Objektet milionëshe po i merr uji

Autori:Gazeta Fjala

Objektet e milionëshe të ndërtuar për institucionet e ndryshme në Kosovë nuk po i rezistojnë kohës. Disa nga to po vërshohen nga uji e disave po ju çahen edhe muret.

Përgjegjësin për krejt këto dëme nuk po e merr thuajse askush.

Ndërsa sipas arkitektëve kualiteti i projekteve, mos funksionimi i ligjit të ndërtimit dhe mos kontrollimi teknik janë problemet  më të madha të ndërtimit në Kosovë.

Pallati i Drejtësisë, që ka kushtuar 30 milionë euro ka pasur problemet më të mëdha, prej kur është përuruar në mars të vitit 2015.

Përveç që shumë herë është vërshuar nga uji, janë bllokuar ashensorët si dhe ka mbetur pa ajër për shkak të mos funksionimit të kondicionerëve, mëngjesin e së martes nga tavani i katit të parë ku ndodhet Gjykata themelore ka rënë një pllakë.

pallati i drejtesise

Por ditën kur u përurua ndërtesa 50 mijë metrash katror, fjalë të mira thanë kryeministri Isa Mustafa dhe Komisioneri Evropian për Politikë Europiane për Negociata dhe Zgjerim Johanes Hahn

“Unë mendoj se parakushtet themelore si infrastrukturë fizike i kemi siguruar”, tha Mustafa.

“Zonja dhe zotërinj, kjo ndërtesë madhështore tani është gati. Gjyqësori i Kosovës tani ka një shtëpi. Ju tani keni rast dhe obligim që ta shfrytëzoni mirë dhe t’u tregoni qytetarëve të Kosovës se ju mund të  jepni drejtësi”, pati deklaruar Hahn.

Puna në këtë ndërtesë kishte filluar në vitin 2011, është investim 30 milionësh, 26 milion të të cilave i ka ndarë Bashkimi Evropian.

Një muaj pas përurimit është  kërkuar hetime për shkak të aksidenteve që nuk po kanë të ndalur në këtë objekt. Prokuroria ka konfirmuar se ka nisur hetime për Pallatin e Drejtësisë.

Ndërkohë që zyra e BE-së në Kosovë i konsideronte të pa tolerueshme aksidentet në këtë objekt.

Uji po i merr edhe FSK-në dhe Zjarrfikësit

Një tjetër ndërtesë e re, që kushtoi më pak sesa Pallati i Drejtësisë por që përballet edhe ajo me problem është përuruar në nëntor të 2014-ës.

Ditën kur u përurua objekti i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri i atëhershëm Agim Ceku e pat quajtur ndërtesë modern dhe me hapësirë të mjaftueshme.

“Tani na janë ofruar kushtet e shkëlqyeshme për punë, hapësira të mjaftueshme dhe moderne. Të nderuar kolegë, jam i sigurt që do të ndiheni mirë duke punuar në këtë ndërtesë. Për më shumë, duke pasur një ndërtesë moderne, ju do të keni më shumë mundësi të përqendroheni, më lehtë, në detyrat e juaja dhe do t`i kryeni ato me më shumë sukses”, pati thënë Agim Ceku.

fsk

Por objekti i ri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ende pa i mbushur një vit kishte filluar që të pikoj uji sa herë që binte shi. Ndërkohë që muret e tij nga jashtë kishin filluar të plasariteshin.

Ndërtimi i tij ka kushtuar mbi 5 milionë e 700 mijë eurove, ky investim i shtetit duket se nuk ka mjaftuar që objekti t’i qëndrojë kohës.

Gjatë këtij muaji reshjet e shumta të shiut e dëmtua objektin e Brigadës së Zjarrfikësve në komunën e Prishtinës. Ndërtimi i tij ka kushtuar mbi 1 milion euro.

Pas të reshurave të fundit dhe dëmtimeve,  komuna e Prishtinës ndau mbi 60 mijë euro për sanimin e kësaj gjendjeje.

Gazeta Fjala në muajin tetor ka raportuar se si nga çatia e objektit të Ministrisë së Arsimit  rridhte  ujin. 

masht 1

Arkitektët me shumë kritika  

Ylber Vokshi arkitekt i pavarur tha për Gazetën Fjala se si është ndërtuar në Kosovë në vitet e pas luftës është tmerrësisht e pa shpjegueshme nga  aspekti human,  ligjor dhe ai  teknik, të cilëve sipas tij  do të duhej të iu nënshtroheshin të gjitha ndërtimet,në sektorin privat  apo shoqëror.

Vokshi thotë se numri i objekteve të reja të ndërtuara me të meta që shihen, është qindra herë ma i madh se sa ato që janë bërë publike kryesish të sektorit shoqëror megjithëse heshtet për sektorin privat ku ka shumë ndërtime me të meta të mëdha në tërë Kosovën.

“E meta ma e madhe e këtyre ndërtimeve është siguria e tyre posi nuk dimë se si dhe me cilat kualitete të materialeve është ndërtuar”.

“Pos të metave të mëdha në përpilimin e dokumentacionit teknik për marrjen e lejes ndërtimore,një nga shkaktarët kryesor është kontrolli permanente punimeve ndërtimore nga ana e Shtetit, që duhej të bëhej nga një organ i pa varur mbikëqyrës, pos mbikëqyrjes inspektuese që parashihet në ligj (neni 29)”, tha Vokshi.

Pranimi teknik të cilit duhet t`i nënshtrohen të gjitha ndërtimet, sipas Vokshit nëse është bërë në ndonjë rast është krye formalisht.

“Pa i verifikuar të gjitha fazat e ndërtimit të cilat duhet të kenë atestet e duhura që dokumentojnë materialet dhe procedurat pozitive teknike.  Marrja e lejes së përdorimit të objekteve në të shumtën e rasteve iu është nënshtruar procedurave formale e jo atyre që duhet”, tha ai.

Edhe sipas Valdet Osmani Arkitekt nga Shoqata e Arkitektve të Kosovës problemet më të mëdha të këtyre objekteve janë pikësëpari gabime të projekteve.

Ai thotë se projektet nuk i kanë specifikacionet teknike dhe standardet e përcjellur me cilësi të dobët të ndërtimit dhe e gjitha me mbikëqyrje joprofesionale ku mbikëqyrësit dhe inspektimi nuk kryhet në përputhje me ligjin.

“Duhet të kryhet një inspektim profesional dhe të vlerësoj se si janë shkaktuar dëmtimet dhe t`i gjejnë shkaktaret”, tha Osmani. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/objektet-milioneshe-po-i-merr-uji/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala