Pa konkurrencë

Autori:Zekirja Shabani

“Raiffaisen Bank”  e  “Pro Credit Bank” mund të bëjnë çfarë të duan me çmimet e kredive dhe shërbimeve të tyre. Edhe bankat tjera mund ti fiksojnë cmimet e shërbimeve si t’ua ka qejfi e të veprojnë si të donë në tregun e Kosovës.
Lirinë për tu marrë vesh për tregun, ato e kanë tani e disa muaj, pasi institucioni që duhet të vë rregulla në konkurrueshmëri nuk është funksional. Këtë vakum janë duke e shfrytëzuar edhe shumë biznese të tjera, si kompanitë e sigurimeve, naftëtarët, e shumë biznese tjera të mëdha.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës tani e më shumë se një vit është pa drejtor e pa bord udhëheqës. Në zyrat e këtij institucioni, që gjenden në katin më të lartë të Kuvendit të Kosovës është duke u “sillur” vetëm një punëtor. Gani Asllani, si i vetmi anëtar i këtij autoriteti, nuk ka kurrfarë fuqie të bëjë ndonjë veprim. Bile, Asllanin, pak kush e njeh dhe thuajse e ka të pa mundur ta kontaktoj.

Telefonin zyrtar nuk e hapë e as emailave nuk u përgjigjigjet kush në zyrën e “konkurrencës”.

Qeveria e Kosovës në fund të mandatit të kaluar kishte shpallur konkursin për katër anëtarët e rijnë të bordit. Pas kësaj kishte pranuar rreth 20 aplikacione por nuk kishte arritur të krijoj një listë të ngushtë të tyre që duhet të marrin mëpas bekimin e Kuvendit të Kosovës.

Por, edhe pas krijimit të institucioneve të reja në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kuvendi i Kosovës ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për emërimin e drejtuesve të këtij institucioni. Bile deri tani në ekzekutiv e legjislativë nuk është folur fare për ta aktivizuar Autoritetin kosovar të Konkurrencës.

E, derisa të bëhët aktiv ky Autoritet, qytetarët të cilët janë të “detyruar” t’i kryejnë shërbimet nëpër biznese, do të pësojnë më së shumti.

Lidhur me mundësinë që bankat të merren vesh për cmimet e shërbimeve të tyre në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se BQK nuk i cakton çmimet dhe tarifat për produktet dhe shërbimet e bankave.

“Çmimet dhe tarifat për produktet dhe shërbimet e ofruara caktohen nga ana e bankave varësisht nga vlerësimi i kostos së tyre dhe bankat janë të obliguara që ti shpalosin këto tarifa, saktë dhe qartë për të gjithë klientët e tyre, në mënyrë që të ju mundësojnë atyre krahasimin e kostove për produktet dhe shërbimet e ofruara nga bankat e ndryshme”, ka treguar, Besnik Kada, zëdhënësi i BQK.

Megjithatë, ai thotë se përmes rregullores për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje, Banka Qendrore kërkon nga bankat që të gjitha çmimet dhe tarifat për produktet dhe shërbimet e tyre të jenë të lidhura direkt me koston e ofrimit të këtyre produkteve dhe shërbimeve, të shpalosen në mënyrë të dukshme dhe të jene në dispozicion për të gjithë klientët e tyre në mënyrë që klientët të mund të bëjnë krahasimin e çmimeve dhe tarifave të bankave të ndryshme.

Monopoli të rregulluara publike

Si të fuqishme dhe pushtuese të tregut në Kosovë janë edhe disa kompani publike cmimet e tregut për ta caktohen nga rregulatorët. Monopolin në tregun vendor për furnizim me energji elektrike e ka Kompania kosovare për distribuim e furnizim me energji elektrike KEDS, derisa për ujë “Ujësjellësi Prishtina” e për mbeturina kompania “Pastrimi”.

Monopol në treg është vlerësuar se po krijon edhe kompani e cimentos “Sharrcem” në Han të Elezit.

Gjatë dy viteve të më hershme, 2013-2014 sa ka qenë funksional Autoriteti kosovar i Konkurrencës është thënë se janë duke u hetuar disa raste të monopoleve dhe marrëveshjeve mes kompanive në Kosovë. Mirëpo, nga atëhërë nuk është thënë asgjë për këtë çështje. Nuk është gjobitur askush e as është marrë asnjë masë.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/pa-konkurrence/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala