Nëna e 13 jetimëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Të jesh jetim do të thotë të kesh fat të keq në jetë. Edhe hendikepët mendorë janë shumë fatkeq. Lindë i paaftë për jetën dhe nuk ka kush të përkujdeset për ty. Në këtë situatë u gjendën 13 fëmijë të Prizrenit. Shteti i la në natyrë, në mëshirë të askujt.

Por, fati i keq nuk u zgjati përgjithnjë. U duk drita në fund të tunelit sepse në atë qytet jeton edhe një zonjë me shpirt të madh, Resmije Krasniqi. Ajo i mori dhe sot përkujdeset për ta si nënë e tyre.

“Nuk mund t’i shihja fëmijët e vegjël pa nënë, pa babë, të hendikepuar mendërisht teksa ushqeheshin në kontejnerë çdo ditë. Duhet të bëja diçka për ta”, nisë rrëfimin Resmija.

Rrëfimi i Nënës Resmije

Ajo ua dinte hallet, pasi edhe vajza e sajë, Xhuliana ishte me hendikep mendor. “Vjehrri na la pasuri. E kishim shtëpinë ku rrinim, përderisa edhe para për të blerë një tjetër. E blemë për vajzën që të kishte stabilitet ekonomik. Pasi dy djemtë që kam janë shëndosh si topi, ata mund të përkujdeseshin për vete”, tregon ajo.

Pasi gjendja ishte e rëndë në qershor të 1999, Resmija e sapokthyer nga Shqipëria vendosi t’ia kushtonte jetën komplet me njerëzit me probleme si të vajzës së sajë.

Themeloi shoqatën “Hadër” e cila që nga atëherë merret me personat e hendikepuar mendorë. Nuk kishte ku t’i akomodonte, i vendosi në shtëpi të vet. Nuk kishte para, e shiti shtëpinë e vajzës.

“Shoqatën e mbajta në shtëpinë time nga viti 1999 deri më 2005. Kishim paratë nga shitja e shtëpisë dhe gjithçka ecte si ne dëshironim. Por, ato u harxhuan dhe se kishim asnjë financim”, thotë Resmija. Ajo tregon se iu deshën tre vjet të shtyhej me Komunën e Prizrenit vetëm që t’ia ndanin një parcelë toke për ndërtimin e qendrës. Por, nuk pati asnjë ndihmë institucionale ta ndërtonte shtëpinë.

“Pas tre vjetësh dhe këmbëngulësisë së madhe e ndanë parcelën. Kush një bllok, kush ndonjë kaci cement e kush një kolicë zall… shtëpia u ndërtua”, thotë ajo. Tashmë aty jetojnë 9 vajza dhe 5 djem, të gjithë të marrë nëpër rrugë.

“Spitali psikiatrik apo qendrat e shëndetit mendor po i mbajnë maksimum 6 muaj. Por,këta kanë një jetë për ta jetuar. I lëshojnë dhe nuk kanë ku të shkojnë. I gjejmë duke ngrënë në bërllok, të braktisur, pa askënd”, shpjegon Resmija. Gjyqi ka vendosur që nuk mund ta mbajë njërin nga ta. “E ku do të jetojë ajo, në kontejner?”.

Për ushqimin e fëmijëve që nga paslufta përkujdeset KFOR-i turk, përderisa Ministria e Shëndetësisë dy vjetët e fundit i ka financuar nga 250 euro për dy kujdestarët, njëra ditën e tjetra natën.

“Po shpresoj që ky financim të vazhdojë edhe sivjet. Fëmijët kanë nevojë për kujdestar sepse s’janë në gjendje të përkujdesen për vetveten”, thotë Resmija. Shumica nga ta janë jetimë pa nënë dhe pa babë, por Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e ka bërë veshin shurdh.

“Që nga paslufta kam tentuar të takohem me secilin ministër që e ka udhëhequr atë ministri. Asnjëri nga ta nuk ka qenë në gjendje t’i ndajë për mua as 10 minuta”, thotë ajo. Kjo ministri e ka obligim ligjor të përkujdeset për mirëqenien e secilit individ të paaftë për punë.

Rehabilitohen mbi 200 fëmijë

Në këtë shoqatë pos fëmijëve që jetojnë aty, shkojnë të rehabilitohen gjithsejtë 205 fëmijë nga Komuna e Prizrenit. Ishte një staf vullnetarësh që u ndihmon fëmijëve, në mesin e të cilëve edhe djali i Resmijes, psikolog. Ndihmë të pakursyer në menaxhimin e shoqatës i jep edhe burri i sajë, Arifi. Sukseset nuk kanë munguar. Disa fëmijë që tashmë janë rritur, kanë krijuar familje. Ndërsa, gjashtë nga ta punojnë në kompaninë “Beska” në Prizren.

Por, punët nuk janë aspak mirë. Mungon financimi për çdo gjë.

“Unë nuk kam para të financoj këto aktivitete, pasi krejt çka kam pasur i kam harxhuar. Institucionet nuk po më mbështesin. Shpresoj në njerëz të vullnetit të mirë”. Ajo tregon dhomën ku fëmijët bëjnë gjësende të ndryshme.

“Fëmijët i angazhoj që të bëjnë ndonjë gjë sepse për shkak të gjendjes së tyre dinë të jenë edhe nevrik. Kemi aq gjera sa për të hapur një ekspozitë, por me çka?”, shprehet ajo.

Dy vjetët e fundit nuk kanë qenë edhe aq të mira për shoqatën. Në vend që të ndërtohej edhe një kat i qendrës, për të cilën kanë edhe leje nga komuna, Ministria e Ambientit ua kishte shembur edhe kampshtëpizën donacion që gjendej në Prevallë.

“Aty fëmijët kënaqeshin në natyrë. Por, ajo kohë ka përfunduar. E gjetën ta shembin kampshtëpizen tonë. Pse, a mos po ua shembin shtëpitë milionerëve a”, shprehë pakënaqësinë Resmija. Megjithatë, nuk dorëzohet dhe është e bindur se do t’i tejkalojë të gjitha sfidat, siç ka bërë deri me sot.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/nena-e-13-jetimeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala