Ngrohja paushalle e Prishtinës

Autori:Avdyl Pajaziti

Banorët e Prishtinës edhe këtë dimër për ngrohje qendrore do paguajnë sipas metrave katrorë të shtëpive të tyre, e jo ne bazë të asaj se sa ata me të vërtet përdorin avull për tu ngrohur.

Tarifat për ngrohje të përcaktuara nga ZRRE-ja, në bazë të  cilave “Termokosi” operon që nga viti 2009, për konsumatorët banesorë janë 0.84 euro për metër katror, duke e përfshirë edhe Tatimin e Vlerës së Shtuar, që është e përcaktuar me ligj, ndërsa për subjektet afariste janë 1 euro plus TVSH-ja.

Kjo llogaritje jo e saktë e shpenzimeve po bëhet për shkak të tarifave të njëjta që po aplikohen tash e disa vite dhe mos instalimi i matësve për të kontrolluar shpenzimet e krijuara.

Pavarësisht nevojës së instalimin e matësve të konsumit të energjisë termike, për të siguruar të dhëna të sakta të energjisë së shpenzuar,  Ngrohtorja e Qytetit “Termokos” as këtë vit nuk do i vendosë këta matës të cilët do e bënin këtë matje dhe konsumatorët do faturoheshin drejtë në bazë të asaj së sa ata realisht shpenzojnë por do vazhdojë me aplikimin e  tarifës së njëjtë asaj normative.

Zëdhënësja e Termokosit Afërdita Uka-Fejzullahu, ka treguar së deri në fund të sezonit ngrohës parashihet të vendosën matës në ato termonënstacione që ka mungesë, por jo edhe në subjektet banesore.

“Pasi që të furnizohemi me matës ngase jemi në fazën e tenderimit, këto pajisje do vendosen në termonënstacione që nuk ka pasur, ndërkaq në të ardhmen e afërt planifikohet edhe vendosja e tyre  tek secili subjekt banesor” , ka thënë Uka për Gazetën Fjala.

Mirëpo instalimi i  këtyre pajisjeve obligohet me ligj dhe nëse do ishte përfillur Ligji për Ngrohje Qendrore tash e disa vite do përdorej tarifa e cila matë saktë energjinë e prodhuar dhe të transferuar në hapësirën e qëndrimit.

Në këtë mënyrë Termokosi  do siguronte të dhëna të sakta të shpenzimit të energjisë së shfrytëzuar dhe konsumatori do paguante vetëm për aq sa ka shpenzuar e jo më shumë.

Ligji për Ngrohje Qendrore është publikuar në vitin 2009 dhe në nenin 32 të tij thuhet se çdo shpërndarës duhet të instaloj pajisje matëse për konsumator të kyçur në sistemin e ngrohjes brenda një viti pas shpalljes së ligjit. Por që nga data e publikimit kanë kaluar 6 vite dhe nuk është bërë asgjë që të zëvendësohet tarifa normative me atë matëse duke vazhduar me përdorimin e tarifës  së njëjtë.

Javë me parë edhe Instituti GAP në një konferencë për media lidhur me ndikimin e  kogjenerimit  në konsum të energjisë, rekomandojë Termokosin që të zëvendësoj tarifat normative dhe të bëhet instalimi i matësve të konsumit të energjisë termike siç obligohet me ligj në menyrë që të rrite edhe me shumë efiqenca.

Ndërkaq Genc Bashota, drejtor i ekonomisë dhe zhvillimit lokal në kryeqytet, pati thënë se në  kuadër të shërbimit kualitativ duhet punuar ne reduktimin e tarifave dhe ndryshimin e çmimit të cilën e përcakton Zyra e Rregullatorit për Energji se bashku me Komunën e Prishtinës.

Termokosi, aktualisht ofron ngrohje për rreth 12 mijë e 500 konsumatorë, prej të cilëve rreth 11 mijë e 500 janë subjekte banesore, ndërkaq rreth 1 mijë janë subjekte afariste.

Në anën tjetër, në Komunën e Prishtinës patën thënë se nga ngrohtorja e qytetit ngrohen rreth 60 mijë banorë.

Por, as “Termokosi”, e as Komuna e Prishtinës nuk e kanë bërë të ditur shumën e saktë që do të nevojitet për përfundimin e fazës së tretë të koogjenerimit, përveqë se në komunë kanë thnë se është ndarë një shumë për të ndihmuar ngrohtoren.

Për këtë projekt, që përfshin 3 faza, janë ndarë gjithsej 30 milionë euro.

Prishtinasit, që nuk janë të lidhur me ngrohtoren e qytetit, po kërkojnë nga “Termokosi” dhe Komuna që një gjë të tillë ta bëjnë sa më shpejt. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ngrohja-paushalle-e-prishtines/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala