuar gjashtë plazhet.

“Përgjigja e vonuar nga MMPH, mund të interpretohet si ,,heshtje administrative” (siç kërkon dispozita e ligjit për ndërtim) në bazë të të cilave miratohen zbatimet e projekteve… Me këtë rast duhet theksuar se eksperti i autorizuar për hartimin e Raporti të Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ishte hartuar në kundershtim me dispozitat ligjore dhe prktikat profesionale ekologjike”.

Në këtë letër shkruan se departamentet përkatëse të Ministrisë së Mjedisit kanë pasur të gjithë mekanizmin institucional dhe ligjor për prandalimin dhe mos lejimin e ndërtimit të këtyre plazhave dhe me këtë do të ruanin edhe fondet e BE-së, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/parate-e-be-se-perfunduan-ne-plazhe-ilegale-te-batllaves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala