Nga protestat në luftë

Autori:Avdyl Pajaziti

Skenat demolimit të objekteve private dhe publike në kryeqytet, të cilat u panë në protestën e fundit, janë vetëm fillimi i një të keqe edhe më të madhe që po i paralajmërohet vendit.

Dhuna duket se është e pa evitueshme, madje ka rrezik potencial të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës, derisa të arrihet një kompromis mes Qeverisë së Kosovës dhe partive opozitare.

“Situata po shkon duke u përshkallëzuar çdo ditë e më shumë. Fatkeqësisht fjalori i liderëve politik në vend se të ulet vetëm po ngritët akoma më shumë. Konflikti po thellohet më shumë dhe kjo është një situatë pa rrugëdalje dhe nëse vazhdon kështu atëherë kemi luftë,” thotë njohës i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje e gjithë këtij problemi është kompromisi mes liderëve politik.
As zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk shihen si mundësi e pranueshme për të dalë nga kjo krizë.

“Nuk mendoj që duhet të shkoj vendi në zgjedhje, sepse nëse shkohet në zgjedhje domethënë të filloj konflikti tjetër dhe nuk kishim mund të kemi zgjedhje demokratike por matje forcash kush është me i zoti t`i grabisë kutitë e votimit. Nuk do të kishin prodhuar zgjidhje legjitime, por kish për tu zgjeruar konflikti”.

Luftë pati paralajmëruar edhe deputeti Ilir Deda nga Vetëvendosje, i cili të premten bashkë me deputeten Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal me një propozim për zgjidhjen e situatës së krijuar.

Megjithatë, propozimi i tyre vështirë të gjejë mbështetje kur dihet fakti se deputeti Ilir Deda është kritikuar nga bashkë partiakët e tij të Vetëvendosjes që qëndrimet e deritashme të tij në këtë situatë.

Ata kanë propozuar që në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i zgjidh dilemat për Asociacionin, Kuvendi i Kosovës t’i drejtohet Komisionit të Venecias për sqarime shtesë.

Osmani e Deda, po e shohin këtë si mënyrë për të shmangur konfliktin e mundshëm qytetarë, i cili po mendohet se do të marrë jetëra njerëzish si rezultat i përplasjeve politike.

Dhuna që po shkatërron gjithçka

Protesta e fundit e mbajtur të mërkurën eskaloj në dhunë. Dhjetëra vetura të institucioneve publike u demoluan, ndërsa nuk shpëtuan as objektet shtetërore.

Vetëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, dëmet llogariten të jenë 18.500 euro.
Adem Gashi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se dëmtimi i veturave zyrtare ka shkaktuar vështirësi në realizimin e punëve të obliguara, pasi në shumicën e rasteve, punonjësit duhet të jenë në terren.

“Vështirësitë në punë janë evidente, pasi një pjesë e madhe e stafit të ministrisë, punën më të madhe e bën në terren, siç janë njësia e inspektoratit pasi ata janë gjatë gjithë ditës në lëvizje”, tha ai.

Në anën tjetër, Ministria e Administratës Publike, që është përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve në të gjitha institucionet publike, nuk e ka përfunduar ende procesin e vlerësimit.

Por, përveç dëmeve materiale, protestat rrezikojnë që të shkaktojnë edhe dëme në ekonominë e vendit.
Kryetari i Odës Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, ka ndarë një eksperiencë të tij se si protestat ndikojnë në punën që ai bënë. Ai ka treguar se si ishte ndjerë në siklet kur jo shumë larg nga zyra e tij ku ai kishte një takim me një investitor të mundshëm gjerman, protestohej dhe kishte dhunë.

“Çfarë po u ofrojmë për momentin investitorëve të huaj të mundshëm? Pamje dhune, gaz lotsjellës, koktej molotovi, thyerje veturash, demolime, arrestime… këto janë mesazhet më të këqija që mund t’i jepen një investitori potencial,” ka thënë ai përmes një shkrimi dërguar mediave.

Sjelljet e opozitës deri më tani janë dënuar fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare.

“BE në Kosovë fton opozitën që të shfaqë më shumë respekt për institucionet e Kosovës. Ftojmë për përmbajtje nga dhuna që kërcënon sigurinë e njerëzve dhe funksionimin normal të shkollave dhe shërbimeve publike”, thuhet në reagimin e BE-së.

Viti i protestave të opozitës

Të inkurajuar nga suksesi i protestave të janarit dhe shkurtit kundër ish-Ministrit Aleksandar Jablanoviç, partitë opozitare në vend nuk kanë reshtur së protestuari gjatë tërë vitit 2015.

Që nga fillimi i sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës, opozita e bashkuar ka bllokuar të gjitha seancat e rregullta, përveç dy seancave solemne me rastin e vizitës së komisarit për zgjerim të BE-së Johanes Hahn dhe vizitës së presidentit Austriak Heinz Fischer.

Ata po kundërshtojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe demarkacionin me Malin e Zi. Përveç bllokimit të kuvendit, përkrahësit e tyre kanë protestuar edhe jashtë objektit, ku ka pasur edhe përleshje me forcat policore.

Koalicioni qeverisës i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka një shumicë të sigurt në kuvend, duke e lënë opozitën me shumë pak gjasë që të ndikojë në procese politike. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/nga-protestat-ne-lufte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala