Nënat 15 vjeçare

Autori:Gazeta Fjala

Numri i martesave të hershme të vajzave të mitura nuk është i vogël në Kosovë. Të vogla, nuk janë as shifrat e nënave që janë bërë nëna në moshën e fëmijërisë. Gjatë vitit të kaluar tri femra në moshën 15 vjeçare, janë bërë nëna.

Derisa, tetë vajza të tjera të moshës 16 vjeçare janë brë nëna,  shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkohë sipas  të dhënave nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës rreth 20 vajza të moshës 17-vjecare kanë lindur fëmijë në këtë qendër në vitin e kaluar.

Ndërkaq në fillimin e këtij viti, vetëm një vajzë nën moshën e mitur është bërë nënë. Kështu thuhet në përgjigjet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhënë Gazetës Fjala.

“Ju informojmë se më 2015, në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike ka pasur gjithsej 20 nëna me moshë 17 vjeçare, 8 nëna 16 vjeçare dhe 3 nëna 15 vjeçare. Kurse më 2016 ka pasur vetëm 1 lindje nën 18 vjeçare”, thonë zyrtarët për informim në QKUK.

Fëmijët lindin fëmijë

Shtatzënitë e hershme të të miturave dënohen edhe nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të fëmijëve. Zyrtarët për informim në KOMF, thonë se martesat e shtatzënitë e hershme, janë shkelje e të drejtave të fëmijëve si dhe në të njëjtën kohë rrezikojnë shëndetin mendor e zhvillimin psiko-social të tyre.

“Fëmijët e lindur nga martesat e tilla të parakohshme shpesh rezultojnë me neglizhim nga prindërit e rinj, me mungesën e ofrimit të një kujdesi cilësor prindëror, shëndeti i tyre është më i cenuar. Nuk e gëzojnë mirëqenien e nevojshme për një zhvillim të shëndetshëm si dhe kanë gjasa të kenë më shumë probleme psiko-fizike dhe sociale në të ardhmen”, kanë thënë zyrtarë të organizatës KOMF për Gazetën Fjala.

Sipas tyre , nga martesat e hersheme si dhe lindjet e fëmijëve nga nënat e mitura, familja si bashkësi nuk ka stabilitet.

Sipas organizatës që mbron të drejtat e fëmijëve, faktorët kryesor që qojnë në martesa e shtatëzanitë e hershme te të miturat janë niveli i ulët i edukimit, faktorët ekonomik, si dhe mungesa e trajtimit të kësaj çështje në ambientet shkollore.

“Mungesa e trajtimit të kësaj çështjeje në ambientet shkollore qoftë përmes aktiviteteve kurrikulare apo edhe atyre jo kurrikulare ndikon në mungesë të vetëdijesimit mes fëmijëve të cilët në të ardhmen do të jenë vetë prindër. Gjithashtu edhe faktorë të tjerë ekonomik si varfëria, papunësia apo dhe niveli i ulët i të ardhurave në familje, janë elemente që ndikojnë në rritjen e numrit të martesave të hershme në Kosovë”, thotë Klevis Vaçari, nga KOMF.

Vaçari tregon se edhe Komisioni për të Drejtat e Fëmijëve, ka rekomanduar që të rritet mosha e martesës për vajzat e djemtë, pavarësisht lejës së prindit.

Sipas tij fëmijët nën moshën 18 vjeçare duhet të qëndrojnë pranë familjeve të tyre, të rriten, të shkollohen dhe zhvillohen për përmbushjen e plotë të potencialit të tyre.

Shtatzënia e hershme mungesë e arsimimit

Gjendja e vështirë ekonomike, mungesa e arsimimit, perspektivës, janë faktorët kryesor të cilët sipas sociologëve qojnë në shtatëzani të hershme.

Sipas sociologut Besim Gollopeni,  lindjet nga vajzat e mitura më së shumti ndodhin në zonat rurale.

“Shkaktar mund të jenë edhe mos informimi i mjaftueshëm i të rinjve mbi pasojat që vijnë si rezultat i shtatzënive të hershme lindjeve, mungesa e debateve prindër – fëmijë në lidhje me këto tema, mungesa e zbatimit të ligjit që përcakton moshën e hyrjes në marrëdhënie seksuale, mbi moshën 18”, thotë për Gazetën Fjala, Gollopeni.

Një faktor tjetër sipas tij, është edhe dhuna seksuale tek adoleshentet.

“ Në disa vende, vajzat adoleshente mund të mos janë në gjendje që të refuzojnë marrëdhënie seksuale. Dhuna seksuale është e zgjeruar dhe veçanërisht ndikon te vajzat adoleshente. Më shumë se një e treta e vajzave në disa vende raportojnë se marrëdhënia e tyre e parë ka qenë e detyruar”, ka shtuar ai.

“…kemi të bëjmë me dy kategori të lindjeve te adoleshenteve, e para ka të bëjë me shoqëritë patriarkale te të cilat është e pranueshme martesa e adoleshentëve dhe te rasti i dytë kemi të bëjmë me shoqëritë bashkëkohore ku lindjet e adoleshenteve vijnë apo ndodhin si rezultat I shfrytëzimit të epsheve seksuale para moshës së pjekurisë”, ka shpjeguar Gollopeni.

Të miturat braktisin fëmijët

Të dhënat tregojnë se një numër i vajzave të mitura të cilat lindin fëmijë braktisen nga ato.

Sipas sociologëve atyre fëmijëve u mungoj përkujdesja sociale e ekonomike.

“Se sa shoqëria kosovare po bënë në edukimin e të rinjve në lidhje me raportet seksuale, konsideroj se lene shumë për të dëshiruar”, është shprehur sociologu.

Mirëpo, ajo që po e lë akoma shoqërinë kosovare në këtë gjendje është se ende e shoqërojnë elemente të shumta të tradicionale, në pjesën më të madhe të vendit, ku tema të këtilla janë akoma tabu. Sipas tij , që ky fenomen shoqëror të parandalohet, do të duhet që temat tabu në familje dhe shoqëri, sikurse janë edhe marrëdhëniet seksuale, të hapen për debat. Të ofrohet edukim mbi marrëdhëniet seksuale në shkolla dhe institucione përkatëse. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/nenat-15-vjecare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala