Pallati i Rinisë drejt mbylljes   

Autori:Avdyl Pajaziti

Pallatit të Rinisë i është rënduar situata. Madje, ai po rrezikon edhe të mbyllët përkohësisht.  Mbi 125 punëtorë kanë hyrë në muajin e dytë pa marrë paga. E, në llogaritë e tyre ende nuk dihet e kur do të dalin këto mjete.

Krejt kjo situatë është krijuar pasi xhirollogaritë e Pallatit të Rinisë, tash e një kohë  janë bllokuar nga përmbaruesit privatë, dhe rreth 800 mijë euro që kanë qenë në këto llogari, ky institucion nuk mund t’i shfrytëzojë.

Bllokimi i xhirollogarive është bërë me vendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili ka thënë se Pallati i Rinisë, duhet t’u paguajë shumën prej mbi 4 milionë eurosh, 16 depove të cilave u është djegur malli me rastin kur flakët përfshinë këtë vend në vitin 2000.

Me Pallatin e Rinisë aktualisht nuk është duke menaxhuar as Komuna e Prishtinës se as Qeveria e Kosovës. Mes këtyre dy institucioneve me vite te tërë ka vazhduar gara për ta marrë nën ombrellë.

E, derisa kjo situatë vazhdon, me pallatin është duke menaxhuar Agjencinë Kosovare e Privatizimit, të  cilët edhe kanë treguar për Gazetën Fjala se situata është alarmante dhe se janë duke bërë përpjekje që të dalin nga kjo krizë.

“Nga raportet financiare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ekzekutimin e transaksioneve financiare të fondeve në mirëbesim të ndërmarrjeve shoqërore vërehet se BQK-ja ka ekzekutuar një konkluzion të përmbaruesit lidhur me çështjen e djegies së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve”, ka thënë për Gazetën Fjala, Ylli Kaloshi zyrtar për informim në AKP.

“AKP, në bashkëpunim me menaxhmentin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është duke shqyrtuar çështjen e operimit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve pas situatës së krijuar”, ka thënë Kaloshi.

E, ata që janë duke e pasuar më së keqi në këtë situatë janë punëtorët e Pallatit. Mirëpo, edhe pse ende nuk kanë i kanë marrë pagat e tyre ata hezitojnë të flasin haptas.

Disa nga ta në kushtet anonime i kanë thënë Gazetës Fjala se janë duke e shqyrtues mundësinë e ndonjë greve apo proteste. Siç thonë ata këtë veprim do të mund ta nisin nga muaji i ardhshëm.

Gazeta Fjala ka bërë përpjekje që të flas për këtë çështje edhe me drejtorin e Pallatit të Rinisë, por kjo ka qenë e pamundur.

Derisa, ditë më parë në disa deklarata publike ai pati thënë se janë duke pritur ndihmë nga  Qeveria e Kosovës që të paktën punëtorët të mos mbesin pa paga.

“Ne kemi shpresa se do të dalim nga kjo situatë pasi të gjithë krerët e institucioneve e dinë se pallati është vatër e sportit dhe e kulturës jo vetëm për Prishtinën por edhe për rajonin andaj kemi shpresa të mëdha se do të na dalin në ndihmë dhe do të na nxjerrin nga kjo situatë pasi tash nuk ka mundësi të bëhet ndonjë riprogramim se tash veçse ka fituar lënda, e tash që të mos mbesin punëtorët pa të ardhura”, ka deklaruar Çaush Berisha, Drejtor i Pallatit të Rinisë, Sportit dhe Kulturës.

Xhirollogaritë bankare të Pallatit të Rinisë, Sportit dhe Kulturës në Prishtinë, u bllokuan më 29 prill të këtij viti, ndërsa borxhi që u kanë pronarëve të lokaleve të djegura është më shumë se 4 milionë euro./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/pallati-i-rinise-drejte-mbylljes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala