Ngjyra e këpucëve më e falsifikuara në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Pijet alkoolike dhe jo alkoolike, sipas statistikave dalin të jenë produktet më të falsifikuar që provohet të futet në territorin e Kosovës. Ato përbëjnë rreth 47 për qind të rasteve të evidentuara nga Dogana e Kosovës nga totali i mallrave të tilla.

Por çfarë është më interesante, ndër produktet që më së shumti falsifikohet është ngjyra e këpucëve. Ajo falsifikohet shumë më shumë sesa kozmetika, tekstili, mbathjet sportive dhe telefonat mobil.

Këto të fundit përbëjnë 0 deri ne 3 për qind të rasteve të përgjithshme derisa ngjyra për këpucë përfshinë 36 për qind të të gjitha rasteve të falsifikimit. Pak më lart se to por shumë më poshtë sesa ngjyra e këpucëve qëndrojnë Llogot e kompanive të njohura botërore me 5 për qind.

Edhe pse ligji për mbrojtjen e të drejtave të  pronësisë intelektuale ka hyre në fuqi në vitin 2010 dhe kërkesat për regjistrim të markave tregtare janë të mëdha, vlera e produkteve falsifikuese arrijnë deri në miliona euro.

Vetëm në këtë gjysme viti kanë qenë 179 raste të ndaluara për dyshimin e falsifikimit të markave tregtare. Vlera e tyre e arrin shifrën e një milion euro-ve.

Adriatik Stavileci zëdhënës i doganave të Kosovës tha për gazetën Fjala se gjatë këtij viti në 48 raste janë shkatërruara mallra.

“Me vlerë prej 473,596.00 euro”, konfirmon Stavileci.

Sipas këtyre të dhënave, trefish më shumë se këtë vit ka pasur mallra të konfiskuara në vitin 2014.

Rreth 4.7 milion euro ëshët vlera e mallrave nga 300 rastet sa janë identifikuar për shkelje të pronësisë intelektuale.

Bazuar në të dhënat e doganës që nga viti 2010 vërehet një rritje e madhe nga 3 raste sa ishin këtë vit në 48 në vitin 2011, kurse gjatë vitit 2012 dhe 2013 ishin 56 respektivisht 163 raste.

Për këto 4 vite së bashku vlera e mallrave ka arritur në 2.4 milionë euro.

API –shumë kërkesa për regjistrim të markave

Agjencioni për Pronësi Intelektuale që vepron në kuadër të MTI-së, e që është institucioni i vetëm përgjegjës për regjistrimin e markave tregtare, ka pranuar një numër të madh të kërkesave për regjistrim.

Marka tregtare është një shenjë dalluese, e cila identifikon mallra apo shërbime të ofruara nga një individ apo ndërmarrje e caktuar. Me regjistrimin e tyre shteti i ofron mbrojtje ligjore pronarit të saj, duke i siguruar të drejtën ekskluzive për ta përdorur atë, apo të autorizojë dikë tjetër për ta përdorur atë në këmbim të pagesës.

Deri tani në Kosovë gëzojnë mbrojtjen institucionale plotë 2,422 marka tregtare, pas vendimeve pozitivë të MTI-së. Mbrojtja zgjat për një periudhë 10-vjeçare, por ekziston mundësia që ajo mund të ripërtërihet për një kohë të pakufizuar përtej këtij afati.

Megjithatë, API ka lëshuar edhe vendime negative. Kërkesa u është refuzuar 1,456 aplikacioneve.

Veli Hoti, zyrtar i lartë për Marka Tregtare dhe Promovime tha për Gazetën Fjala se gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2015, kanë pranuar 768 aplikacione për regjistrim.

Por ky agjencion nuk ka pranuar të tregoj emrat e markave për të cilat është kërkuar regjistrim.

“Nuk kishim preferuar të japim informacione pasi që mund të interpretohet si favorizim nga subjektet që mund të mos përmenden”, ka thënë Hoti.

Luljeta Plakolli juriste e të Drejtës së Pronës Intelektuale, vlerëson se falsifikimi në rritjei markave tregtare që nga viti 2010 deri në 2015 tregon se ndonjë hallkë në zinxhirin shtetëror nuk funksionon përkundër legjislacionit dhe politikave qeveritare.

Sipas saj, MTI duhet bërë më shumë rreth sensibilizimit dhe të bashkëpunojë me të gjithë për ta trajtuar këtë problematikë.

“Duhet krijuar praktika gjyqësore për trajtimin e lëndëve, palët private duhet sensibilizuar më shumë rreth të drejtave të tyre etj. Të mos harrojmë edhe faktin që në një vend ku papunësia është në përqindje të madhe, ekonomia joformale zë vend kryesor dhe rrjedhimisht edhe falsifikimi dhe pirateria”, ka thënë Plakolli./Gazeta Fjala/.

Kategoria më e lartë e mallrave të ndalura nga Dogana nën dyshimin se shkelet e drejta e pronësisë intelektuale:

Lloji I mallit %
Pije alkoolike/jo alkoolike 47.95%
Ngjyrë këpuce 36.02%
Kozmetik 3.64%
Tekstil 1.81%
Mbathje sportive 2.28%
Llogo 5.36%
Aksesor 0.33%
Telefona/pjesë për tel. 0.62%
Pjesë për vetura 0.28%
Topa sporti 0.22%
Sprej antikorozion 1.49%

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/ngjyra-e-kepuceve-me-e-falsifikuara-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala