Intervistë | Halit Barani: Asociacioni shtet në vete

Autori:Gazeta Fjala

Të gjithë e njohin në Mitrovicë. Të shumtët për kontributin që ka dhënë në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, e disa për mjekrrën emblematike që mbanë.
Halit Barani, ka qenë njeriu që më se 20 vite ia kushtoj mbledhjes së fakteve për dhunën që iu bë shqiptarëve. Tani, faktet dhe dëshmitë e tij kanë ndikuar që ata që kanë kryer krime në Kosovë të dalin para drejtësisë. Një prej tyre është edhe Oliver Ivanoviq, përfaqësuesi i derivonshëm i serbëve të veriut.  Halit Barani, tash është organizator në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, dhe njohës i historisë dhe rrjedhave politike në Mitrovicë.

Ai në këtë intervistë për “Gazetën Fjala”, flet për pasojat që i mendon nga Asociacioni; për shqiptarët e veriut; për çështjen e urës; për dokumentimin e krimeve në Kosovë; flet se si shkoj Oliver Ivanoviq para drejtësisë; tregon se ka pasur edhe shqiptarë që kanë bashkëpunuar me serb.  Në fund flet edhe për qeverisjen e Agim Bahtirit, pengesat që, sipas tij, po i bëhen gjatë punës, e shumë detaje të tjera.

Gazeta Fjala: Çka ju sjellë Asociacioni shqiptarëve e çka serbëve – çka i sjellë Kosovës në përgjithësi?

Barani: Me Asociacionin, edhe këto fshatrat që tash i kanë ba komuna serbe, janë tu sjellë mjaftueshëm dëm për kombin tonë, përkatësisht për shtetin e Kosovës. Në këto fshatrat që i kanë ba komuna, asgjë nuk ka shqiptare. Në hyrje të këtyre komunave është flamuri serb dhe “republika serbija”. Përkatësisht në pjesën e “okupuar” të Mitrovicës, si të dilsh te ura nuk e din ku je. Tu fillu prej cepit të urës në pjesen e “okupuar” të qytetit, asgjë nuk frymon shqip aty.

Gazeta Fjala:A mendoni se keto sabotime që po i përmendni ju që po i bëhen shtetit të Kosovës nga këto komuna, po institucionalizohen me Asociacionin? A po bëhet një lloj institucioni paralel?

Barani:Une mendoj që këto fshatra të bëra Komuna, kanë me u fuqizu. Me këto komuna tash qysh janë, edhe me Asociacionin që i shtohet, kanë me pasë një gjysë shteti të huaj në duar.

Gazeta Fjala:A besoni qe e dëmton kaq shumë shtetin e Kosovës krijimi i Asociacionit?

Barani: Unë besoj që po. Meqë po e dëmtojnë këto komuna siç kanë qenë, tash me asociacion do të jenë edhe më të efektshme.

Gazeta Fjala:Po thuhet që Asociacioni nuk ka me pasë kompetenca ekzekutive, sa e besoni?

Barani
:Po kanë komunat kompetenca ekzekutive, e lëre mo asociacioni. Mos të kish pas nevojë për kompetenca shtesë, nuk e kishin kërku as serbët, as nuk iu kish deshtë shumë.
Ata bëjnë çka dojnë tash edhe më shumë, e kurrkush nuk mundet me ua prishë.

Gazeta Fjala:Çështja e veriut në përgjithësi – si është situata atje?

Barani :Së pari duhet të sqaroj diçka. Nuk ka lagje të Boshnjakëve në Mitrovicë sepse po e quajnë gabim. Aty ka qenë një “kuart” i boshnjakëve – pra quhet “Kuarti i Boshnjakeve”.
Jane lagjet “Ibri”,”Kodra e Minatoreve”,  “7 shtatori” dhe “Kroi i Vitakut”. Janë këto katër pjesë që kanë pak më tepër shqiptarë. Vetëm “Kroi i Vitakut” ka më shumë shqiptarë, ndërkaq lagjet tjera janë me shumicë serbe. Situata nuk është e mirë, sepse këto lagje çdoherë po zbrazen nga shqiptarët, e po popullohen me serb.

Gazeta Fjala:
Po fshatrat e veriut në Komunën e Leposaviçit? – ata po frikësohen se do të mbetën nën administrim serb, dhe po e shqyrtojnë mundësine e shpërnguljes.

Barani :Në fakt ata e kanë gabim që thonë se mund të mbesin nën administrim serb. Ata që moti janë nën serb.
Vlen të përmendet që në vitin 1992 kur u shpërngulshin masovikisht nga fshatrat e veriut, kemi shkuar një grup për të biseduar me banorë që të mos i lëshojnë tokat e tyre. Kur kam shku e i kam pa shtëpitë e sërbëve përballë për bukuri, e këndej në Cerajë nuk kishin ujë mjaftueshëm, ju kam thanë që unë nuk iu them asgja, ani pse ishim nisë për me ju thanë që të mos shpërngulen. Ju thash unë nuk iu them asgja sepse me më thanë a kishe jetu ti në këto kushte – une ju kisha përgjigj që JO, nuk kisha jetu as një minut.

Tash bile është edhe më keq. Ata, besoj, që janë tu jetu në një lloj robërie, apo “burg  të hapur” po e quaj.

Gazeta Fjala:A besoni që Komuna e Mitrovicës ka mundur të bëj diçka më shumë për shqiptarët atje?

Barani :Unë mendoj që në momentin që ato fshatra i përkasin një komune tjetër, atëherë s’kanë çka me ba.
Në momentin që është nda Mitrovica me kërkesën e shqiptarëve, ata shqiptarë kanë mbetë nën udhëheqjen e tjetër kujt.

Gazeta Fjala:Po thoni që shqiptarët kanë kërkuar ndarjen e Mitrovicës?

Barani :Po. Fillimisht me kërkesën e shqiptarëve është ardhë në shprehje ideja për t’u bërë dy Komuna. Në 2002 një delegacion të Kosovës në Amerikë, kur i kanë pyet se qysh mundet me u ba nje zgjedhje ma fatlume për Mitrovicën, ata kanë thanë me u ba dy komuna.

Gazeta Fjala:Pse po thoni e “okupuar”?

Barani:Po shpesh udhëheqësit e kundërshtojnë këtë thanje timen:“e okupuar” për Mitrovicën. Por, në realitet është e okupuar, e nëse nuk dojnë me pa, është tjetër gja.

Gazeta Fjala:Tash janë marrë vesh që barrikada të largohet, por do të hyjë në një proces renovimi. Çka mendoni a do të funksionalizohet qyteti?

Barani :Unë nuk po e kuptoj pse duhet renovim. Ura është funksionale, madje pas luftës është rindërtu. Aty nuk ka nevojë absolut me rregullu kurgjo.

Krejt çka duhet me u largu janë bërllogu dhe rojat e urës. Bile disa roja janë largu e janë ba policë, të njëjtit që para lufte e në luftë kanë vra sa kanë mujt, e të cilët njiherë u bën roja të urës e tash i ke me uniforma të Policisë së Kosovës.

Barrikada mundet me u largu, por integrim të qytetit nuk do të ketë kurrë për jetë, sepse është formu Komuna serbe. E, çfarë integrimi po mendojnë, kur vetë i kanë ba dy komuna?

Gazeta Fjala:Njerëzit shpesh thonë që Mitrovicën e kanë ndarë francezët. Çka mendoni ju?

Barani :Eshtë e mundshme, por unë nuk besoj. Veç një gjë e di saktë, që shumë më herët kishte qenë e planifikuar ndarja e Mitrovicës.

Por, duhet me ditë që deri më 26 qershor nuk ka pasur tela gjëmborë në urë, por me të 26-tin ushtria franceze i ka vendosur vetë ata tela.

Gazeta Fjala:Në opinion thuhet që faktet e juaja e kanë çuar Oliver Ivanovicin para drejtësisë?

Barani Jo, para drejtësisë nuk e kanë qu Oliverin faktet e mia, por atë e kanë qu veprat e tij që janë të faktografuara. Atë e kanë çu para drejtësisë, saktësisht ata që e kanë pësu prej tij, si dëshmitare okular.
Pjesë e grupit kriminal kanë qenë Oliver Ivanovici dhe Dragan Delibashici. Edhe shumë të tjerë, por Oliver Ivanovici ju ka prirë.

Ka shumë dëshmitarë, madje edhe serb, që dëshmojnë se Oliver Ivanovici ju ka prirë grupit kriminal.

Gazeta Fjala:Për çka akuzohet Oliver Ivanovici?

Barani:E, Oliveri akuzohet se ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i tri masakrave më të mëdha. I asaj të 14 prillit 1999 kur janë pushkatu 31 shqiptarë; 16 prillit 1999 kur janë pushkatu 8 shqiptarë; dhe për masakren e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, pas lufte, kur janë pushkatu 10 shqiptarë.

Çka është fatkeqësi më e madhe, se masakra e 3 dhe 4 shkurtit të 2000-tës, është bërë në sy të policisë së Unmikut dhe KFOR-it francez. Edhe nuk kanë ndërhy absolutisht fare, vetëm kur është kry krejt, atëherë i kanë marrë viktimat.

Gazeta Fjala:
Libri juaj, “Tmerri i dokumentuar”, çka përmbanë?

Barani :Aty janë të shkruar me emra dhe mbiemra kush çka ka bërë. Janë të shkruara me ditë e orë dhe vend krimet. E ata njerëz që i kanë emrat aty, të shumtë janë që i kanë veshur uniformat e Policisë së Kosovës.

I pari që është veshë menjëherë pas lufte me uniformë të Policisë ka qenë Xhavit Rexhë Dervishoviqi, i cili prej vitit 90’, nuk ka lanë gjë pa ba e pa kryer në popullaten civile. Të gjitha format: prej ndalimit arbitrar në rrugë e deri te pushkatimi.

Xhavit Dervishoviqi i ka prirë bandes serbe, të cilët në një manifestim të mbajtur në lagjen “Ilirida”, kanë keqtrajtuar rëndë 69 shqiptarë pa dallim moshe e gjinie që kanë qenë pjesëmarrës në manifestim. 37 prej tyre i kanë arrestuar, e në mesin e tyre kam qenë edhe une.

Gazeta Fjala:
Cili ka qenë misioni juaj në luftë?

Barani :Misioni im ka qenë sensibilizimi i njerëzve dhe dokumentimi se çka po ndodhë me popullatën shqiptare.

Mëpastaj është hapur Këshili për të drejtat e njeriut, të cilin ma besuan ta drejtoj unë. Atëherë kemi qenë 7 persona që kemi punu, e tash jam veç unë. Sepse, ne kemi punu pa lekë, e edhe tash punojmë pa lekë, qata kam mbetë vet.
Rrogë nuk ka; e qata jam vetë sepse po të kishte lekë, vështirë që më kishte ra hise mu.

Gazeta Fjala:Diçka tjetër për luftën?

Barani :Po dihet se në Mitrovicë janë të evidentuara 14 masakra që janë të regjistruara në Këshillin për të Drejtat e Njeriut, dhe të gjitha janë të shkruara e të dokumentuara në librin “Tmerri i dokumentuar”.
Janë edhe katër libra dorëshkrim, të cilat presin me u botu.

Fatkeqësisht, ka emra edhe të shqiptarëve që kanë ba keq. Edhe para lufte, edhe gjatë luftës, por edhe pas luftës po bëjnë keq.

Gazeta Fjala:A mundemi me nxirrë ndonjë emër të shqiptarëve që kanë bërë krime mbi shqiptarët, para se të dalë libri?

Barani :Edhe në “Tmerrin e dokumentuar” janë të shënuar disa shqiptarë, si Nexhmedin Ajeti, Nexhmedin Loxha, Armend Hoti që ka bashkëpunu me serb dhe kanë dhunuar femra shqiptare.

Gazeta Fjala:Të kthehemi në kohën e paslufte: Si e shihni në pergjithësi qeverisjen e Mitrovicës në këto vite?

Barani :Po në Mitrovicë asnjë qeverisje nuk ka punu mirë e mbarë. Nuk e di a i ka pengu dikush a jo. Po për tash, e di se në disa raste është penguar qeverisja e Agim Bahtirit.

Gazeta Fjala:Nga kush është penguar Agim Bahtiri?

Barani :Fillimisht kur i ka pru makineritë për fabrika të këpurdhave, u kërku toka e komunës dhe nuk ju ka leju nga partitë kundërshtare. Kanë blerë tokë, por ia kanë organizu që mos me funksionu. Tash i ka fillu fabrikat në fshatin e tij dhe tokat e tij.

Mund të them se disa projekte, nuk janë fjalë të mia por këtë e them sipas informatave të dala nga Kuvendi Komunal, që shumë projekte që kanë dashur të investohen në Mitrovicë me miliona, janë penguar; bile me e keqja është që është pengu investimi për një fabrikë të riciklimit me vlerë rreth 90 milionë euro. Kjo u pengu me qëllim të caktuar – e kur them që u pengu, e them që është bë me qëllim që me dështu qeverisja e Agim Bahtirit.

Gazeta Fjala:Kush i ka pengu?

Barani :Po me emra nuk i di, por e di se për këtë projektin e riciklimit, Ministria e Mjedisit kanë gjetë arsyetime rreth mjedisit e gjëra të tilla.

Gazeta Fjala:Si e shihni në pergjithësi qeverisjen e Agim Bahtirit?

Barani: Paj, po mundohet me bë diçka, por e thash që është pengu në çdo hap. Krejt çka ka fillu me punu, është pengu.
Psh krejt kto investimet në disa palestra e në një qendër tregtare, edhe ato kanë qenë tu punu, e në momentin që e ka marr Agim Bahtiri janë ndalë që të gjitha. Në asnjërën më nuk punohet.

Gazeta Fjala:Por, këto investime kanë qenë donacion i BE-së?

Barani: Po, por pjesëmarrës janë  edhe Komuna edhe Ministria e Kulturës. Pavarësisht, edhe BE-ja, ska randësi kush është donator,  por pse nuk po kryhen punët, se unë e di që është investim i Bashkimit Europian.

Gazeta Fjala:A po thoni që me qellim po i ndalen punët edhe prej Bashkimit Europian, vetëm pse tash është Agim Bahtiri?

Barani :Nuk e di. Eshtë e mundshme edhe prej tyre, se as ata nuk janë far burrash. Unë po i shoh, dhe po i shohim krejt, që ma së shumti ia kemi pa sherrin ndërkombëtarëve. Ku janë gjithë ata miliona që u folën se hinën në Kosovë?

Gazeta Fjala:Kush e ka demtu më së shumti Kosovën? – shqiptarët, serbët apo Bashkësia ndërkombëtare?

Barani :Unë mendoj që dëmin ma të madh shqiptarët ia kanë ba vetvetes. Kur e them këtë, e kam parasysh se ia kanë shtri qafën ndërkombëtarëve, dhe i kanë ditë si Zotëra. Edhe çka kanë thanë ndërkombëtarët, k’ta kanë thanë “amin”.

Unë nuk kom pa hala, me përjashtim të Faruk Spahiut, kryetarit të ndjere të Mitrovicës, kryetar që ja ka kthy fjalën asnjë nderkombëtari. E tash, së fundi, edhe Agim Bahtiri.

Unë mendoj që damin e madh ia kemi ba vetes, sepse u bëmë së tepërmi servil. E për sërbët as nuk diskutohet që synim e kanë spastrimin etnik të shqiptarëve.

Po për ndërkombëtarë i kam këto fjalë, sepse i kam të dokumentuara me fotografi krimet e bëra nga vetë ushtarët francez ndaj popullatës shqiptare, për çka edhe ka pasu arrestimi im dhe më kanë qitë para gjyqit ushtarak, dhe për 620 ditë nuk më kanë lanë me hy në qendrën e Kulturës, e kta e kanë ba me ndihmën e nja dy –tre shqiptarëve që kanë qenë pjesë e komunës së Mitrovicës./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/nterviste-halit-berani-asociacioni-shtet-ne-vete/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala